Kërko

Përfundon viti kushtuar Giovanni Battista de Rossi-t

Përfundon viti i kremtimeve kushtuar atit të arkeologjisë së krishterë, Giovanni Battista de Rossi. Të hënën, më 12 dhjetor, në Sallën e madhe të Institutit Papnor të Arkeologjisë (PIAC) do të paraqiten Aktet e Konferencës, që synojnë ta ndriçojnë dhe ta thellojnë më tej figurën e studiuesit të shquar

R.SH. - Vatikan

Kremtimet kushtuar dyqindvjetorit të lindjes së atit të arkeologjisë së krishterë, Giovanni Battista de Rossi, do të përfundojnë të hënën, më 12 dhjetor, në orën 17.20, në Aula magna të Institutit Papnor të Arkeologjisë së Krishterë (Rruga Napoleone III, 1 ).

Me këtë rast, Instituti Papnor i Arkeologjisë së Krishterë dhe Komisioni Papnor për Arkeologjinë Kishtare do të paraqesin punimet e Konferencës me temë: “Shekulli i Giovanni Battista De Rossi-t (1822-1894). Kultura arkeologjike nga Italia - në Evropë”.

Pas përshëndetjeve institucionale, mbajtur nga Imzot Stefan Heid, Rektor i Institutit Papnor të Arkeologjisë së Krishterë dhe atyre të Imzot Pasquale Iacobone, i  sapoemëruar nga Ati i Shenjtë kryetar i Komisionit Papnor për Arkeologjinë Kishtare, do të ndiqen fjalimet e profesor Agostino Giovagnoli-it, i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit dhe të Profesor Domenico Palombi-t, i Universitetit të Romës La Sapienza.

Mbyllet kështu, një vit plot me ngjarje, përuruar më 23 shkurtin e kaluar pranë Tricora-s lindore të Shën Kalistit, në rrugën Appia Antica, vijuar në ditët pas Konferencës, plot ndërhyrje shkencore, vizita të udhëhequra e, më pas, me konferenca të shumta zhvilluar në vendet më të dashura dhe emblematike të Giovanni Battista de Rossi-t, në Romë.

11 dhjetor 2022, 09:56