Kërko

Kardinali Jose' Tolentino de Mendonça dhe Josè Mourinho, në një takim të vitit 2022 Kardinali Jose' Tolentino de Mendonça dhe Josè Mourinho, në një takim të vitit 2022

“The Special One”, Mourinho dhe kardinali de Mendonça, ballë për ballë në Gregoriana

Më 31 mars, ballë për ballë do të jenë kardinali Jose’ Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin dhe “The Special One”, Mourinho, aktualisht trajneri i Romës, skuadrës së futbollit të kryeqytetit italian. Tema: “Nga fundi i botës”. Nisma është e Qendrës për Fenë e Kulturën “Alberto Hurtado” të Universitetit Papnor Gregorian, me rastin e 10-vjetorit të zgjedhjes së Papës Françesku në fronin e Shën Pjetrit

R.SH. – Vatikan

         Më 31 mars, trajneri i njohur i futbollit, Mourinho – që tifozët e quajnë Mou, ose “The Special One” – do të dialogojë me “ministrin e Kulturës” së Vatikanit, kardinalin Jose’ Tolentino de Mendonça. Ky dialog, që ndokujt mund t’i duket i çuditshëm, është pjesë e nismës së Qendrës për Fenë e Kulturën “Alberto Hurtado” të Universitetit Papnor Gregorian, me rastin e 10-vjetorit të zgjedhjes së Papës Françesku në fronin e Shën Pjetrit. Vërtet, temat e bisedës së prelatit me trajnerin portugez Mou janë perspektivat e hapura nga papnia e Bergoglio-s.

         “Qendra Hurtado – shpjegon Gregoriana në një notë për shtyp – ka zgjedhur si temë për ciklin e konferencave publike të përvitshme atë të së ardhmes, ndërmjet frikës e shpresës. Apokalipsi, historia, feja, shpëtimi, shpresa, shëlbimi, janë vetëm disa nga fjalët, që e piketojnë këtë udhë. Por për ta parë të ardhmen me shpresë, nuk mund të mos flitet për të rinjtë”. Kështu, tre takimet e fundit të vitit janë menduar, në bashkëpunim me Ambasadën e Portugalisë në Selinë e Shenjtë, si përgatitje për takimin e Lisbonës, ku nga 1 deri më 6 gushtin e këtij viti do të mbahet Dita e 38-të Botërore e Rinisë. Në këto takime, tre kardinaj do të dialogojnë me personalitete të botës civile për të inkuadruar perspektivat e hapura nga magjisteri i papnisë së Françeskut, duke nxjerrë në pah propozime për brezat e rinj të krishterë.

         Më 31 mars, ballë për ballë do të jenë pra, kardinali de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin dhe “The Special One”, Mourinho, aktualisht trajneri i Romës, skuadrës së futbollit të kryeqytetit italian. Tema: “Nga fundi i botës”.

         Më pas, më 18 prill, Vikari i përgjithshëm i Papës, kardinali Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit, do të flasë për enciklikën “Fratelli tutti” me avokatin italian Daniele Bruno, president i Fondacionit Gjon Pali II për Rininë. Së fundi, më 9 maj, ish-prefekti i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Gianfranco Ravasi, do të diskutojë mbi temat e enciklikës “Laudato si’” me muzikantin e profesorin e letërsisë, Jorge Vaz de Carvalho, nga Universiteti Katolik Portugez.

28 mars 2023, 12:13