Kërko

BENEDETTO XVI BENEDETTO XVI

Ngushëllime nga mbarë bota për vdekjen e Benediktit XVI

Mesazhe të shumta afërsie dhe dhimbjeje për ndarjen nga jeta të Papës së Nderit arrijnë në këto orë në Vatikan. Prekës, kujtimi i Konferencave Ipeshkvnore dhe i shumë prijësve politikë, që e njohën. Zija për vdekjen e Benediktit XVI ndjehet në gjithë botën

R.SH. / Vatikan

Në një kohë përçarjesh dhe konfliktesh, bota bashkohet në kujtimin e Papës Benedikti XVI, i cili u nda nga jeta sot në mëngjes, në Manastirin vatikanas Mater Ecclesiae. Lajmi është në faqen e parë të gazetave kryesore ndërkombëtare dhe agjencive të shtypit, që nxjerrin në pah vlerën e tij të pallogaritshme intelektuale dhe çastin e dorëheqjes nga froni papnor.

Afërsia e kishave evropiane dhe gjermane

Konferencat kryesore Ipeshkvnore të botës dërgojnë mesazhe ngushëllimi. Presidenti i Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës, Imzot Gintaras Grušas, kujton "magjisterin evropian të Benediktit XVI gjatë papnisë së tij, duke theksuar rëndësinë e rrënjëve të krishtera të Evropës" me "kthimin e domosdoshëm tek Krishti dhe tek ungjillizimi, për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë”.

“Benedikti XVI kishte marrëdhënie të veçantë me kishën katolike në Gjermani: këtu lindi, këtu studioi teologji, këtu ishte aktiv si prift dhe si kryeipeshkëv i Munihut dhe Freising-ës, këtu ishte gjithashtu anëtar i Konferencës Ipeshkvnore gjermane” – këto fjalë i lexojmë në një mesazh të ipeshkvijve gjermanë. "Për Kishën Katolike, vdekja e Benediktit XVI është humbje e madhe. Papnia e tij dhe veprimtaria e tij e gjatë ipeshkvnore - përfundojnë ata - do të mbeten kujtim i gjallë".

Mesazhi i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI)

Ngushëllime të thella shprehen nga Konferenca e Ipeshkvijve Italianë. “Në këto orë – shkruhet në një mesazh – ndjehet në zemrën e secilit prej nesh ftesa e tij për t’u gëzuar se jemi  të krishterë, se Zoti na do dhe pret që edhe ne ta duam atë”. "Jeta e tij, e bazuar në dashuri, ishte pasqyrim i marrëdhënies me Zotin dhe, në orët e fundit të jetës, e bëri të dukshme këtë marrëdhënie me Zotin, në heshtje. Falënderojmë Zotin për dhuratën e jetës dhe të shërbimit të tij ndaj Kishës: dëshmi shembullore e kërkimit të pandërprerë të fytyrës së Zotit (Ps 27:8), të cilin ai sot mund ta kundrojë më në fund ballë për ballë (1 Kor 13:12)". “Ftojmë bashkësitë vendase –përfundon mesazhi - të mblidhen në lutje dhe të kremtojnë Meshën  për shpirtin e Papës së Nderit, Benediktit XVI”.

Kryeipeshkvi Timothy Costelloe, kryetar i Konferencës ipeshkvnore katolike australiane, kujton në mënyrë të veçantë dashurinë e të rinjve nga e gjithë bota, që ishin për Ditën Botërore të Rinisë në Sidnej në 2008. "Papnia e tij do të mbahet mend si kohë plot mësime, ndërmjet  të cilave, enciklikat e tij mbi dashurinë, shpresën dhe të vërtetën, si dhe serinë e librave mbi Jezusin e Nazaretit. E nuk do të harrohen kurrë edhe reformat e rëndësishme në fusha të tilla si liturgjia dhe trajtimi i abuzimit seksual të fëmijëve". “E gjithë jeta e Joseph Ratzinger, Benediktit XVI, është për të gjithë ne dëshmi e një besimi personal shumë të fortë; mësimi dhe mençuria e tij orientuan breza të tërë”: kështu shkruan Konferenca e Ipeshkvijve hungarezë në një mesazh. ACLI (Shoqatat e krishtera të punëtorëve italianë) bashkohet me ngushëllimet dhe lutjet e gjithë Kishës universale për vdekjen e Benediktit XVI, Burrit  "të udhëhequr nga një pasion shumë i fortë për të vërtetën, të cilën ai e kuptoi si shprehje të dashurisë së Zotit për njerëzit në Jezu Krishtin".

