Kërko

 I cardinali Hollerich e Grech in Sala Stampa vaticana per presentare le novità del Sinodo I cardinali Hollerich e Grech in Sala Stampa vaticana per presentare le novità del Sinodo

Sinodi: edhe laikë e laike me të drejtë vote

Do të ketë risi dhe ndryshime për pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme, tetorin e ardhshëm, në Vatikan: do të marrin pjesë si anëtarë votues 70 "jo-ipeshkvij", të caktuar nga Konferencat Ipeshkvnore dhe Këshillat e Kishave Lindore dhe më pas, të emëruar nga Papa. Kërkohet që femrat të jenë 50% dhe të vlerësohet prania e të rinjve. Kardinajtë Grech dhe Hollerich: "Nuk është revolucion, por pasuri për Kishën, që do të jetë më plotësuar"

R. SH. / Vatikan

Nuk do të ndryshojë as natyra, as emri - që mbetet Sinodi i Ipeshkvijve - por do të ndryshojë përbërja e pjesëmarrësve në asamblenë e tetorit të ardhshëm në Vatikan, me temën e sinodalitetit, në të cilën do të marrin pjesë edhe anëtarë “që nuk janë ipeshkvij”, por laikë të emëruar drejtpërdrejt nga Papa, 50% e të cilëve "kërkohet" të jenë gra. Një kërkesë kuptimplote, bashkë me atë të “forcimit” të pranisë së të rinjve. Të gjithë do të kenë të drejtën e votës. Kështu numri i anëtarëve votues në Sallën e Sinodit të Ri do të arrijë  në rreth 370 vetë, ndërmjet 400 pjesëmarrësve gjithsej.

Nuk është revolucion

Këto janë ndryshimet dhe risitë kryesore, paraqitur sot nga Papa për Sinodin, të cilat do të vulosin rrugën sinodale, që e nisi ai vetë në vjeshtën e vitit 2021. "Nuk është revolucion, por ndryshim i rëndësishëm", saktësuan kardinajtë Mario Grech dhe Jean-Claude Hollerich, përkatësisht sekretar i përgjithshëm i Sinodit dhe relator i përgjithshëm, duke shpjeguar risitë gjatë një takimi, në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

Anëtarë "jo ipeshkvij".

Udhëzimet e reja, komunikuar sot në një letër drejtuar krerëve të Asambleve kontinentale organizuar në Afrikë, Azi, Lindjen e Mesme dhe Oqeani, nuk e shfuqizojnë legjislacionin në fuqi, kushtetutën apostolike Episcopalis Communio të vitit 2018, e cila parashikonte praninë e "pjesëmarrësve jo ipeshkvij”. Me lajmet e sotme - të cilat përligjen në kuadrin e procesit sinodal që Françesku donte të niste “nga poshtë” – saktësohet edhe numri: 70 meshtarë, të shuguruar, diakonë, laikë, të ardhur nga kishat vendase dhe përfaqësues të popullit. Prandaj, nuk do të ketë më "dëgjues".

  Asamble "plenarësisht” ipeshkvijsh

“Në këtë mënyrë nuk cenohet, por edhe konfirmohet specifika ipeshkvnore e Kuvendit Sinodal” - nënvizon Sekretariati i Përgjithshëm i Sinodit. “Bëhet fjalë për 21% të Asamblesë që mbetet plenarësisht Asamble ipeshkvijsh, me një pjesëmarrje të caktuar joipeshkvijsh” – përsëriti edhe një herë Hollerich. "Prania e tyre siguron dialogun ndërmjet profecisë së popullit të Zotit dhe aftësisë dalluese të barinjve".

Zgjedhja dhe emërimi

Më konkretisht, anëtarët "jo-ipeshkvij" emërohen nga Papa nga një listë prej 140 vetësh, caktuar nga Konferencat Ipeshkvnore dhe nga Asambleja e Patriarkëve të Kishave Katolike Lindore (20 për secilën). Siç u kujtua më sipër, kërkohet që gjysma të jenë gra dhe të vlerësohen të rinjtë: “Sepse bota kështu, është bota jonë”, vërejtën të dy kardinajtë. Për zgjedhjen merret parasysh kultura e përgjithshme, “maturia”, por edhe njohuritë dhe pjesëmarrja në procesin sinodal. Si anëtarë, kanë të drejtë vote. Një aspekt i rëndësishëm, edhe pse Grech uroi “që një ditë të mund të bëhet edhe pa votën”. Sinodi është shqyrtim, është lutje, jo rendje pas votave”.

Pesë rregulltare e pesë rregulltarë

Të drejtë vote do të kenë edhe pesë rregulltarët e zgjedhur nga organizatat përkatëse të Eproreve të Përgjithshme dhe Eprorëve të Përgjithshëm (Uisg për degën e femrave dhe Usg për degën e meshkujve). Ata - e kjo është edhe risia tjetër - zënë vendin e dhjetë klerikëve të instituteve të jetës së kushtuar, të parashikuar në të kaluarën. Të gjitha zgjedhjet - mbajtur në plenare, me votim të fshehtë nga Sinodet, Këshillat dhe Konferencat Episkopale përkatëse - duhet të ratifikohen nga Papa dhe përderisa Papa të konfirmojë zgjedhjet, emrat e të zgjedhurve nuk njihen nga publiku.

Lehtësuesit

Ndërkaq, për herë të parë në Sinod, do të duken edhe figurat e “lehtësuesve”. Zgjedhje - shpjegoi Grech - e lindur nga përvoja e grupeve të studimit "që na tregoi se këta ekspertë mund të krijojnë një dinamikë plot me fryte". “Ka ipeshkvij që nuk kanë marrë pjesë kurrë në Sinod, prandaj duhet lehtësuar përmasa shpirtërore”- sqaroi Hollerich - duke nënvizuar se për herë të parë do të ketë edhe ipeshkvij nga vendet që nuk kanë Konferencë Ipeshkvnore. Luksemburgu “i tij” është një prej tyre, por edhe Estonia e Moldavia. Kështu,  pohuan njëzëri kardinajtë, "Kisha do të jetë më e plotë, e do të jetë gëzim edhe ribashkimi i saj i plotë në Romë".

27 prill 2023, 10:35