Në mbledhjen e Këshillit të Kardinajve çështjet e Cop27 dhe Komisioni për Mbrojtjen e të Miturve
R.SH. - Vatikan
Më 5 dhe 6 dhjetor në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, u mbajt një takim i Këshillit të Kardinajve. Të pranishëm, hirësitë e tyre, kardinajtë Pietro Parolin, Giuseppe Bertello, Óscar A. Rodríguez Maradiaga, S.D.B., Reinhard Marx, Seán Patrick O'Malley, O.F.M. Cap., Oswald Gracias dhe Fridolin Ambongo Besungu, O.F.M. Kap., dhe Sekretari i Këshillit, H.E. Kryepeshkopi Marco Mellino. Papa Françesku mori pjesë në punime gjatë të dyja ditët.
Më 5 dhjetor, Këshilli mori pjesë në Kremtimin Eukaristik, në Bazilikë, në meshën për shpirtin e kardinalit ganez Richard Kuuia Baawobr, M. Afr, që ndërroi jetë këto ditë. Së pari, Papa, dhe kardinajtë u ndaluan tek puna e COP27 në Egjipt, paraqitur nga relacionet e kardinajve Parolin dhe Ambongo Besungu.
Të martën më 6 dhjetor, së bashku me Papën, kardinajtë reflektuan mbi fazën kontinentale të Sinodit në vazhdim, me temën "Për një kishë sinodale: bashkësia, pjesëmarrja dhe misioni", mbi bazën e raportit të kardinalit Mario Grech si dhe mbi frytet e procesit sinodal dixhital, përpunuar në bashkëpunim me Dikasterin për Komunikim.
Në përfundim, Kardinali O'Malley paraqiti përpjekjet e fundit të Komisionit për Mbrojtjen e të Miturve në shërbim të Konferencave të Ipeshkvijve dhe Kuries Romake dhe, pasdite, Kardinali Gracias foli për Konferencat Ipeshkvnore të Federatës së Ipeshkvijve aziatikë, mbajtur në Bangkok, tetorin e kaluar.
Takimi ishte mundësi për një përditësim të ndërsjellë mbi disa çështje aktuale në fusha të ndryshme gjeografike dhe për një vlerësim të përgjithshëm të progresit të Këshillit vitet e fundit. Mbledhja përfundoi mbrëmë, në orën 19.00. Takimi i ardhshëm do të mbahet në prill 2023.