Kërko

Për funeralin e Benediktit XVI priten delegacione ekumenike e personalitete nga e gjithë bota

Gjithçka gati për kremtimin e funeralit të Benediktit XVI nesër më 5 janar, kryesuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke filluar nga ora 9.30. Më shumë se 700 ipeshkvij dhe një mijë meshtarë do të bashkremtojnë Meshën e Dritës. Deri tani janë akredituar më shumë se 600 gazetarë. Lutjet për Papën e Nderit dhe të gjitha ritet liturgjike që do t'i paraprijnë dhe pasojnë funeralin, transmetohen drejtpërdrejt në TV në mbarë botën.

R.SH. / Vatikan

Gjithçka gati për kremtimin e funeralit të Benediktit XVI nesër, më 5 janar, të cilin do ta kryesojë Papa Françeskut në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke filluar nga ora 9.30. Më shumë se 700 ipeshkvij dhe një mijë meshtarë do të bashkremtojnë Meshën e Dritës. Deri tani janë akredituar më shumë se 600 gazetarë. Lutjet për Papën e Nderit dhe të gjitha ritet liturgjike që do t'i paraprijnë dhe pasojnë funeralin, transmetohen drejtpërdrejt në TV në mbarë botën.

Sipas vullnetit të vetë Papës së nderit Benediktit XVI, do të jenë të pranishme dy delegacione zyrtare në funeralin që do të drejtohet nga Françesku. Bëhet fjalë për delegacionin nga Gjermania, vendlindja e Joseph Ratzinger dhe nga Italia, atdheu i tij i dytë, siç e ka cilësuar gjithmonë. Kështu, nesër në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të jenë Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella dhe ai i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, me shoqëruesit e tyre përkatës.

Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë nuk konfirmon praninë e krerëve të tjerë të shteteve apo qeverive, por “nëse vjen dikush – tha drejtori Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve – do të jetë në emrin personal”.

Ndërkohë, është njoftuar prezenca e disa krerëve të tjerë të shteteve në funeralin e Benediktit XVI: Presidenti i Polonisë Andrzej Duda, Mbretëresha e Spanjës Sofia, Mbreti Filip e Mbretëresha Mathilde e Belgjikës, Presidenti Portugalisë Marcelo Nuno Duarte Rebelo de Sousa, Presidenti i Hungarisë Katalin Novak etj. Në varrimin e Papës së Nderit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nesër paradite do të ketë edhe delegacione nga fetë e tjera. Do të ketë një delegacion nga komuniteti hebraik i Romës, bëjnë të ditur nga vetë komuniteti. Do të marrin pjesë edhe eksponentë myslimanë. Imam Yahya Pallavicini, president i Coreis, bëri një kërkesë dhe "shpejt - shpjegon ai - mora një mirëseardhje" e shumë delegacione nga komunitetet fetare të botës.

"Liturgjia me të cilën do të kremtohet funerali i Benediktit XVI do të jetë afërsisht e ngjashme me atë të një Pape në drejtimin e Kishës, por e rimodeluar me një tipologji dhe situatë të ndryshme". Kështu deklaroi drejtori i zyrës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, gjatë një takimi me gazetarët ndërkombëtarë në kuadër të funeralit të Papës së Nderit. “Baza e liturgjisë është ajo – shtoi Bruni – me disa elementë origjinalë që i japin ritit origjinalitetin. Elementet që mungojnë janë ato që lidhën me Papën në pushtet, si lutjet e fundit, lutja e dioqezës së Romës dhe e Kishave Lindore, të cilat janë shumë specifike për Papën 'aktiv'".

03 janar 2023, 19:27