Kërko

2023.04.21 Monsignor Claudio Gugerotti in apertura di Simposio 2023.04.21 Monsignor Claudio Gugerotti in apertura di Simposio

Kryeipeshkvi Gugerotti: Selia e Shenjtë përkrah të krishterëve të Lindjes së Mesme

"Ne perëndimorët mbajmë përgjegjësi të rëndë për kushtet destabilizuese në Lindjen e Mesme, me përpjekjen për të eksportuar kulturën tonë dhe për t'u kërkuar popujve të jetojnë si na". Imzot Gugerotti, prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore e përshëndeti kështu 250 përfaqësuesit e Kishave Katolike të Lindjes së Mesme, të pranishëm në Nikosia, në simpoziumin "Të rrënjosur në shpresë", që do të vijojë deri të dielën 23 prill, organizuar ngaVeprat e Ndihmës për Kishat Lindore” (Roaco)

R.SH. / Vatikan

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore, Imzot Claudio Gugerotti, nga Qipro, ku merr pjesë në hapjen të Simpoziumit “Të rrënjosur në shpresë", organizuar me rastin e dhjetëvjetorin të nxitjes "Ecclesia in Medio Oriente", kujton "përpjekjet heroike" të të krishterëve të Lindjes së Mesme për dëshmimin e fesë". Patriarku Pizzaballa: aleanca ndërmjet fronit dhe altarit nuk i bën kurrë mirë as njërit e as tjetrit!

"Ne perëndimorët mbajmë përgjegjësi të rëndë për kushtet destabilizuese në Lindjen e Mesme, me përpjekjen për të eksportuar kulturën tonë dhe për t'u kërkuar popujve të jetojnë si ne". Imzot Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore e përshëndeti kështu platenë e mbi 250 përfaqësuesve të Kishave Katolike të Lindjes së Mesme, të pranishëm në hapjen, në Nikosia, të simpoziumit "Të rrënjosur në shpresë", që do të vijojë deri të dielën 23 prill, organizuar nga  Veprat e Ndihmës për Kishat Lindore” (Roaco), dhjetë vjet pas nxitjes apostolike post-sinodale “Ecclesia in Medio Oriente” (Kisha në Lindjen e Mesme) të Benediktit XVI.

Shqetësimi për diasporën

“Si katolikë perëndimorë - kujtoi prefekti - kërkojmë falje për mbështetjen e këtij vizioni dritëshkurtër. E i  lavdërojmë përpjekjet tuaja heroike për ta dëshmuar fenë tonë të përbashkët duke përballuar vështirësi të të gjitha llojeve". Çka e shqetëson Gugerottin "është diaspora e të krishterëve në Lindjen e Mesme e shkaktuar nga situata aktuale tragjike që prek thellësisht jetën e tyre të përditshme.

Prandaj, roli i Selisë së Shenjtë "në mbështetjen e të krishterëve të Lindjes së Mesme" është përparësi sepse, vijoi Prelati:  

"Sado bujare të jetë përpjekja për të ndjekur besimtarët e Kishës suaj në diasporë, kjo do të bëhet edhe më e frytshme përmes udhëzimeve të ipeshkvijve nga e gjithë bota, për të shmangur çdo asimilim, qoftë edhe të paqëllimtë, dhe për t'ju ndihmuar të ruani dëshminë tuaj të fesë në specifikën e saj. Kisha universale nuk mund të lejojë që të humbasë prania, trashëgimia, dëshmia e, mbi të gjitha, feja e të krishterëve të Lindjes së Mesme".

Për këtë arsye do të jetë e pranishme me ndihmë financiare, por edhe duke  pasur parasysh “rolin tuaj në çastin e tanishëm, që të mund të krenoheni për të kaluarën tuaj të lavdishme, duke pasur, në traditë, një mjet të gjallë për rilindje.

