Kërko

Tek Papa, kryebashkiaku i Romës, Gualtieri, paraqiti planin për Jubileun 2025

“Takim prekës”, kështu e përshkroi kryebashkiaku i Romës, Gualtieri, njëkohësisht komisioner i jashtëzakonshëm për Vitin e Shenjtë, audiencën e djeshme, 12 janar, me Françeskun. Takimi zgjati rreth një orë, gjatë së cilës kryebashkiaku foli për dekretin e qeverisë italiane lidhur me ndërhyrjet në kryeqytet për të mirëpritur shtegtarët dhe për ta bërë qytetin e lashtë më modern, më mikpritës, më të aftë për të pritur e për të përcjellur.

R.SH. - Vatikan

Roma përgatitet për jubileun e vitit 2025. Dje, në seancën e mëngjesit, në sallën shumëfunksionale të Kryesisë së Këshillit, nënsekretari i Presidencës së Këshillit të Ministrave, Alfredo Mantovano, shpjegoi, së bashku me kryebashkiakun e kryeqytetit dhe komisionerin e jashtëzakonshëm për ngjarjen, Roberto Gualtieri, Dekretin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, i cili miraton nisjen e punimeve kryesore lidhur me mikpritjen e shtegtarëve dhe turistëve. Përpara se të merrte pjesë në paraqitjen e dekretit, kryebashkiaku i Romës u prit në audiencë nga Papa Françesku.

Biseda e kryebashkiakut Gualtieri me Papën

Takimi, “i bukur dhe prekës” - kujtoi Gualtieri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve - zgjati rreth një orë. “Takim privat, në të cilin folëm për shumë gjëra e, natyrisht, edhe për jubileun” - vazhdoi kryebashkiaku, duke shtuar se e paranjoftoi Papën për Dpcm (Dekretin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave).

“Është nder për mua ta diskutoj me Atin e Shenjtë planin e punimeve që do të kryhen për Jubileun e vitit 2025. Roma i përgjigjet dashurisë së Ipeshkvit të saj dhe e falënderon për punën e tij të palodhur, kushtuar paqes dhe të varfërve”, shkroi më pas në një tweet kryebashkiaku i Romës.     “Papa e do shumë Romën, qytet unik në botë” - u kujtoi përsëri Gualtieri gazetarëve, të cilët shpjeguan më pas se ai foli me Papën edhe për paqen, politikat sociale dhe sfidat ambientale. Ky jubile ka në qendër të vëmendjes shpresën - nënvizoi kryebashkiaku i Romës - duke shtuar se "programi është fryt i diskutimeve me shumë subjekte dhe i dialogut me Selinë e Shenjtë". “Kemi përgjegjësi të madhe e, njëkohësisht edhe mundësi për të kryer punë të mëdha, në përkim edhe me këshillat që na dha Papa - vazhdoi kryebashkiaku – Këshilla me vlerë shpirtërore, të cilat na ngarkojnë me përgjegjësi të dyfishtë, si për shtegtarët, ashtu edhe për qytetin tonë, për ta bërë më modern, më të aftë për të mirëpritur e për t’i kënaqur si banorët, ashtu edhe shtegtarët e turistat”.

13 janar 2023, 11:13