Kërko

l cardinale Pietro Parolin, segretario di Stato vaticano (foto d'archivio) l cardinale Pietro Parolin, segretario di Stato vaticano (foto d'archivio)

Kardinali Parolin: “Hetimet për Emanuela Orlandin vazhdojnë, shtegtimi i Papës në Hungari

Sekretari i Shtetit të Vatikanit gjatë një veprimtarie në Dhomën e Deputetëve të Italisë, kujtoi: “Selia e Shenjtë dëshiron ta sqarojë me fund çështjen Orlandi: ia kemi borxh nënës, që vuan shumë”. Duke folur për shtegtimin e Papës në Hungari, kardinali Parolin pohon se do të jetë "rast i ri për favorizimin e paqes”

R.SH. / Vatikan

Synimi i Selisë së Shenjtë është të "sqarojë". "Mendoj se ia kemi borxh para së gjithash nënës" që "vuan shumë". Me këto fjalë - shkëmbyer me gazetarët në përfundim të një veprimtarie në Dhomën e Deputetëve - Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, siguron se Selia e  Shenjtë vijon të punojë për t’i çuar përpara hetimet, rinisur janarin e kaluar, për Emanuela Orlandin, nënshtetase e Vatikanit, zhdukur në moshën 15-vjeçare, në vitin 1983.

Përpjekje për sqarim

Agjencia Ansa e pyeti Prelatin për zhvillimet e fundit të çështjes, pas deklaratave të drejtpërdrejta në TV nga vëllai i së resë së zhdukur, Pietro Orlandi, mbi sjelljen e papërshtatshme, të hamendësuar, të Shën Gjon Palit II, cilësuar nga Papa Françesku "objekt akuzash fyese, pa asnjë bazë".

Për të raportuar, me cilësinë e dëshmitarit, mbi burimet e informacionit në lidhje me Papën Wojtyla dhe në përgjithësi, për rastin e vajzës së zhdukur, më 15 prill Promovuesi i Drejtësisë, Alessandro Diddi thirri përfaqësuesen ligjore të familjes Orlandi, Laura Sgrò, e cila zgjodhi rrugën e mbrojtjes së sekretit profesional, domethënë nuk pranoi të tregonte nga kush i mblodhën "thashethemet" mbi zakonet e Papës polak ajo dhe Pietro Orlandi. Lidhur me këtë, Parolin kujtoi sot: “U befasuam që nuk pati asnjë bashkëpunim, sepse këtë kishin kërkuar: pse tani u tërhoqen kaq befas? Nuk e kuptoj... Qëllimi ynë është që të sqarohemi një herë e mirë”.

Qëllimet më të mira

“Vërejta se pati edhe kritika për nismën e Papës”- ​​shtoi Parolin - duke kujtuar hetimet që donte të rihapte Françesku për të hedhur dritë mbi çështjen, pas dyzet vjetësh. “Ideja e Selisë së Shenjtë - nënvizoi Sekretari i Shtetit - është pikërisht të sqarohet plotësisht çështja, të shihet se çfarë është bërë në të kaluarën si nga Italia, ashtu edhe nga Vatikani e edhe nëse ka akoma diçka që mund të bëhet. E mendoj se sqarimet ia kemi borxh para së gjithash nënës e cila “vuan shumë”. “E bëjmë, pra, me qëllimet më të mira”.

Rëndësia e paqes

Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera të gazetarëve, kardinali vlerësoi nismën e fshatit social “Rondine Cittadella della Pace", sepse ka të bëjë me  vënien në jetë të nismave, që mund të krijojnë vërtet paqe. Sekretari i Shtetit shpreson "në gjeste gjeste konkrete": "Rondine - tha ai - e ka bërë këtë për shumë vite, mbi të gjitha për të afruar të ashtuquajturit "armiq", për të ndihmuar në kuptimin dhe pranimin e dallimeve reciproke. Shpresojmë që këto nisma të shumohen në këtë botë”.

Shtegtimi i Papës në Hungari

Duke u rikthyer tek tema e paqes, Kardinali Parolin shpjegoi se udhëtimi i ardhshëm i Papës në Hungari, në fund të prillit, nuk lidhet drejtpërdrejt me konfliktin në Ukrainë, por do të jetë mundësi për të përsëritur thirrjen që t’i jepet fund luftës. “Vizita ishte planifikuar prej kohësh, nuk lidhet drejtpërdrejt me problemet e sotme” - sqaroi kardinali - “Mendoj se Papa, siç bën gjithmonë, do të përfitojë nga kjo vizitë për të provuar nëse ka ndonjë mundësi për të ndërmarrë hapa të reja drejt paqes, duke pasur parasysh edhe qëndrimin e Hungarisë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Mund të ndihmojë, në këtë kuptim…”. Por, përsëriti Kardinali, “nuk ishte gjë e veçantë, në kuptimin se ‘po shkojmë për këtë’, ndonëse sigurisht që do të përfitojmë nga çdo mundësi për të favorizuar paqen”.

20 prill 2023, 09:47