Kërko

Sinodi i Ipeshkvijve Sinodi i Ipeshkvijve

Sinodi, fillojnë punimet për Instrumentum Laboris të asamblesë së tetorit

Për një javë, ekspertë nga të gjitha vendet fillojnë një reflektim, i cili do të çojë në hartimin e dokumentit të punës për sesionin e parë të Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve

R.SH. – Vatikan

         Nga paraditja e sotme, 12 prill e deri më 19 prill, një grup ekspertësh nga pesë kontinente, pjesëmarrës në procesin sinodal, janë mbledhur në Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit për të reflektuar mbi rezultatet e punimeve të fazës kontinentale dhe për të shqyrtuar shtatë dokumentet përfundimtare të Asambleve Sinodale Kontinentale. Synimi është përpilimi i Instrumentum Laboris, pra, i dokumentit të punës për sesionin e parë të Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet nga 4 deri më 29 tetor të këtij viti.

Procesi zhvillohet me dyer të mbyllura

Ditët do të karakterizohen nga kremtimi i Eukaristisë, si edhe nga lutja personale e komunitare, që do t’i ndihmojë pjesëmarrësit të shqyrtojnë si duhet dokumentacionin e ardhur nga e gjithë bota, për të nxjerrë në pah përparësitë dhe pikat për t’u diskutuar në asamblenë e ardhshme. Procesi zhvillohet me dyer të mbyllura. Në fund të takimit, do të mbahet një konferencë për shtyp më 20 prill. Informacione të mëtejshme do të komunikohen drejtpërdrejt nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Pjesëmarrësit

         Pjesëmarrës në punime do të jenë: kardinajtë Mario Grech dhe Jean-Claude Hollerich, imzot Luis Marin de San Martín, motra Nathalie Becquart, imzot Timothy Costelloe, imzot Lucio Andrice Muandula, imzot Daniel Flores, imzot Pierangelo Sequeri, imzot Piero Coda, imzot Tomasz Trafny, Át Giacomo Costa, don Dario Vitali, motra Shizue Hirota, don Giuseppe Bonfrate, profesoreshat Myriam Wylens dhe Anna Rowlands, don Pasquale Bua, motra Marie-Kolbe Zamora, Paolo Foglizzo, Thierry Bonaventura, Susan Pascoe në lidhje internet, së bashku me Mauricio Lopez Oropeza.

12 prill 2023, 12:29