Kërko

Uno dei simboli del Villaggio per Earth Day la terra a Villa Borghese Uno dei simboli del Villaggio per Earth Day la terra a Villa Borghese

Çmimi "Earth Reporter" për L'Osservatore Romano

Është vlerësim për angazhimin në favor të çështjeve ambientale. Duke e marrë çmimin, Andrea Monda, drejtor i gazetës vatikanase “Osservatore Romano” kujtoi nismat e filluara prej vitesh si në gazetën e Selisë së Shenjtë, ashtu edhe në Radio Vaticana-Vatican News, veçanërisht me projektin Laudato si'.

R.SH/ Vatikan

Në kuadër të veprimtarisë "OnePeopleOnePlanet"(NjëPopullNjëPlanet) zhvilluar në Auditoriumin Nuvola di Fuksas, në Eur të Romës, të shtunën e kaluar, më 22 prill, redaksisë së gazetës L'Osservatore Romano iu dha çmimi "Earth Reporter". Ngjarja, e pasqyruar edhe përmes një “maratone” të gjatë televizive, ishte pjesë e veprimtarive të shumta, organizuar ditët e fundit nga EarthDay Italia për Ditën Botërore të Tokës. Çmimi, që iu dha edhe gazetave të tjera, është vlerësim për angazhimin në favor të temave dhe të ndërgjegjësimit ambiental.

Gazetarja Chiara Giallonardo (nga ana e saj tashmë e vlerësuar me të njëjtin çmim në kremtimet e mëparshme), duke i dorëzuar çmimin drejtorit të L'Osservatore Romano, Andrea Monda, nënvizoi edhe nismën e të përmuajshmes L'Osservatore di Strada, e cila përpiqet të ketë në qendër të vëmendjes kujdesin për njerëzit dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu, edhe të më fundmëve e më të shpërfillurve.

Monda pohoi se për disa vite me radhë L'Osservatore Romano dhe Vatican Radio-Vatican News krijuan hapësira dhe rubrika - në veçanti me projektin Laudato si’, frymëzuar nga Enciklika e Papës Françesku - që tregojnë histori lidhur me temën e kujdesit për shtëpinë e përbashkët. Kujtoi edhe emrat e disa prej kolegëve, që merren veçanërisht me temën në fjalë, si Giada Aquilino, Cecilia Seppia dhe Marco Bellizi.

24 prill 2023, 15:01