Dita e Tokës, Kardinali Grech: së bashku, për të shpëtuar planetin
R. SH. - Vatikan
Kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, vizitoi Fshatin për Tokën, ngritur në Villa Borghese, në Romë, me rastin e Ditës së 53-të Botërore kushtuar Planetit, që vijon të vuajë! Kardinali e kremtoi Meshën me pjesëmarrjen e një mori vizitorësh të këtij skaji mahnitës romak, që flet me gjuhën e bukurisë. Më pas, në mikrofonet e Radio Vatikanit, e pranishme në kremtim, e komentoi nismën “Fshati për Tokën”, në një intervistë.
Të punosh me sinodalitet
Është e vërtetë se ka shumë sfida në shoqërinë e sotme. Ndër këto, edhe marrëdhënia me Tokën, me natyrën - kujtoi kardinali Grech. - Megjithatë, nënvizoi, ka edhe shumë shpresë, sepse kur njeriu rrok një përmasë komunitare, jo individualiste, duke kaluar “nga unë - tek ne” në përballimin e vështirësive, atëherë Toka bëhet shumë më e bukur. Ky mësim - vijoi Grech - na vjen nga bashkësitë e para të krishtera, që kaluan nga logjika e "të paktëve" në atë të "të të gjithëve", me synimin për t’i ndihmuar nevojtarët. Edhe sot mund ta ecim në këtë rrugë! Këtë propozon Papa Françesku, i cili po u ofron të gjithëve temën e sinodalitetit. Ia propozon "jo vetëm Kishës, por edhe mbarë njerëzimit".
Të ecim së bashku
"Sinodalitet do të thotë të ecësh së bashku, t’i dëgjosh të gjithë e mbi të gjithë, Shpirtin Shenjt. Kisha, në gjurmët e Papës, po ndjek rrugën e Sinodit universal, duke dëgjuar britmën e të gjithë njerëzve të Zotit" - kujtoi kardinali, e shtoi: me të gjitha aspektet e mbledhura do të hartohet një dokument, i cili do të jetë në qendër të Sinodit të Ipeshkvijve.
Të dëgjojmë Shpirtin e Zotit
Sidoqoftë, sinodaliteti - kujtoi Grech - nuk është vetëm "dëgjim i pastër dhe i thjeshtë. Mbi të gjitha, është dëgjim i Shpirtit të Zotit", i cili flet përmes të gjithë njerëzve, veçanërisht të pagëzuarve. Koncepti i sinodalitetit – theksoi - duhet të interpretohet së bashku me atë të vëllazërisë.
“Nuk janë vetëm terma ungjillore, por realitete që i përkasin gjithë natyrës njerëzore, parë si nevoja të domosdoshme të çdo njeriu. Të shoqërohemi dhe të shoqërojmë fqinjin tonë. Nuk është rrugë e lehtë - përfundoi kardinali - sepse për të dëgjuar tjetrin, duhet të çlirohesh nga vetja".
Së fundi, një këshillë:
"Askush nuk është vetëm, askush nuk mund të shpëtojë vetëm veten! E të gjithë e kemi diçka të mirë dhe të bukur, që të mund ta ndajmë me njëri-tjetrin".