Kërko

Papa Francesco e anziani - nonni Papa Francesco e anziani - nonni

Më 23 korrik, Dita e Gjyshërve: Papa do të kryesojë Meshën

Të diel, 23 korrik, do të kremtohet Dita III botërore e gjyshërve dhe e të moshuarve. Tema e zgjedhur nga Papa Françesku “Mëshira e tij, brezni më brezni” (Lk 1:50), e publikuar më 13 prill, shpreh lidhjen me Ditën Botërore të Rinisë, që do të mbahet vetëm pak ditë më vonë, në Lisbonë (1-6 gusht).

R.SH. / Vatikan

Të dielën më 23 korrik të ardhshëm do të kremtohet Dita III Botërore e Gjyshërve dhe e të Moshuarve. Tema e zgjedhur për këtë Ditë nga Papa Françesku  është “Mëshira e tij, brezni më brezni” frymëzuar nga Ungjilli i Lukës (Lk 1,50), e publikuar më 13 prillin e kaluar, e cila shpreh lidhjen me Ditën Botërore të Rinisë, që do të mbahet vetëm pak ditë më vonë, në Lisbonë të Portugalisë (1-6 gusht).

Tema e Ditës Botërore të Rinisë 2023 (DBR) "Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim" (Lk 1,39) na kujton Virgjrën Mari, Vashën që niset me ngut për të vizituar kushërirën e saj të moshuar, Elizabetën e, kur e takon, shpall me zë të lartë, përmes Magnificat - “Zemra ime madhëron Zotin”, forcën e aleancës ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve.

Po kujtojmë se Papa Françesku e themeloi Ditën e Gjyshërve dhe të të Moshuarve për të promovuar një kategori që shpesh në shoqëri lihet mënjanë, braktiset, ligështohet edhe më shumë. Të gjithë e dimë se jetojmë në një shoqëri ku të moshuarit nuk vihen në qendër. Ja pra, ne duhet t’i vendosim të moshuarit në qendër, të mësojmë prej tyre dhe të mendojmë e kujdesemi për ta .

Me rastin e Ditës së ardhshme të Gjyshërve - njofton akoma Selia e Shenjtë - Papa, që do të kryesojë liturgjinë eukaristike në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, i fton famullitë kishtare, dioqezat, shoqatat dhe bashkësitë kishtare nga e gjithë bota për ta kremtuar këtë ditë në bashkësitë e tyre baritore

17 prill 2023, 13:02