Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Parolin: Papa në Hungari do të jetë shtegtar paqeje, mikpritjeje dhe takimi

Tri ditët e Françeskut në Budapest do të vënë në dukje impenjimin hungarez për ndërtimin e një shoqërie vëllazërore, në një Evropë të plagosur nga lufta, e cila po përjeton - siç thekson në këtë intervistë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin - "krizën më të madhe të refugjatëve, që nga Lufta II Botërore"

R.SH. – Vatikan

         Në Hungari po bëhen përgatitjet e fundit për pritjen e Papës Françesku, i cili do të shkojë në Budapest nesër, më 28 prill e do të qëndrojë në vend deri në fund të muajit. Një udhëtim apostolik, gjatë të cilit Ati i Shenjtë do t’i takojë për herë të dytë besimtarët e “perlës së Danubit”, pasi ai ka qenë aty edhe në vitin 2021, me rastin e Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik. Është edhe Papa i dytë, që shtegton në Hungari, pas Shën Gjon Palit II më 1991 dhe më 1996. Për tri ditë, ngjarjet do të përqendrohen në kryeqytet. Hungarezët presin me padurim Pasardhësin e Shën Pjetrit, i cili shkon t’i konfirmojë në fe, por edhe t’u flasë – siç pritet – për familjen e mikpritjen. “Po përjetojmë krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë, që nga Lufta II Botërore”, thekson në një intervistë për mediat e Vatikanit, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, i cili nënvizon “fenë e gjallë të Hungarisë”, por edhe sfidat e materializmit e të konsumizmit, që duhet të përballojë shoqëria hungareze, pas komunizmit. Por si lind ky udhëtim i Papës? Të dëgjojmë prelatin…

         Do të thosha se ky udhëtim është disi përmbushja e një premtimi. Siç dihet, Ati i Shenjtë shkoi në Budapest para një viti e gjysmë, në shtator 2021, për mbylljen e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar. Në atë kuadër, përveç meshës solemne, pati edhe disa takime: në nivelin privat me autoritetet, pastaj me ipeshkvijtë e, së fundi, me të krishterët e konfesioneve të tjera dhe me përfaqësuesit e bashkësive hebraike. Tani, me këtë udhëtim apostolik që fillon nesër, Ati i Shenjtë synon të vijojë dhe ta përfundojë vizitën e tij të mëparshme në Budapest, prandaj, shumica e udhëtimit do t’u kushtohet takimeve me grupe të ndryshme të popullit hungarez. Janë planifikuar takime publike me autoritetet, me klerin, diakonët, rregulltarët, punonjësit baritorë, me të mënjanuarit – sidomos me refugjatët e shumtë nga Ukraina fqinje - me të rinjtë - jemi pothuajse në prag të Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në gusht, në Lisbonë - dhe më pas me botën e kulturës.

         Vizita përqendrohet në kryeqytet, në Budapest, nuk do të ketë etapa të tjera. Pse u vendos kështu?

         U vendos kështu, sepse kjo jep mundësinë për ta përqendruar numrin më të madh të mundshëm të takimeve në kryeqytet, duke shmangur zhvendosjet dhe duke bashkuar realitetet e ndryshme të vendit në Budapest, qytet, i cili feston këtë vit një përvjetor të rëndësishëm, 150-vjetorin e themelimit.

         Ati i Shenjtë do të jetë në zemër të Evropës së plagosur nga lufta. Hungaria është në kufi me Ukrainën. Ç’kuptim merr prania e Papës, në këtë rast?

         Kjo vizitë është planifikuar prej kohësh, prandaj, arsyeja e saj kryesore nuk është gjendja aktuale e luftës në Ukrainë. Por siç e dimë, Papa shqetësohet shumë nga kjo tragjedi dhe jam i sigurt se gjatë kësaj vizite nuk do të lihet mënjanë asnjë mundësi për promovimin e paqes. Vëmendja e veçantë e Atit të Shenjtë e pasuron praninë e tij në Hungari edhe me këtë inkurajim për impenjimin më të madh në favor të paqes.

         Hungaria impenjohet shumë në mbështetjen e familjes e Papa flet shpesh për të rinjtë e për gjyshërit. Mendoni se ky takim me Pasardhësin e Shën Pjetrit do të nxisë ndërtimin e urave ndërmjet brezave dhe kombeve?

         Sigurisht që do të ketë edhe këtë rezultat. Kujtojmë se Papa vendosi dy vite më parë, më 2021, të themelojë Ditën Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, e cila kremtohet çdo vit të dielën e katërt të korrikut, sivjet, më 23 korrik. Në kontekstin e Hungarisë, kjo temë është edhe më aktuale po të kemi parasysh se zonja Presidente - e cila ka pasur edhe rolin e Ministres së Familjes nga viti 2020 deri më 2021 - i kushton vëmendje familjes. Këtë mundëm ta vërenim edhe kur erdhi për vizitë tek Ati i Shenjtë dhe e takuam në Sekretarinë e Shtetit. Vëmendje për më të voglin, por edhe për elementin më të rëndësishëm themeltar të çdo shoqërie. Më duket se bashkëjetesa harmonike ndërmjet anëtarëve të një familjeje sjell efekte pozitive, le të themi se ka një efekt domino në rrethin më të gjerë të familjeve e kështu me radhë. Prandaj, duke filluar nga familja, mund të bëhen përpjekje për të ndërtuar shoqëri më paqësore. Shpresojmë që, mbi bazën e kësaj ure familjare ndërmjet brezave, të ndërtohet edhe një urë paqeje ndërmjet kombeve.

