Kërko

Predikimi i Kohës së Ardhjes Predikimi i Kohës së Ardhjes 

"Porta e shpresës", predikimi II i Kohës së Ardhjes, në prani të Papës

Pas ardhjes së Jezusit "për besimtarin vdekja nuk është më rrëzim, por fillim lartimi!". Mesazhi revolucionar i shpresës që solli Krishti me mishërimin e tij, ishte sot në qendër të predikimit të dytë të Kohës së Ardhjes, mbajtur në Sallën Pali VI, nga kardinali Raniero Cantalamessa

R. SH. - Vatikan

Predikatari i shtëpisë papnore zgjodhi sivjet për Kohën e Ardhjes, versetin e shkëputur nga Psalmi 24:7 - "Ngrejini porta, ballinat tuaja, hapuni, dyer të lashta, e të hyjë mbreti i lavdisë" – E kjo do të thotë – shpjegoi - “të hapen dyert e virtyteve teologjike: fesë, shpresës, dashurisë”. Në fund të fundit, për të sqaruar - shtoi - "tempulli i Jeruzalemit kishte një derë të quajtur ‘Dera e Bukur’ e edhe ‘tempulli i Zotit, që është zemra jonë, ka gjithashtu një derë ‘të bukur’ d.m.th. derën e shpresës. E kjo është dera të cilën sot do të përpiqemi t'ia hapim Krishtit, që vjen".

Feja dhe jeta e përtejme

Për të realizuar risinë absolute të sjellë nga Krishti përsa i përket shpresës - kujtoi kardinalit kapuçin - është e nevojshme "ta shikojmë zbulesën në sfondin e feve të lashta mbi jetën e përtejme", për të cilën as Besëlidhja e Vjetër nuk kishte përgjigje. Vetëm «nga fundi i saj ka disa deklarata të qarta për jetën pas vdekjes”. Para kësaj kohe - sqaroi Cantalamessa – feja e Izraelit nuk ndryshonte nga ajo e popujve fqinj. Sipas tyre, vdekja i jep fund jetës përgjithmonë; ne të gjithë përfundojmë, të mirë e të këqij, në një lloj 'varri masiv' gjë që nuk ndryshonte as në “besimin sundues të botës greko-romake, bashkëkohore e Besëlidhjes së Re!”.

Mbijetesa është ringjallje, me korp e shpirt

Megjithatë, Izraeli "dallohet nga popujt e tjerë" - shtoi ai - sepse "vazhdoi, pavarësisht nga të gjitha, besonte në mirësinë dhe dashurinë e Zotit të tij". Sigurisht, në disa situata - pranoi predikatari - "njeriu biblik nuk e fshehu hutimin përballë një fati që dukej se nuk bënte dallime "ndërmjet të drejtëve dhe mëkatarëve". Por, nga fundi i Testamendit të Vjetër, krijohet bindja se "mbijetesa është ringjallje – me trup dhe shpirt - nga vdekja. (Dan 12, 2-3; 2 Mac 7, 9)".

Jezusi, siguri e ringjalljes

Por nuk duhet harruar se kjo siguri krijohet kryesisht me Jezusin që, "pasi e shpalli me shëmbëlltyra e fjalë", e realizoi në Vetjen e Tij "duke u ringjallur Ai vetë nga të vdekurit". Në lidhje me këtë, kardinali kapuçin citoi mbretëreshën e Anglisë, Elizabeta II, e cila kërkoi që në ritin e varrimit të saj, të lexohej fraza e famshme e Shën Palit nga Letra drejtuar Korintasve (1 Kor 15, 54-57): "Ku është, o vdekje, thimthi yt?".

Më pas Predikatari vërejti se "kategoritë e nevojshme, që duhet të na tregojnë sesi është jeta e përtejshme me Zotin" mungojnë; ndërsa "disa mistikë kanë mundur ta provojnë ndonjë pikë nga oqeani i pafund i gëzimit, që Zoti  e përgatit për të tijtë".

Reflektim për shpresën e krishterë

Pas kësaj, duke lënë "mënjanë çka do të jetë në jetën e përtejme", Cantalamessa këshilloi të reflektojmë për "të sotmen e jetës sonë", sepse "të reflektosh mbi shpresën e krishterë, do të thotë të reflektosh mbi kuptimin përfundimtar të jetës". Në këtë drejtim kujtoi diçka që është e përbashkët për të gjithë: domethënë "mallin për jetën dhe të jetuarit "mirë". Për Cantalamessën, "të jetosh 'gjithmonë' nuk i kundërvihet të jetuarit 'mirë'. Shpresa e jetës së përjetshme është ajo që e bën jetën aktuale të bukur, ose të paktën të pranueshme. Ne të gjithë kemi pjesën tonë të kryqit në këtë jetë. Por një gjë është të vuash pa e ditur për çfarë qëllimi - e tjetër të vuash duke ditur se "vuajtjet e kohës së tanishme nuk janë të krahasueshme me lumninë që do të vijë" (Rom 8:18)".

Prej këndej, nxitja për të besuar në shpresën teologale, e cila luan "një rol të rëndësishëm si për ungjillëzimin", ashtu edhe për "udhën personale të shenjtërimit".

Krishtlindja, rast për një fërgëllimë shprese

E ja atëhere - përfundoi - që Krishtlindja mund të jetë rast për një fërgëllimë shprese", që e gjejmë edhe në shkollën e dy poetëve të mëdhenj të virtyteve teologale Charles Peguy-s e Dante. Peguy "shkroi se besimi, shpresa dhe dashuria janë tri motra, dy të mëdha e një vogëloshe. Ata ecin rrugës dorë për dore: dy më të mëdhatë, feja dhe dashuria, anash, ndërsa më e  vogla, shpresa, në qendër. Të gjithë, duke i parë, mendojnë se janë dy të mëdhatë që e tërheqin zvarrë të voglën. E sa gabohen! Është ajo që tërheq pas vetes gjithçka! Sepse po të mungojë shpresa, çdo gjë ndalohet – pa shpresë!”.

Cantalamessa citoi, më pas, Dante Alighierin, i cili e përshkruan Virgjërën Mari si "Ajo që, këtu poshtë, mes të vdekshmëve", është "gurrë e gjallë shprese".

09 dhjetor 2022, 15:43