Kërko

Lojërat Olimpike 2024 Lojërat Olimpike 2024

Lojërat Olimpike në Francë, Papa: “një festë e bukur” sportive, që nuk i harron të fundmit

Në një mesazh të nënshkruar nga kardinali Parolin, drejtuar katolikëve francezë, Papa Françesku uron që Lojërat e vitit 2024 të jenë një rast i volitshëm për dialog ndërmjet popujve dhe për "një hov autentik vëllazërimi, për të cilin bota ka shumë nevojë"

R.SH. – Vatikan

Lojërat Olimpike, që do të zhvillohen në Francë në verën e vitit 2024, janë "rast i mirë për takime të frytshme ndërmjet njerëzve nga çdo anë e botës, që u përkasin popujve, kulturave dhe feve të ndryshme". Kështu thuhet në mesazhin e Papës Françesku, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar “miqve të dashur, katolikë të Francës”.

Bujaria e mikpritja

Mesazhi i Papës flet për “gëzimin”, por edhe për “përgjegjësinë” për mikpritjen e mbarë botës në Olimpiadë, prandaj, Ati i Shenjë i fton të gjithë të mobilizohen “me bujari”, si edhe të “bëhen vullnetarë”, të hapin kishat, shkollat ​​dhe shtëpitë dhe, mbi të gjitha, zemrat. "Me mikpritjen bujare dhe përkushtimin tuaj, – shkruhet në mesazh - ju do të dëshmoni Krishtin, që jeton në ju dhe gëzimin që ju transmeton në jetë".

Bota ka nevojë për vëllazërim

Duke falënderuar paraprakisht për impenjimin që gjatë kësaj "feste të bukur të sportit" të mos harrohet "ndihma për integrimin e personave me aftësi të kufizuara, të të varfërve apo të mënjanuarve", Papa Françesku e përfundon mesazhin me urimin që, përmes sportit, këto "Lojëra Olimpike të jenë rast i volitshëm për një hov autentik vëllazërimi, për të cilin bota ka aq shumë nevojë”. Ati i Shenjtë u jep bekimin e tij apostolik të gjithë organizatorëve, vullnetarëve dhe të gjithë atyre, që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 2024.

18 prill 2023, 13:29