Kërko

100 Betleheme 100 Betleheme 

Në Vatikan, ekspozita e 100 Shpellave të Betlehemit

U hap dje, në Romë, nën Kolonadën e Berninit, Ekspozita e pestë ndërkombëtare, e organizuar nga Dikasteri për Ungjillëzimin. Imzot Rino Fisichella: djepi është vepër e madhe ungjillëzimi

R. SH. - Vatikan

Admiruesit e Shpellës së Betlehemit, e janë shumë, mund të sodisin, si çdo vit, ekspozitën ndërkombëtare “100 Shpella Betlehemi” në Vatikan”, ku mund të admirohen vepra të krijuara prej artistësh nga e gjithë bota. Ekspozita, e organizuar nga "Dikasteri për Ungjillëzimin", që u hap dje, më 8 dhjetor, në orën 16.00, nën kolonadën e majtë të Sheshit të Shën Pjetrit, mund të vizitohet deri më 8 janar 2023 çdo ditë, nga ora 10.00 deri në orën 19.00. Hyrja është falas. Këtë vit u ekspozuan 120 skena të lindjes së Krishtit, ardhur nga vende të ndryshme evropiane, duke përfshirë Ukrainën, Hungarinë dhe Slloveninë. Shpellat janë bërë me materiale shumë të ndryshme, si gazetë, pëlhurë, tapë, dru, qeramikë dhe terrakotë. Në pjesën më të madhe artistët e Shpellave pasqyrojnë sfidat dhe krizat e botës bashkëkohore, që prekën më shumë ndjenjat dhe fantazinë e “artistëve të shpellave”. Ndaj në këtë “botë Betlehemesh” mund ta sodisim Krishtin të lindur edhe në zonat e luftës, si Ukraina, fryt i fantazisë së nurgeshës-artiste Teodosia Polotnik, nga ekzarkati i Donjeckut. Në këtë Shpellë tejet prekëse, Krishti vjen mes nesh në bodrumin e një strukture, që të kujton fabrikën metalurgjike të Azovstal ', në Mariupol. Këtë vit, ekspozita paraqet gjithashtu vepra, që kanë në qendër të vëmendjes urgjencën klimatike, tragjedinë e migrimit në Mesdhe, dëmet e drogës, si shtëpia e shërimit për fëmijët e droguar, krijuar nga Fondacioni Romak Villa Maraini Onlus,

 Vepër e madhe ungjillëzimi

  “Njëqind Betleheme në Vatikan” është traditë, që përsëritet çdo vit, e çdo vit vërehet interes në rritje! Kryeipeshkvi Rino Fisichella, delegat i Papës për organizimin e Jubileut 2025, nënvizon se vitin e kaluar u regjistruan mbi 190,000 vizitorë. Ndërmjet tyre, spikasin më shumë familjet dhe fëmijët. Me kalimin e viteve, kjo ngjarje krejt e veçantë, e shumë interesante, që prek e ngushëllon shumë shpirtëra, vijon të pasurohet, sepse Krishtlindjet dhe djepi "u flasin, mbi të gjitha, zemrave të njerëzve".

Mendimi i Imzot Rino Fisichellës

Imzot Fisichella, duke pasur parasysh fjalët e shkruara nga Papa në Letrën apostolike Admirabile signum, kujton se Shpella mund të vendoset në një mori mënyrash. Kjo ka pak rëndësi! Mund të jetë gjithmonë e njëjtë, ose të ndryshojë çdo vit; ajo që ka rëndësi - shkruhet në Letrën apostolike nënshkruar në vitin 2019, në Greccio, nga Papa Françesku – është se i flet jetës sonë”. Mesazhi  - shpjegon imzot Rino Fisichella - është pikërisht ky: “Si i flasin Krishtlindjet jetës sonë”. Në këtë Ekspozitë të pestë - shton kryeipeshkvi - ekspozita hapet me një skenë të lindjes së Krishtit, që i kushtohet Ukrainës dhe mbyllet me një Shpellë Betlehemi krijuar në këtë zonë të tronditur nga lufta. Së fundi – nënvizon akoma imzot Fisichella – nuk duhet harruar se skena e lindjes së Krishtit është "vepër e madhe ungjillëzimi", që i përgjigjet dëshirës për të mësuar më shumë për fenë tonë. Të magjeps Lindja e Krishtit "të ngjall habi, por edhe dëshirën për ta vënë jetën tënde në shërbim të të tjerëve. Nga grazhdi i vrazhdë, tek kryqi, mbi të cilin flijohet Zoti ynë e tek Ringjallja!”.

09 dhjetor 2022, 11:20