Kërko

“Kursi i formimit për sinodalitetin 2023”, promovuar nga Instituti Universitar Sofia i Loppiano-s, në bashkëpunim me Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit “Kursi i formimit për sinodalitetin 2023”, promovuar nga Instituti Universitar Sofia i Loppiano-s, në bashkëpunim me Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit

Sinodi, rast për përtëritjen e thellë të Kishës, në shtigjet e Ungjillit

U përurua mbrëmë “Kursi i formimit për sinodalitetin”, organizuar nga Instituti Universitar Sofia, i cili, në internet, synon të thellohet në temën e Sinodit, përjetuar aktualisht nga Kisha. Ndërmjet relatorëve, kardinali Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, i cili, duke përmendur fjalët e Papës Françesku, nënvizoi: është ngjarje "që para së gjithash, kremtohet në gjunjë"

R.SH. – Vatikan

Filloi mbrëmë, me një leksion magjistral, “Kursi i formimit për sinodalitetin 2023”, promovuar nga Instituti Universitar Sofia i Loppiano-s, në bashkëpunim me Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit. Do të mbahet në platformën online Zoom dhe në kanalin Youtube të Institutit, me pjesëmarrjen e rreth një mijë vetëve nga të gjitha kontinentet. Takimi i dytë, më 6 shkurt.

Objektivi: të ndihmohen bashkësitë për t’u bërë “palestra sinodaliteti”

Fjalën kryesore e mbajti pikërisht Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Mario Grech, i cili, duke kujtuar ç’u thoshte Shën Pali Apostull selanikasve, e krahasoi stilin e dishepujve-misionarë me atë të një sportisti, që “vrapon” pas Jezu Krishtit, për të thënë në fund të jetës “E përfundova vrapin, e ruajta fenë”. Fjalët “vrapoj” dhe “ruaj” janë në qendër të kursit të fokolarinëve, të cilëve u përket Universiteti i Loppiano-s. E kardinali dha edhe shembullin e Shën Marisë, e cila u nis me nxitim për te Elizabeta, duke ruajtur në zemër të vërtetën e Birit të saj. “Qëllimi kryesor i kursit – nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit – është të kontribuojë për t’i shndërruar famullitë, dioqezat, shoqatat, lëvizjet dhe bashkësitë në ‘palestra sinodaliteti’, ku të stërvitemi në skuadër për të vrapuar në vazhdën e Jezu Krishtit dhe për ta ruajtur fenë, që na e kanë transmetuar të parët”.

“Të ecim së bashku”, Papa Françesku për sinodalitetin

 Kardinali Mario Grech, në lidhje nga Portugalia, vendosi në qendër të fjalës së tij librin "Të ecim së bashku. Fjalë dhe reflektime mbi sinodalitetin", botuar së fundi nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit. Pas fazës së parë të dëgjimit në nivel dioqezan, shpjegoi prelati, “në muajt e ardhshëm do të mbahen shtatë Asamble kontinentale, të cilat kanë për detyrë ta interpretojnë temën e rrugëtimit sinodal, duke u nisur nga kuadri kulturor dhe nga nevojat baritore të territoreve të tyre të veçanta”. Tekstet e Papës Françesku, që përmban vëllimi, pohoi kardinali, i tregojnë “gjithë Kishës ç’është dhe ç’nuk është sinodaliteti, duke dhënë edhe këshilla konkrete për zhvillimin e një Kishe sinodale në mijëvjeçarin e tretë”. Nga fjalët e Papës Françesku, kardinali Grech nxorri në pah tri tema: atë të shoshitjes; temën e shërbimit të barinjve të Kishës dhe gradualitetin e rrugëtimit sinodal, të ndërmarrë tashmë. Në reflektimin mbi këto tema, Papa i kushton vëmendje përmasës shpirtërore të sinodalitetit dhe veprës së Shpirtit Shenjt. Ende jehojnë fjalët e Françeskut në hapjen e Sinodit, më 9 tetor 2021 në Romë: “Sinodi nuk është parlament, …ai nuk është sondazh opinioni; Sinodi është kohë kishtare dhe protagonisti i tij është Shpirti Shenjt”.

Ta dëgjojmë, t’i bindemi dhe t’i lutemi Shpirtit Shenjt

 Pjesëmarrësit e Sinodit, vërejti më tej kardinali Grech, duhet të jenë të sigurt për praninë e Shpirtit Shenjt në mesin e tyre, sepse e kanë marrë atë përmes Sakramenteve të fillimit të jetës së krishterë, por duhet të jenë të vetëdijshëm edhe se Ai duhet dëgjuar. Sinodi nuk është dëgjimi thjeshtë i njëri-tjetrit, por edhe dëgjim i asaj, që Shpirti dëshiron prej nesh. Sinodi nuk është as kërkim kompromisi ndërmjet palëve të ndryshme; në të nuk ka fitimtarë e të humbur, sepse nuk është vullneti i shumicës, që mbizotëron, por ai i Zotit. Është pikërisht Shpirti Shenjt, nënvizoi kardinali Grech, që na bën ta kuptojmë këtë vullnet përmes shoshitjes në bashkësi. Atij duhet t’i bindemi, duke e hapur mendjen për risitë, gjithnjë në shtigjet e Ungjillit. Për këtë, lutja është “kusht i domosdoshëm”, theksoi kardinali, duke kujtuar se në procesin aktual sinodal është vlerësuar lutja e lashtë drejtuar Shpirtit Shenjt, Adsumus - e cila i atribuohet shën Izidorit të Seviljes - përdorur edhe në Koncilin II të Vatikanit. “Sinodi kremtohet në gjunjë”, përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i tij, duke shqiptuar fjalët e para të lutjes: “Jemi këtu para teje, o Shpirt i Shenjtë: jemi mbledhur të gjithë në emrin tënd. Eja në ne, na ndihmo, zbrit në zemrat tona. Na mëso ç’duhet të bëjmë, na trego rrugën për t’u ndjekur nga të gjithë së bashku...”.

18 janar 2023, 12:04