Kërko

Papa kremton më 22 janar të Dielën e katërt kushtuar Fjalës së Zotit

Papa do të kryesojë Meshën në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan për ditën që ai themeloi në vitin 2019. Me këtë rast, Papa do t'u japë shërbesat e lektoratit dhe të katekistit dhjetë besimtarëve, laikë dhe laike, nga vende të ndryshme. Seksioni për çështjet themelore pranë Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzim në botën ka vënë në dispozicion tekste ndihmë liturgjiko-baritore

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku do të kremtojë më 22 janar 2023 të Dielën e katërt kushtuar Fjalës së Zotit, ditë që ai e themeloi më 30 shtator 2019. Motoja e këtij viti është marrë nga Ungjilli i Gjonit: "Jua kumtojmë atë çka pamë" (1 Gjoni 1, 3). Në orën 9.30 të dielën e ardhshme Papa Françesku do të kryesojë kremtimin e Meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe, më pas, për të ringjallur përgjegjësinë që besimtarët kanë në njohjen e Shkrimit të Shenjtë /Biblës, do t'u dhurojë të pranishmëve Ungjillin sipas Mateut. Gjatë kremtimit, do t'u jepen grave dhe burrave laikë shërbesat e Lektoratit dhe të Katekistit, veçanërisht tre persona do të marrin shërbesën e Lektoratit dhe shtatë tjerë do të marrin shërbesën të Katekistit. Janë besimtarë laikë që në një farë mënyre përfaqësojnë mbarë Popullin e Zotit dhe vijnë nga Italia, Kongo, Filipinet, Meksika dhe Uellsi.

Materiale liturgjike baritore për të jetuar Fjalën e Zotit

Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion nga Vatican Media dhe do të transmetohet, në streaming, në portalin Vatican News dhe drejtpërdrejt nga stacionet televizive kryesore në botë. Në Itali, ndër të tjera, nga Rai Uno dhe Tv2000.

Seksioni për çështjet themelore pranë Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin në botën, i ngarkuar nga Papa për promovimin e ngjarjes, ka vënë në dispozicion një material ndihmë liturgjiko-baritore që shërben për të jetuar, medituar e lutur sa më mirë Fjalën e Zotit në komunitete, në familje dhe personalisht. Materiali ndihmë, botuar nga shtëpia botuese Shalom, është i disponueshëm në gjuhë të ndryshme: italisht, anglisht, spanjisht, portugalisht dhe frëngjisht e mund do të shkarkohet nga interneti në faqen www.evangelizatio.va, në formatin dixhital.

Një seri vëllimesh të vogla

Fjala e Hyjit, të dielën e ardhshme më 22 janar, dëshiron të nxjerrë në pah praninë e Zotit në jetën e njerëzve. Ai me të vërtetë ecën me ne dhe është i pranishëm përmes Fjalës së tij hyjnore, siç shpreh edhe logo-ja e së Dielës, frymëzuar nga historia biblike e Dishepujve të Emaus-it, që gjatë udhëtimit tyre, ripërshkojnë me Zotin Shkrimet, duke mësuar dhe duke u ndriçuar nga prania e Jezusit.

Në veçanti, pastaj, për t'u përgatitur për Jubileun 2025, Papa Françesku u ka kërkuar besimtarëve t’i rilexojnë katër Kushtetutat e Koncilit të Dytë Ekumenik të Vatikanit. Për këtë Dikasteri i Vatikanit për Ungjillëzim në botën ka vendosur të përpilojë edhe një seri vëllimesh të vogla të titulluara "Quaderni del Concilio(Fletore të Koncilit), në librari dhe online që më 8 dhjetor 2022. Me rastin e së Dielës kushtuar Fjalës së Zotit, që bie më 22 janar 2023, propozohet rileximi i kushtetutës së Koncilit Dytë Ekumenik të Vatikanit Dei Verbum edhe përmes pesë vëllimeve të para të serisë kushtuar pikërisht këtij dokumenti konciliar.

17 janar 2023, 11:48