Kërko

Emocioni i të rinjve hungarezë me aftësi të kufizuara për takimin me Papën

Hapen dyert e Institutit të të Lumit László Batthyány-Strattmann në Budapest, ku Françesku do të shkojë nesër në një vizitë private, janë të hapura. Fëmijët e verbër dhe me shikim të dëmtuar, adoleshentët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara e presin Papën me këngë dhe muzikë. “Do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Zotit për këtë dhuratë”, thotë njëri prej tyre pak orë pas mbërritjes së Papës

R.SH. – Vatikan

Dita e dytë e vizitës së Papës në Budapest, nesër më 29 prill, ka në program: paradite në ora 10,15 në Kishën e Shën Elizabetës së Hungarisë, takimin e Atit të Shenjtë me të Varfrit dhe Refugjatët; pasdite në ora 16,30 në Papp László Budapest Sportarena, takimi me të Rinjtë.

Po dita e dytë e vizitës së Papës në Budapest, nesër më 29 prill, do të ketë në program një nga takimet më të veçanta ed prekëse: takimin e Atit të Shenjtë me të rinjtë me aftësi të kufizuara, të verbër - fëmijë me shikim të dëmtuar ose me nevoja të veçanta arsimore, në institutin e të Lumit László Batthyány-Strattmann.

Një strukturë e rrethuar nga gjelbërimi që e bën të qartë kuptimin e shpresës që lidhet me këtë ngjyrë. Të hysh në Institutin e të Lumit László Batthyány-Strattmann në Budapest do të thotë të takosh buzëqeshjet e atyre që përballen çdo ditë me vështirësitë që lidhen me paaftësitë e rënda fizike. Fytyrat e fëmijëve dhe të rinjve që gjejnë ngushëllim dhe mbështetje në këtë realitet të themeluar nga motra Anna Fehér, e cila konsiderohet si "Nënë Tereza e Hungarisë", të bëjnë të mendosh thellë mbi vlerën e paçmuar të jetës. Çdo hap dhe arritje e vogël është një hap i madh për ta. Për këtë arsye, në këtë strukturë, përveç edukatorëve, vullnetarëve dhe psikologëve, punojnë edhe fizioterapistë të nivelit të lartë, e vërtet është mbresëlënëse të shikosh protezat në palestra me emrat e fëmijëve të shkruar. Pranë janë edhe biçikletat e vogla të stërvitjes, të dizajnuara edhe për mysafirët e institutit.

Një moment unik

Në muret këtij instituti, si në shkollat ​​e çdo pjese të botës, ka vizatime të fëmijëve, që janë realizuar pavarësisht problemeve me shikimin. Nga tulipanët e realizuar duke përdorur pirunët si penela, tek lulet dhe kafshët e vizatuara me disqe pambuku dhe letër. Përgatitjet për vizitën e Papës vlojnë. Drejtori i institutit, György Inotay, kujtoi se për fëmijë dhe adoleshentë që strehohen këtu çdo hap duhet bërë me maturi, ndërsa entuziazmi me të cilin e presin ardhjen e Papës nuk njeh kufi. “Po përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, me emocionin e atyre që e dinë se do të përjetojmë një moment unik, të papërsëritshëm”, thotë drejtori. Ai flet me krenari për rrugën që do të përshkohet në institut nga Papa nesër më 29 prill, duke u nisur nga korridoret, e deri te Kisha e vogël, pastaj palestra, laboratori, ku të rinjtë prodhojnë produkte në pëlhurë, lesh, duke përfshirë rruzare me ngjyra të ndryshme.

Unë do të luaj për Papën

Në sallën ku do të flasë Papa, vihen re menjëherë emrat e njerëzve në karrige, biletat klasike të vendosura mbi çdo vend. Të tjerët, megjithatë, janë të pozicionuar në tokë. “Këto janë vendet për ata që do të jenë në karrige me rrota”, shpjegon drejtori György Inotay. Më pas vëmendja shkon te një piano, pranë saj është një djalë, pak më shumë se njëzet vjeç. Emri i tij është Újfalusi Zoltán. “Unë jam një nga të rinjtë që kam qenë më gjatë në këtë institut, të gjithë po përgatitemi për takimin me Atin e Shenjtë, lajmin e këtij takimi e mësuam në internet gati dy muaj më parë – tregon ai –, Papa Françesku do të vjen për të na vizituar ne që jemi me aftësi të kufizuara, këtu, në institutin tonë. Unë dhe miqtë e mi nuk deshëm ta besonim, menduam se ishte një lajm i pavërtetë, kështu që e kontrolluam lajmin dhe morëm konfirmimin e kësaj vizite të veçantë. Vërtet pas pak orësh Papa do të vijë tek ne personalisht! Pra jemi tejet të lumtur. Ndërsa ai flet, Zoli - ky është emri me të cilin e njohin të gjithë këtu - ndonjëherë ndalet, i përloten sytë, pastaj vazhdon me historinë e tij. "Ne kurrë nuk do t'i jemi mjaft mirënjohës Zotit që na dha mundësinë e këtij takimi me Papën, bekimi i tij do të jetë gjithmonë me ne. Duke folur pastaj për shfaqjen që do të bëjnë para Papës, shton se “është një nder i madh për mua që mund të luaj tre këngë në piano”, shpjegon ai i emocinuar.

Instituti László Batthyány-Strattmann

Instituti i të Lumit László Batthyány-Strattmann ndodhet në lagjen XII të Budapestit, në një ndërtesë shumëkatëshe dhe është në gjendje të mirëpresë - në çerdhen dhe shkollën fillore për të verbërit - fëmijë me shikim të dëmtuar ose me nevoja të veçanta arsimore, falë prezencës së profesionistëve të shëndetit mendor, mjeteve më moderne arsimore dhe fizioterapike, një pishine dhe një palestre. Shtëpia për Fëmijët e Verbër drejtohej nga motra Anna Fehér - "Nënë Tereza e Hungarisë", siç u përkufizua në vitet 1980 - deri në vdekjen e saj në vitin 2021.

28 prill 2023, 14:40