Kërko

Konferenca e shtypit për paraqitjen e Pavijonit të Vatikanit Konferenca e shtypit për paraqitjen e Pavijonit të Vatikanit

Selia e Shenjtë në Bienalen e Arkitekturës “për të ardhmen më të mirë të tokës”

U paraqit dje paradite Pavijoni i Vatikanit "Miqësia Shoqërore: takimi në kopsht", që do të marrë pjesë në Bienalen e Arkitekturës në Venedik. Nga 20 maji deri më 26 nëntor 2023, Vatikani do të jetë i pranishëm për herë të dytë në Bienale, në edicionin e saj të 18-të. Kardinali Tolentino: arkitekturës i takon detyra të mendojë për një të ardhme ndryshe

R.SH. – Vatikan

Me ftesën që të "kujdesemi për planetin, ashtu siç kujdesemi për veten, si edhe të kremtojmë kulturën e takimit", arkitekti Roberto Cremascoli paraqiti sot paradite, Pavijonin e Vatikanit "Miqësia Shoqërore: takimi në kopsht", që do të marrë pjesë në Bienalen e Arkitekturës në Venedik, nga 20 maji deri më 26 nëntor 2023. Autor i idesë, që qëndron pas Pavijonit, arkitekti përmblodhi kështu mësimet e Papës Françesku, marrë nga enciklikat “Laudato si'” (2015) dhe “Fratelli tutti” (2020), kornizë dhe udhërrëfyes ideal për gjithë ekspozitën.

"Laboratori i së ardhmes"

Fjala kyçe e Bienales është “e ardhmja”, që i jep edhe titullin "Laboratori i së Ardhmes", siç shpjegoi kuratorja Lesley Lokko, e cila nënvizoi se "është e pamundur të ndërtosh një botë më të mirë, nëse nuk e imagjinon më parë". Arkitektja me origjinë ganeze dëshiron ta organizojë Bienalen, duke pasur parasysh urgjencat e planetit dhe duke e “dekarbonizuar e dekolonizuar” ngjarjen. Itinerari i parashikuar prej saj nuk është i mbyllur në hapësirë​​dhe në kohë, por promovon ndryshimin, me vëmendje të veçantë mbi Afrikën dhe mbi vendet e mbetura jashtë çdo procesi financiar apo krijues.

Rastësi, që nxit për dialog

Prefekti i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, kardinali José Tolentino de Mendonça, komisar i Pavijonit vatikanas, vërejti se tema e takimit është veçanërisht e dashur për Papën Françesku, i cili këtë vit festoi dhjetëvjetorin e zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. “Rastësi - nënvizoi ai - që hap mundësinë e një dialogu, të cilin e konsiderojmë të rëndësishëm: të shqyrtojmë se si disa nga linjat kryesore të kësaj papnie mund të jenë çelës për dialog me arkitekturën bashkëkohore dhe të bashkohen në një vizion, i cili ka guximin të mendojë një të ardhme ndryshe”. Kardinali theksoi se mendimi i Françeskut pasqyrohet mirë në projektet arkitekturore të propozuara nga Pavioni i Selisë së Shenjtë.

Kopshti, si vend takimi

Prefekti i Vatikanit përmendi arkitektin Álvaro Siza, autor i instalimeve të pavijonit, "i cili në moshën 90-vjeçare paraqitet si rezervë rinie për botën, duke eksperimentuar një arkitekturë jo të fiksuar brenda katër mureve, por një arkitekturë të gjallë, figurative, 'në dalje'. Një manifest i rëndësishëm politik dhe poetik mbi çfarë është e çfarë mund të bëhet takimi ndërmjet qenieve njerëzore”. Prandaj, Pavijoni nuk paraqet forma të reja ndërtimi, por funksionet e kopshtit, kërkimin dhe ripërdorimin e bimëve e të materialeve ndërtimore, ashtu siç bëjnë murgjërit nëpër kuvende. Pavijon nis me figura njerëzore krahëhapur, në gjunjë, që përshëndesin vizitorin dhe e bëjnë atë të hyjë në hapësirën e kuvendit deri në takimin me kopshtin, vend jo i zhurmshëm, vend qetësie e pushimi, ku njeriu mund të takojë Zotin.

18 prill 2023, 17:30