Kërko

Përurimi i Betlehemit dhe i Bredhit të Krishtlindjes, në Sheshin e Shën Pjetrit

Ndriçimi i Shpellës së Betlehemit, që zbulon ngadalë figurat e mëdha, të gdhendura në dru e, më pas, edhe i bredhit të gjatë: shfaqje prekëse, në të cilën dje pasdite, në Sheshin e Shën Pjetrit, nën shi, ishte e pranishme një turmë e vogël njerëzish, ndërsa ceremonia e përurimit u mbajt në Sallën e Palit VI, për shkak të motit të keq. Urimi i Krishtlindjes u jetua nën shenjën e paqes, të vëllazërisë dhe të dëshirës për rilindje, sipas fjalëve të atyre që folën, në një atmosferë gëzimi.

R. SH. - Vatikan

Për shkak të motit të keq, ceremonia e përurimit të Shpellës së Betlehemit dhe ndriçimi i Pemës së Këshndellave, në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit u zhvillua pasditen e djeshme në Sallën Pali VI. Megjithatë, në një çast kthjellimi, pas gjithatij shiu, kur mbi Sheshin po dyndej errësira, një turmë e vogël u mblodh rreth skenës së lindjes së Krishtit, ende pjesërisht të mbuluar dhe bredhit kryelartë për të marrë pjesë në një çast të ngarkuar gjithnjë me emocione të papërsëritshme.

Kardinali Fernando Vérgez Alzaga, president i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, kryesoi ceremoninë në të cilën morën pjesë motra Raffaella Petrini, sekretare e përgjithshme e të njëjtit Guvernatorat, dhe delegacionet nga Sutrio dhe Rosello, dy lokalitetet, njëri në Friuli, tjetri në Abruzzo, prej nga erdhën në Shesh Shpella e Betlehemit dhe bredhi i argjendtë. Dje në mëngjes dhuratat iu paraqiten zyrtarisht Papës Françesku, gjatë audiencës, ku ishte i pranishëm edhe delegacioni i qeverisë së Guatemalës, i cili këtë vit ofroi Betlehemin e vendosur në Sallën Pali VI: simbol i Lindjes së Krishtit, me Familjen Shenjte, me tre engjëj, realizuar nga artizanët, që respektojnë traditën guatemalase, dhe me shtatore druri.

Përurimi, ndërmjet reflektimeve dhe këngëve të Krishtlindjes

Ceremonia u hap me himnin e Vatikanit, luajtur nga Banda e Korpusit të Xhandarmërisë. Më pas, kardinali Vérgez Alzaga nënvizoi. në urimin e tij, se si skena e lindjes së Krishtit, ashtu edhe pema, sivjet vijnë nga dy toka gjeografikisht të largëta, por të ngjashme, të dyja malore, ku bashkësitë mbajnë gjallë kumtin e engjëllit dhe Krishtlindja e ruan hijeshinë dhe kuptimin e saj të thellë. Përshkroi, më pas, Betlehemin dhe disa nga personazhet e tij, duke u ndaluar tek Bredhi dhe zbukurimet, realizuar me shumë mjeshtëri e fantazi nga të rinjtë dhe të moshuarit. “Dashuria zëvendësoftë dhunën” – uroi në përfundim kardinali, duke i ftuar të gjithë ta përhapin kudo lajmin e mirë të lindjes së Zotit.

Përshëndetje nga delegacione të ndryshme

Pastaj erdhi koha për delegacionet. I pari foli Mario Bùcaro Flores, Ministri i Guatemalës për Marrëdhëniet me Jashtë. Ai pohoi se është krenar për mundësinë që u krijua për ta bërë të njohur artin e vendit të tij në botë, përmes Lindjes së Krishtit, dhuratë që i ofrohet Papës Françesku e që flet vetë për  vlerësimin e lirisë fetare dhe të paqes nga Guatemala dhe banorët e saj.

Në emër të Kryeipeshkvit të Udines, Imzot Andrea Bruno Mazzocato, e mori fjalën Don Harry Della Pietra. Ai theksoi rëndësinë e Shpellës së Betlehemit, që na kujton misterin e Mishërimit të Birit të Zotit. Jezusi erdhi mes nesh i vogël – pohoi - duke kujtuar fjalët e Papës Françesku në audiencën e mëngjesit të djeshëm, dhe për të takuar Zotin! Edhe ne gjithashtu duhet të bëhemi të vegjël dhe të jemi gjithnjë pranë njëri-tjetrit. Për Massimo Fedriga, president i rajonit Friuli-Venezia Giulia, skena e dhuruar e lindjes së Krishtit është shenjë e bashkëpunimit të një komuniteti të tërë elastik që vuajti dhe mundi të rilindë shumë herë. Përmendi edhe tërmetin e pandeminë, që goditën fort Friuli-Venezia Giulia-n si dhe stuhinë Viara, që shkatërroi pyjet  katër vjet më parë. Për të krijuar këtë skenë të Lindjes - kujtoi - u mblodhën copëzat e stuhisë: djepi i Lindjes së Krishtit u bë prej një rrënje të shkulur nga toka. Së fundi, kryebashkiaku i Sutrios, Mattia Manlio, u ndalua në traditën e madhe të përpunimit të drurit, që bashkësia e tij mundi të mbajë gjallë, pa humbur pasurinë e përvojës së trashëguar nga brezat e mëparshëm.

