Krajewski me një furgon në Ukrainë për të çuar gjeneratorë dhe bluza termike
R. SH. - Vatikan
Qendra e solidaritetit janë hapësirat famullitare të Shën Sofisë, kishës greko-katolike në Romë. Që nga mëngjesi i sotëm, rreth njëzet burra, por edhe seminaristë dhe vullnetarë të tjerë, kryesisht ukrainas, ngarkuan me majë një kamion. Automjeti i madh, me kombësi sllovake, u nis sot për në zonën e Zaporizhzhias, një nga epiqendrat e luftës në Ukrainë, prej muajsh shënjestër e bombardimeve ruse.
Në 48 orë, ndihmat në destinacion
Lajmin e dha kardinali Konrad Krajewski, i cili edhe në ditët para Krishtlindjeve qe nisur me një furgon, për të çuar rreth dyzet gjeneratorë elektrikë dhe një pjesë të madhe të bluzave termike të mbledhura nga Lëmoshtaria Apostolike, përmes një platforme mbështetëse. E fluksi i donacioneve nuk ka të ndalur: mbi 300,000 euro të mbledhura, bënë të mundur rritjen e numrit të gjeneratorëve dhe të veshjeve termike, që do të dërgohen në lindje. Në 48 orë, siguron lëmoshtari i Papës, i gjithë materiali i ri do të jetë në duart e atyre njerëzve, që po mbijetojnë në kushte çnjerëzore, në mes të barbarizmit, rënduar akoma më shumë edhe nga temperaturat polare të kësaj periudhe të akullt dimërore!
Solidaritet mes bashkatdhetarëve
“Është një zinxhir mirësie njerëzish, të cilët i ndihmojnë bashkatdhetarët e tyre, që vuajnë” - tha kardinali duke folur për mediat e Vatikanit. Më 19 dhjetorin e kaluar kardinali mbërriti në Lviv me një furgon të madh - "më i madhi që mund të drejtoja" – pohoi - dhe, pasi shpërndau ndihma në lokalitete të ndryshme të Kievit, u zhvendos në kryeqytet për të çuar një pjesë të ndihmës dhe për të kremtuar aty Krishtlindjen, shoqëruar nga larg, me afërsinë dhe bekimin e Papës Françesku. Një Krishtlindje në kohë lufte, e kremtuar në mes të ngricave dhe dritës së zbehtë për shkak të racioneve të vogla elektrike ndezur nga gjeneratorët. "Unë do të thoja se misioni u krye" tha kardinali Krajewski kur u kthye një javë më vonë. Mision i përsëritur!