Kërko

2022.11.17 Messa 30° anniversario relazioni Santa Sede - Ucraina 2022.11.17 Messa 30° anniversario relazioni Santa Sede - Ucraina 

Kardinali Parolin: paqja rindërtohet duke respektuar popujt e tjerë dhe dinjitetin e tyre

Fjalimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Forumin e pestë të OJQ-ve të frymëzuara nga katolikët: "Lufta në Ukrainë të mos e shkëpusë vëmendjen tonë nga kujdesi për më të varfërit".

R. V. - Vatikan

“Sot thirrja për paqe është veçanërisht urgjente”. Siç na kujtoi Papa Françesku në udhëtimin e tij të fundit në Mbretërinë e Bahreinit, "ne po shohim me shqetësim rritjen, në shkallë të gjerë, të indiferencës dhe të dyshimit të ndërsjellë, zgjerimin e rivaliteteve dhe të kundërshtimeve". Ne kemi nevojë për "vullnet të fortë, për të respektuar njerëzit e tjerë e popujt e tjerë, dinjitetin e tyre, praktikën e zellshme të vëllazërisë njerëzore". Këto janë disa pjesë nga fjalimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në Forumin V të OJQ-ve të frymëzuara nga katolikët. "Në muajt e fundit - nënvizoi kardinali - ishim dëshmitarë të rrezikut në rritje të konfliktit aktual në zemër të Evropës, për të mos përmendur të gjitha konfliktet që po zhvillohen aktualisht në shumë vende. Konflikte, që arrijnë deri në atë pikë, sa mund të flasim për  luftë botërore, të cilën Papa tani e përkufizon kështu, dhe jo më 'pjesë-pjesë', e si rezultat i së cilës shumë vende, edhe ato që nuk janë të përfshira drejtpërdrejt, vuajnë pasoja të tmerrshme”.

Lufta nuk duhet ta largojë vëmendjen nga kujdesi për më të varfërit

Solidariteti nuk është vetëm vlerë e dëshirueshme: “është edhe synim si dhe pjesë themelore e mbrojtjes së shtëpisë së përbashkët”. "Lufta në Ukrainë - vëren Kardinali Parolin - nuk duhet ta largojë vëmendjen tonë nga kujdesi për më të varfërit, nga mbrojtja e atyre që nuk kanë zë (foshnjat në barkun e nënës, të moshuarit, emigrantët, etj.), nga mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut". Një shembull shihet në Evropë, ku "flitet shumë për shërbimin e së mirës së përbashkët e për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por më pas përçahemi, kur kujtohet vlera e mikpritjes dhe si duhet ta përballojmë nga kjo pikëpamje sfidën e emigracionit”. Është një çështje e cila "ka nevojë për rrugë strategjike dhe organizim global, që të mund t’u sigurojmë, nga njëra anë, pritje humane migrantëve dhe, nga ana tjetër, të mund të sigurojmë një përpjekje solidariteti sa më të përbashkët".

Të radhitemi gjithnjë në favor të Ungjillit

Kardinali Parolin nënvizon se Selia e Shenjtë “dëshiron të mbajë gjithnjë qëndrim përkrah më të ligshtëve, më nevojtarëve, e vetëdijshme se forca dhe prestigji i saj përballë të fuqishëmve të botës është ajo e promovimit dhe e kujdesit për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut”. Në këtë kuptim, në sferat shumëpalëshe, Selia e Shenjtë “vazhdon misionin, që Jezusi ia besoi Kishës së Tij, atë të mbrojtjes të të fundmëve, të pambrojturve, atë të  mbartësve të Lumturive, të pasqyruar konkretisht në veprimtarinë e përditshmne, si p.sh. të lehtësimit të marrëdhënieve ndërmjet brezave në shoqëri dhe brenda bërthamës familjare”. Sekretari i Shtetit i Vatikanit, duke kujtuar OJQ-të e frymëzuara nga katolikët, vë në dukje edhe një rrezik: atë të ndjekjes së "rrymës më të favorshme, të politikës botërore të më të fortëve, apo të ideologjive të ndryshme, që po përhapen me shpejtësi". “Po ne - thekson - duhet të radhitemi gjithnjë në favor të Ungjillit!”.

02 dhjetor 2022, 16:28