Kërko

Imzot Rino Fisichella Imzot Rino Fisichella

Fisichella: ungjillëzimi nuk jep fryte, nëse nuk hyn në histori e në kulturë

Pro-Prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin foli në konferencën mbi "Ungjillëzimin dhe thirrjet", që mbahet në Maynooth, Irlandë: Interneti është mundësi për dialog, por nuk mund të zëvendësojë udhën së bashku me njerëzit. Pyetja e vërtetë "nuk është si t’i përdorim teknologjitë e reja për të ungjillëzuar, por si të bëhemi prani ungjillëzuese në kontinentin dixhital”

R.SH. – Vatikan

 “Kisha nuk ungjillëzon thjesht pse i duhet t’i bëjë ballë sfidës së madhe të shekullarizimit, por sepse duhet t'i bindet urdhrit të Zotit për t'ia çuar Ungjillin e tij çdo krijese. Ky mendim i thjeshtë përmbledh projektin për dekadat e ardhshme, gjatë të cilave duhet të jemi në gjendje ta kuptojmë plotësisht përgjegjësinë, që rëndon mbi Kishën e Krishtit në këtë çast historik të veçantë”. Këtë nënvizoi imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin, i cili foli në konferencën me temë "Ungjillëzimi dhe thirrja", mbajtur në Kolegjin e Shën Patrikut, në Maynooth të Irlandës.

Krishterimi është pjesë e historisë

Një nga tiparet e veçanta të krishterimit, theksoi prelati, "është fakti se ai ka hyrë në histori". Prandaj, Kisha nuk mund të jetë e frytshme në punën e saj të ungjillëzimit, nëse harron "si të hyjë në kulturë dhe si të krijojë histori". Në këtë kuptim, pra, "të mendosh për ungjillëzimin sikur të mos kishte nevojë për inkulturim, nuk është rrugë për t’u ndjekur".

Ungjillëzimi në kontinentin dixhital

Në guximin për të zbuluar shtigje të reja ungjillëzimi dhe për t'i ndjekur ato "nën dikimin e Shpirtit Shenjt", vazhdoi imzot Fisichella, nuk mund të harrohet "nga njëra anë, nevoja për të transmetuar atë që është besuar nga të gjithë, kudo e gjithmonë" dhe nga ana tjetër, nuk mund të mos kuptohet kultura e re dixhitale, që do të ndikojë fuqimisht shekujt e ardhshëm. Vërtet, interneti "përfaqëson mundësi për dialog, takim dhe shkëmbim ndërmjet njerëzve, si edhe mundësi për informacion e njohuri", por pyetja e vërtetë "nuk është si t’i përdorim teknologjitë e reja për të ungjillëzuar, por si të bëhemi prani ungjillëzuese në kontinentin dixhital”.

Takimi me Zotin

Përdorimi i mjeteve dixhitale nuk mund të jetë rruga e vetme për ungjillëzimin, i cili nuk mund të ndahet nga takimi me njerëzit. “Do të përballemi - shpjegoi pro-prefekti - me virtualizimin e ungjillëzimit, i cili afrohet me botë të tjera virtuale të eksperimentuara tashmë, me rrezikun real që ungjillëzimi të jetë i dobët dhe jo i frytshëm”. Prandaj, në vend të parë, duhet të jetë gjithmonë takimi me Zotin, thirrja jonë personale dhe dëshmia e ndikimit të saj mbi ne, thirrja për mision, e cila është "element i brendshëm i krishterimit”, “kriter për të gjykuar frytshmërinë e baritorisë së Kishës”.

Lajmi i Mirë kërkon të mbajmë qëndrim

Ashtu si apostujt, që Zoti i thirri në Galile, "ata që shpallin fjalën e Hyjit pajisen me një autoritet që vjen nga lart, por u kërkon të jenë dishepuj të të vetmit Mësues". Besimtarët e Krishtit nuk janë neutralë, nuk janë të njëjtët njerëz pas takimit me Të. Vetëm kështu, mund ta kumtojnë “me autoritet” Lajmin e Mirë të Ungjillit. Në fakt, shpjegon imzot Fisichella, “nuk jemi para ndonjë mësimi, as para ndonjë nxitjeje shpirtërore, aq më pak para ndonjë teorie për përmirësimin e shoqërisë; jo. I referohemi një 'lajmi', sepse nënvizojmë të vërtetën në themel të tij: është fjala për një ngjarje, për një fakt, që ka të bëjë me atë, që e dëgjon dhe i kërkon të mbajë qëndrim”.

Shoqërues dhe të shoqëruar

Na duhet punë për t’i shoqëruar, sidomos të rinjtë, të zbulojnë primatin e Zotit në jetën e tyre, vijoi imzot Fisichella. Kjo kërkon urti nga përgjegjësit, të cilët kanë për detyrë ta shoqërojnë çdo njeri në udhën drejt lirisë, që jep takimi me “Fjalën e gjallë të Zotit në jetën e Kishës. Predikimi nuk është fenomen statik, por dinamik”. Prandaj, duhet të shtrojë pyetje, të provokojë, të mbështesë e të ngushëllojë. Shoqëruesi duhet të jetë koherent me Ungjillin në jetë. Meshtarit, përfundoi imzot Fisichella, i kërkohet “të jetë shenjë konkrete e dashurisë së Krishtit, e cila nuk është as utopi, as diçka për të cilën janë të aftë vetëm heronjtë, por është realitet, që mund të jetohet edhe nga njerëzit e thjeshtë, kur janë në gjendje ta dhurojnë vetveten”.

25 prill 2023, 17:25