Skena e lindjes së Krishtit dhe pema e ndriçuar e Krishtlindjes

I erdhi, më pas, radha delegacionit nga Rosello: ipeshkvi i dioqezës së Triventos, imzot Claudio Palumbo, vuri theksin mbi dy fjalë: rrënjët dhe soditja. E para na kujton lidhjen me tokën, e dyta, përmes soditjes së Grazhdit, flet për qiellin, të dy të bërë një në Jezusin. Dy realitete që fekondojnë njëri-tjetrin dhe flasin për kuptimin e plotë të jetës, për të cilën bota ka kaq shumë nevojë sot. Kryebashkiaku i Rosello-s, Alessio Monaco, nënvizoi aktivitetin për krijimin e dekorimit të pemës së Krishtlindjes, në të cilin morën pjesë fëmijët e një instituti, të ftuarit e moshuar të një shtëpie të moshuarish dhe nxënësit e disa shkollave.  Mundësi e madhe për përfshirje – theksoi - që shpreh ndjenjën e gjallë të bashkësisë,  e cila vijon të  marrë frymë në fshatrat e Abruzzo-s.

Skena e lindjes së Krishtit me shtatore të gdhendura në dru

Veprimtarinë e zhvilluar në Sallën Pali VI, e mbylli motra Raffaella Petrini. Në fjalën e saj ajo kujtoi vlerën që pati Krishtlindja për Shën Françeskun e Asizit dhe për Shën Kjarën, të cilët e konsideronin “Festën e festave”, sepse është dëshmi e dashurisë së Zotit për njerëzimin, ndërsa pema përfaqëson jetën e amshuar, shpresën e Ringjalljes. Motra citoi edhe fjalët që Papa Françesku ua tha shtegtarëve nga Bavaria, që patën dhuruar bredhin në vitin 2013: “Për Krishtlindje rijehon në çdo vend kumti gazmor që u solli engjëlli barinjve të Betlehemit (...) Barinjtë – na kujton Ungjilli -  u mbështollën nga një dritë e madhe. Edhe sot Jezusi vijon ta davarisë errësirën e gabimit dhe të mëkatit, për t'i sjellë njerëzimit gëzimin e dritës verbuese hyjnore, simbol dhe kujtesë e së cilës është Pema e Krishtlindjes.   Le të mbështillemi edhe ne me dritën e Krishtlindjes - përsëriti motra Petrini - dhe të shpresojmë që në këtë kohë të na shoqërojë ndjenja e rilindjes dhe dëshira për vëllazërim.

Shpella prej druri e ardhur nga Sutrio

Njëmbëdhjetë skulptorë druri, artistë që vijnë nga e gjithë zona e Friuli Venezia Giulia, u morën dy vjetët e fundit me gdhendjen e skenës së lindjes së Krishtit, përuruar dje. E vendosur në një sipërfaqe prej 116 metrash katrore, ajo ka 18 shtatore të ndriçuara nga 50 pika drite. Kupola e hemisferës e cila të kujton shpellën, me engjëllin përmbi, arrin një lartësi prej 7 metrash. Është Betlehem i realizuar me dru, pa prerë asnjë pemë për shtatoret e drurit të kedrit dhe strukturën e bërë me 24 metër kub dru larshi. Në shpellë ndodhet Familja e Shenjtë, rreth së cilës ka personazhe në përmasa natyrore. Ndërmjet tyre, marangozi, duke punuar një stol, për nder të të gjithë artizanëve të qytetit Sutrio; një endëse, profesion tipik femëror i Carnia; "Cramar", përfaqësues i një profesioni të lashtë të tregtarit shëtitës dhe një bareshë me dy dele në krah dhe një "gerla", shportë klasike e përdorur nga gratë në mal. Ka edhe dy figura simbolike: njëra ndihmon tjetrën të ngrihet për t'u rikthyer në rrugën drejt shpellës: na kujton solidaritetin që praktikohet sidomos në mjedise si mali. Më në fund nuk mund të mungonin edhe Mbretërit Dijetarë!

Pema e Krishtlindjes nga Abruzzo

Rosello, në provincën e Chieti, prej nga vjen bredhi i argjendtë rreth 30 metra i lartë, është një fshat i vogël malor, në kufi me Moliset. Ka vetëm 182 banorë. Origjina e tij është mesjetare. Duket se lindja e tij i detyrohet murgjërve benediktinë të abacisë së Shën Gjonit në blerim. Ajo strehon bërthamën e bredhit të bardhë të ruajtur më së miri në Itali, duke përfshirë pemën më të lartë: një bredh të bardhë gati 54 metra të gjatë. Dekorimet janë bërë nga djemtë e objektit rezidencial të rehabilitimit psikiatrik "La Quadrifoglio", një vend kujdesi, ku të ftuarit, të integruar mirë në strukturën sociale të Rosello, mund të përfshihen në një proces rehabilitimi të individualizuar, që synon arritjen e autonomisë maksimale në jetën e përditshme.

Një dhuratë për të gjithë deri më 8 janar 2023

Pema dhe Shpella e Betlehemit, në Sheshin e Shën Pjetrit, si dhe Lindja e Krishtit, e ngritur në sallën e Palit VI, do të mund të soditen deri në fund të festave të dimrit, pra deri të diel, 8 janar, festa e Pagëzimit të Zotit. Deri në këtë ditë do të vijojnë t’i ftojnë romakët, turistët dhe shtegtarët e shumtë në Sheshin me Betlehemin dhe Bredhin dhe në audiencat e Papës Françesku.

 

04 dhjetor 2022, 12:22