Kërko

Giovani a Lisbona, in Portogallo, in occasione della Giornata diocesana della gioventù del 2022  (@miniavailable) Giovani a Lisbona, in Portogallo, in occasione della Giornata diocesana della gioventù del 2022 (@miniavailable)

Kardinali Gambetti: Kisha duhet të dalë për t’i takuar të rinjtë

Vikari i Përgjithshëm i Papës për qytetin e Vatikanit foli, dje pasdite, në Universitetin Papnor Gregorian, në takimin e dytë të ciklit të konferencave "Ecja drejt Lisbonës - 10 vjet Françesku" në përgatitje për Ditën XXXVIII Botërore të Rinisë. Reflektoi gjerë e gjatë për lidhjet me universin e rinisë dhe me mesazhin Fratelli tutti për njeriun e sotëm

R.SH. / Vatikan

“Kisha duhet t’i mirëpresë të rinjtë, duke i parë si forca shtytëse e përparimit në botë. Për këtë arsye është themelore ta mirëpresim edhe risinë që sjellin”. Këtë theksoi Kardinali Mauro Gambetti, Vikar i Përgjithshëm i Papës për qytetin e Vatikanit dhe kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit, pasditen e djeshme në Universitetin Papnor Gregoriana, në Romë, ku u mbajt takimi i dytë i ciklit të konferencave "Ecja drejt Lisbonës - 10 vjet Françesku", organizuar nga Qendra Fe e Kulturë "Alberto Hurtado" dhe nga Ambasada Portugeze pranë Selisë së Shenjtë, në përgatitje për Ditën XXXVIII Botërore të Rinisë, e cila do të mbahet nga 1 deri më 6 gusht, në kryeqytetin Lusitanian.

Nisma synon të propozojë dialogë, që mund të inkuadrojnë perspektivat e hapura nga magjisteri i Papës Françesku. Për këtë kardinali foli me presidentin e Fondacionit Gjon Pali II për Rininë, Daniele Bruno, duke kërkuar disa reflektime mbi të rinjtë sot dhe lidhjen e tyre me Kishën e duke pasur parasysh “Fratelli tutti” të Papës Françesku.

Paqëndrueshmëria dhe nxitimi i të rinjve të sotëm

Duke marrë shkas nga tema e DBR-së së ardhshme "Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim", kardinali Gambetti nënvizoi se verseti ungjillor, i zgjedhur nga Papa Françesku për takimin e Lisbonës, të kujton lëvizjen dhe shkathtësinë, tipike për rininë e çdo kohe e, sidomos, për atë bashkëkohore botërore. Të rinjtë janë të shqetë e të shpejtë, nxitojnë gjithnjë - tha kardinali - dhe Kisha duhet të dalë t'i takojë, t'i mirëpresë këto karakteristika, duke i drejtuar. Nuk bëhet fjalë për të metat, por për “qëndrimet e metodat” me të cilat janë rritur dhe po rriten të rinjtë e sotëm.

Është globalizimi, që i shtyn të rinjtë drejt këtyre metodave - vuri në dukje kardinali Gambetti - duke shtuar se Kisha duhet të bëjë një hap para në drejtimin e paqëndrueshmërisë dhe të shpejtësisë, duke i parë ato si vlera, për t’i ndihmuar të rinjtë të arrijnë drejtpeshimin. Për kardinalin, paqëndrueshmëria, për shembull, mund të jetë pikënisje për Kishën, që t'i ofrojë shoqërisë horizonte të reja. Është e nevojshme që të rinjtë të kuptojnë se çfarë çon në nxitim, në dashuri universale ose në ankth - vuri në dukje kardinali Gambetti – e kjo është mënyra për t'i bërë të rinjtë të qetësohen dhe, për këtë, Kisha duhet të ndërmarrë hapat e saj në kohën që kërkon shoqëria.

Fratelli tutti, horizont për jetën

Sa i përket drejtimit në të cilin duhet të shikojë bota e sotme, për kardinalin është ai që tregon enciklika Papës Françeskut Fratelli tutti. Nëse nuk e shikojmë njëri-tjetrin si vëllezër, shoqëria që është në lëvizje dhe që shtyn drejt individualizmit dhe izolimit, çon në distancë, e cila mund të bëhet edhe armiqësi - theksoi mëkëmbësi i përgjithshëm i Papës për qytetin e Vatikanit. - Nëse nuk vendosen marrëdhënie vëllazërore, nëse nuk jemi vëllezër të të gjithëve, arrijmë në armiqësi - vijoi kardinali - i cili sheh te enciklika Fratelli tutti treguesin e një horizonti të ri për jetën. Horizont, që duhet ta shikojnë edhe politikanët, mbasi, “nëse një politikan nuk ka dhembshuri, nuk kujdeset për fqinjin e tij, nuk e bën veten fqinj me të gjithë – theksoi kardinali Gambetti – e tradhton misionin e vet”.

Ndaj politikani duhet të përpiqet ta ketë për zemër fqinjin, “sepse ndryshe vdes ndjenja njerëzore e politikës”. Në lidhje me sfidat, me të cilat duhet të përballet shoqëria bashkëkohore, një nga më të mëdhatë është ajo që ka të bëjë me teknologjinë, e cila ngre pyetje të ndryshme dhe krijon reflektime të ndryshme, quan të arsyeshme një tryezë të rrumbullaktë të profilit të lartë, ku të vendosen rregullat ndërkombëtare për të parandaluar zotërimin e teknologjisë mbi njeriun”.

19 prill 2023, 12:58