Nxitja, testament për Kishat e Lindjes së Mesme

Në Lindjen e Mesme “është e nevojshme rimëkëmbja e identitetit të vërtetë të krishterë” - kujtoi patriarku latin i Jeruzalemit, Imzot Pierbattista Pizzaballa, i cili u ndalua tek realiteti i dhjetë viteve të fundit dhe tek sfidat e jetuara nga kishat: vite të trazuara nga ekstremizmi islamik, pas përfundimit të Pranverës Arabe; karakterizuar nga dhuna e ISIS dhe nga luftërat - Siria, Iraku, Jemeni, Libia - ku bashkësitë e krishtera "paguan një çmim shumë të lartë", por dëshmuan edhe shpresën, me martirizimin e "shumë vëllezërve dhe motrave". Vite që panë gjithashtu Dokumentin e Abu Dhabit mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe udhëtimet historike të Papës, të cilat tregojnë se Françesku "kujdeset thellësisht për Lindjen e Mesme, Kishat Lindore, dialogun ekumenik me ortodoksët dhe dialogun ndërfetar, në veçanti, për vëllazërinë dhe paqen me myslimanët, si dhe me hebrenjtë”.

E sotmja, me dritë-hijet e saj, na detyron "të bëjmë një sintezë të vërtetë dhe konkrete" të asaj që u jetua, prandaj rileximi i Nxitjes, "një lloj testamenti i dorëzuar Kishave të Lindjes së Mesme", së bashku me çka ndodhi në nivelin politik, shoqëror dhe kishtar, "na bën thirrje për pendim  dhe besim te Zoti". E pikërisht nga Lindja e Mesme, pavarësisht krizave dhe shkandujve - shpjegoi Imzot Pizzaballa - mund të rifillojë "shëlbimi për të gjithë Kishën Universale".

Kisha ta mirëpresë realitetin e sotëm

Kanë kaluar 13 vjet nga Sinodi për Lindjen e Mesme; dhjetë, nga Nxitja: një periudhë kohore në të cilën Lindja e Mesme ndryshoi thellësisht ndaj për Kishën, tani - kujtoi Patriarku Latin - është e rëndësishme ta “mirëpresë realitetin” në të cilin jetojmë, ashtu si është, me veçoritë e tij. Sot identiteti i të krishterëve duhet të "formohet e, në disa raste, të ri-ungjillëzohet". Fakti se janë pakicë nuk i pengon ta dëshmojnë fenë dhe përkatësinë. Ftesa është të mos mbyllemi në vetvete, të vëmë në jetë "forma të reja krijimtarie", të ndërtojmë bashkësi, të "forcojmë bashkësinë dhe bashkëpunimin mes kishave", të cilat duhet ta rifitojnë përmasën e tyre misionare", pa e harruar kurrë dialogun, tjetër formë e shprehjes “themelore” të jetës kishtare.

Jo, aleancës mes fronit dhe altarit

Në Lindjen e Mesme ekziston gjithmonë rreziku i fortë për të rënë në tundimin" e aleancës me fuqinë politike të çastit a të vendit, ose për t’u shndërruar në mjete të saj", gjë që na pengon të ruajmë rolin profetik, i cili duhet të jetë i lirë nga "çdo kusht" sepse - paralajmëroi Patriarku - "aleanca e fronit me altarin nuk i ka bërë kurrë mirë as fronit, as altarit".

Prandaj duhet të jemi “të aftë për transparencë në marrëdhëniet kishtare” edhe në institucione, duke korrigjuar “format e korrupsionit” në të gjitha aspektet e tij, sepse “ndihma për të varfërit dhe të dobëtit nuk e bën Kishën parti politike”.

Në një kohë kur besimi përballon "kufij të rinj dhe mundësi të mëtejshme"  nga njëra anë, e "sulme të jashtme dhe probleme më të shumta e komplekse" nga ana tjetër, nuk ka nevojë "për rindërtim, por për të nisur nga themelet. E sidomos ka nevojë për të qenë “dritë, kripë dhe majà për këtë botë”. E pikërisht nga takimi në Nikosia duhet të lindë angazhimi i ri dhe i përtërirë, i cili duhet të jetë në gjendje - përfundoi Kryeipeshkvi Pizzaballa - "ta ndriçojë dhe t'i japë shije gjithë Lindjes së Mesme, ku rrënjët tona shtrihen në thellësitë e këtyre trojeve dhe ku do të vijojmë të jetojmë, për të dhënë dëshminë më të bukur të Fesë sonë”.

21 prill 2023, 12:57