Kërko

Thailandia, un'immagine della festa del Vesak Thailandia, un'immagine della festa del Vesak

Budistët dhe të krishterët, së bashku për të shëruar plagët e njerëzimit

Mesazh nga Dikasteri i Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, me rastin e Vesak 2023: dhembshuria, pa diskriminim, është mjekim që shëron sëmundjet e çdo njeriu.

R.SH. / Vatikan

Një botë e pambrojtur, e sulmuar në një mori mënyrash – e kapërthyer nga varfëria, dhuna, skllavëria, urrejtja fetare dhe nacionaliste - dhe mënyra për të lehtësuar vuajtjet e saj të diktuara nga ndjeshmëria fetare, e cila shprehet në ushtrimin e karuna-s, dhembshurisë ndaj të gjitha qenieve sipas Budës, ose agapes, dashurisë së painteresuar, të sjellë dhe të mësuar nga Krishti. Dikasteri i Vatikanit për Dialogun Ndërfetar e përqendron mbi këta dy stile, mesazhin për Vesakun, festën e budistëve që përkujtojnë lindjen, shndritjen dhe vdekjen e Zotit të tyre.

Forcë, që shëron

Kapaciteti më i madh komunikues i botës së sotme të globalizuar - shkruhet në mesazh - "na tregoi se problemet me të cilat duhet të ndeshemi, nuk janë të izoluara, por rezultat i tensioneve dhe të këqijave,  nga të cilat vuan mbarë njerëzimi". “Plagë të rënda” që korrin viktima kudo, duke i prekur njerëzit në dinjitetin e tyre! E duke e treguar lakuriq  ligështinë tonë të përbashkët”. Këtu, vijon teksti, mund të ndikojnë traditat fetare, të cilat kanë "forcën e tyre" dhe dinë të "japin ilaçe" të afta për t’i shëruar plagët e familjeve tona, të kombeve tona, të planetit tonë".

"Karuna" dhe "Agape"

Karuna - kujton mesazhi - përshkruhet nga Buda si e aftë për ta shndërruar njeriun "e informuar plotësisht" për të, ose " të dhembshur",  "pa armiqësi, pa vullnet të keq". Ata që "kanë zemër të dhembshur - shkruhet në mesazh - ofrojnë ilaçin që përmendëm për krizat globale, ilaçin e dhembshurisë së plotë, në përgjigje të të këqijave që përhapen e lidhen me njëra-tjetrën”.

Po kështu, agape e krishterë është dashuri e cila, si dhuratë e dashurisë hyjnore, "krijon barazi, rrënon mure dhe distanca", të shtyn të sillesh si samaritani në Ungjill, që lidh plagët e njeriut, viktimë e hajdutëve. Papa Françesku - kujtohet - na kërkon vazhdimisht "t'u shërbejmë të tjerëve me dhembshuri", konkretisht, jo në mënyrë abstrakte. Me një dashuri që "është hir, bujari, dëshirë për afërsi. Që nuk ngurron të dhurojë e të flijojë veten për krijesat e dashura". Në përfundim të mesazhit, shpresa që të punojmë "së bashku për të ndërtuar një botë më të drejtë, më paqësore, më të bashkuar, duke kontribuar për shërimin e plagëve të shoqërisë dhe të tokës, shtëpisë sonë të përbashkët”.

21 prill 2023, 15:47