         Hungaria është në qendër të flukseve migratore, që vijnë nga Ballkani, por edhe nga Moska e Kievi. Në kishën e Shën Elizabetës së Hungarisë do të mbahet takimi me të varfërit e refugjatët, siç kujtuat më parë. Vizita e Papës do t’i nxisë edhe më shumë njerëzit të ndihmojnë nevojtarët, apo jo?

         Po jetojmë në Evropë krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta II Botërore: më se 8 milionë refugjatë ukrainas kanë kaluar në Bashkimin Evropian. Në këtë situatë, Hungaria është zotuar të mbajë kufijtë e hapur për ukrainasit, që ikin nga lufta. Deri tani, mbi 4 milionë njerëz kanë kaluar nëpër Hungari, qoftë direkt nga Ukraina, qoftë përmes Rumanisë. E, megjithëse pak kanë mbetur - shifrat thonë rreth 35.000 - Kisha Katolike lokale, kryesisht përmes Karitasit, por edhe me ndihmën e qeverisë, ka bërë të pamundurën për t'i mirëpritur dhe për t'u kujdesur për këta refugjatë, ndërsa vazhdojnë udhëtimin për në vende të tjera evropiane. Gjithashtu, ajo ka punuar që gratë e fëmijët të mos bien viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore. Gjithsesi, Kisha shqetësohet për emigracionin e parregullt përgjatë së ashtuquajturës udhë ballkanike dhe për situatën e vështirë me të cilën përballen shumë vetë, për shembull, gjatë kufirit ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë. Megjithëse shumë nga ata, që vijnë në kufi nuk janë refugjatë, por kanë nevojë vetëm për mbrojtje, të gjithë duhet të trajtohen me respektin, që meritojnë si qenie njerëzore. Ky është problem, që nuk shqetëson vetëm Hungarinë, por të gjitha vendet e rajonit, veçanërisht ato përgjatë kufirit me Bashkimin Evropian, të cilat po përballen me flukset në rritje të emigracionit, që vjen si nga vendet në konflikt, ashtu edhe nga vendet e varfra. E gjithë Europa duhet të gjejë mënyrën për të marrë përsipër përgjegjësinë për ata, që kërkojnë një jetë më të mirë brenda kufijve të saj. E kjo, natyrisht, përfshin edhe punën për të ndihmuar migrantët të qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës, në paqe dhe në siguri, që të mos detyrohen të ikin, ose të kërkojnë paqe, siguri e punë të denjë jashtë vendit.

         Vendi pret me padurim Papën. Kisha e qeveria punojnë së bashku për t’u dhënë të gjithëve mundësinë të marrin pjesë në takimin me Françeskun. Për shembull, transportet për në vendet e vizitës së Atit të Shenjtë do të jenë gratis. E besimtarët mezi presin të dëshmojnë fenë e tyre të gjallë…

         Feja e gjallë dhe e admirueshme e popullit hungarez lidhet në mënyrë të veçantë me shumë shenjtorë që nderohen në vend, nga Shën Martini, Shën Shtjefni, te Shën Elizabeta. Por është fe e dëshmuar në mënyrë shembullore edhe nga figura të reja: mjafton të mendojmë për martirët e fesë në periudhën e persekutimit ateist - si të mos përmendim këtu figurën emblematike të kardinalit Jozsef Mindszenty, Shërbëtor i Zotit! Fe e farkëtuar nga vuajtjet dhe e praktikuar prej vitesh nga një Kishë e fshehur, e cila, mbiu si fara dhe lulëzoi pas vitesh shtypjeje. Hungaria është vend me fe të gjallë e, në rrethanat aktuale, që kanë ndryshuar, ajo duhet ta mbajë gjallë ketë fe. Ka sfida të reja, që e shqetësojnë klerin, që i shqetësojnë të rinjtë: pas kërcënimeve të komunizmit, kemi materializmin dhe konsumizmin, vetëm në dukje më të padëmshëm.

Hirësia juaj, ç’prisni prej këtij udhëtimi?

Që Papa të realizojë objektivat e parashikuara për udhëtimin në Hungari e për përfundimin e vizitës së mëparshme, pra, kemi gjithnjë aspektin e bariut universal që konfirmon vëllezërit në fe, që do të thotë edhe ngushëllim, inkurajim, nxitje për të dëshmuar bukurinë e Lajmit të Mirë të Jezusit. Vetë motoja e udhëtimit na çon drejt kësaj: "Krishti është e ardhmja jonë"; sheh drejt shpresës në emër të Ungjillit dhe ka të bëjë pikërisht me synimin parësor të Papës Françesku, ashtu siç e shpreh në Nxitjen Apostolike “Evangelii gaudium”, pra, me promovimin e shpirtit misionar në një Kishë, që shkon drejt botës për të dëshmuar bukurinë e Ungjillit të Jezu Krishtit. Vizita do të jetë edhe rast për të përqafuar një popull veçanërisht të dashur për Papën që nga koha e murgeshave hungareze, të cilat i pati takuar në Argjentinë. Në fund, po përmend fjalët, që tha të dielën, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore: “Do të jetë një udhëtim në qendër të Evropës, ku vazhdojnë të fryjnë erërat e akullta të luftës, ndërsa zhvendosjet e kaq shumë njerëzve vënë në rend të ditës çështje urgjente humanitare”.

27 prill 2023, 15:26