Welby: "bashkohem në zi"

"Krishti ishte rrënja e mendimit të tij dhe baza e lutjes së tij": këtë nënvizon Justin Welby, kryeipeshkëvb i Canterbury, i cili kujton edhe se “mban zi" për humbjen e Papës së Nderit. "Papa Benedikti - shton Primati i Kishës Anglikane - ishte një nga teologët më të mëdhenj të kohës së tij, i kushtuar besimit të Kishës dhe i vendosur në mbrojtjen e saj. Në çdo gjë, edhe në shkrimet e tij, edhe në predikimin e tij, ai shikonte Jezu Krishtin, shembëllim i Zotit të padukshëm". Por ishte viti 2013 kur “Papa Benedikti ndërmori hapin e guximshëm dhe të përulur për t'u larguar nga papnia, Papa i parë që e bëri këtë, që nga shekulli i 15-të”. "Duke e zgjedhur lirisht këtë rrugë - shkruan Welby - njohu ligështinë njerëzore, që na prek të gjithëve". "Pushoftë tani në paqen e Krishtit dhe u ngjalltë në lavdi, me të gjithë shenjtorët."

Kirill: Benedikti XVI, teolog i shquar

Patriku Ortodoks i Moskës, Kirill, në një mesazh ngushëllimi, nënvizon rëndësinë e kontributit të Benediktit XVI në dhënien e dëshmisë së Krishtit në një botë të laicizuar dhe në mbrojtjen e vlerave morale tradicionale. “Duke pasur rastin të takohem personalisht me Papën e ndjerë disa herë, munda të jem dëshmitar - lexojmë – i dashurisë së tij të thellë për krishterimin lindor dhe, në veçanti, i respektit të tij të sinqertë për traditën e ortodoksisë ruse”. "Gjatë papnisë së Benediktit XVI, marrëdhëniet ndërmjet Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Katolike Romake - përfundon Kirill - u zhvilluan ndjeshëm në frymën e bashkëpunimit vëllazëror, me dëshirën për bashkëveprim në rrugën e kapërcimit të trashëgimisë, ndonjëherë të dhimbshme, të së kaluarës. "..

Afërsi shpreh edhe Bashkimi Budist Italian i cili merr pjesë në zinë e Kishës Katolike italiane dhe universale për ndarjen nga Papa Benedikti XVI. "E kujtojmë - nënvizohet në mesazh - si njeri me mendime dhe kërkime të thella teologjike, me shumë vëmendje ndaj dialogut ndërfetar. Figura si studiues i shkëlqyer, shoqërohej me butësinë e tij. Dorëheqja ishte një gjest që preku mbarë botën e, sidomos, bashkësinë e besimtarëve të çdo besimi”.

Nga Vatikani, Akademia Papnore për Jetën e kujton Benediktin XVI si "një nga personalitetet teologjike më autoritare të shekullit të njëzetë", duke theksuar shërbimin e tij "në vreshtin e Zotit" dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm "për ta bërë fenë të kuptueshme dhe të besueshme për ‘njeriun modern’”.

Mesazhe politike

Bota e politikës ia beson Twitterit kujtimin e Papës së Nderit: “Evropa e vajton, pushoftë në paqe”: kështu kryetarja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola e shpreh pikëllimin për vdekjen e Benediktit XVI, duke kujtuar fjalët e tij: “Mos kini frikë nga bota, as nga e ardhmja, as nga ligështia juaj".

Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz merr pjesë në këtë mort, nga Gjermania e tij: bota - shkruan - humbet "një figurë të jashtëzakonshme" të kishës katolike.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, shpreh pikëllimin e thellë, duke e quajtur Papën e Nderit "teolog i madh".

"Mendimet e mia shkojnë te katolikët në Francë dhe në botë, të pikëlluar nga vdekja e Shenjtërisë së Tij Benediktit XVI. Ai punoi me mendje e me zemër për një botë më vëllazërore". Kështu në Twitter presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ngushëllimet e Italisë

Nga Italia, Presidenti i Republikës Sergio Mattarella flet për zi në të gjithë kombin. "Nga butësia dhe mençuria e tij përfitoi shumë bashkësia jonë dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Ai vazhdoi t'i shërbejë me përkushtim çështjes së Kishës së tij në rolin e paparë të Papës së Nderit, me përvujtëri e qetësi. Figura e tij mbetet e paharrueshme për popullin italian".

Kryeministria Giorgia Meloni e quan Benediktin XVI "njeri i dashuruar me Zotin, që do të vazhdojë t'u flasë zemrave dhe mendjeve të njerëzve me thellësinë shpirtërore, kulturore dhe intelektuale të Magjisterit të tij".

“Figurë e madhe në histori - që historia nuk do ta harrojë kurrë". Senatori i përjetshëm, Giorgio Napolitano, e kujtoi kështu Papën e ndjerë në një mesazh drejtuar Papës Françesku. "Kujtimet, vlerësimi dhe miqësia respektuese më lidhën me Shenjtërinë e Tij, Benediktin XVI, veçanërisht në vitet e kaluara si President i Republikës Italiane. Edhe pse vija nga përvoja të largëta dhe të ndryshme intelektuale e njerëzore - rikujton Napolitano - munda të ndaj ankthet dhe synimet me Papën dhe të reflektoj me të për të ardhmen e Italisë dhe Evropës".

"Teolog i madh" për kryebashkiakun e Romës, Roberto Gualtieri, i cili nënvizon se magjisteri i tij e shoqëroi Kishën bashkëkohore. Kryeqyteti - lexojmë në twitter – bashkon dhimbjen e vet me atë të besimtarëve nga e gjithë bota.

31 dhjetor 2022, 16:42