Kërko

Kardinali Luis Antonio Tagle Kardinali Luis Antonio Tagle

Tagle: Dekreti i Papës, proces përvujtërie dhe shoshitjeje për Karitasin

Kardinali, deri tani president i organizmit kishtar, e lexoi Dekretin e Papës në asamblenë e përgjithshme në Romë: “Është fryt i një studimi të kujdesshëm dhe të pavarur. Asnjë çështje abuzimi apo administrimi të keq financiar”. Czerny: "Shprehje e afërsisë së Papës, jo vetëm ndaj të varfërve, por edhe ndaj atyre, që kanë detyrën e rëndësishme të bamirësisë". Komisari Pinelli: "Një pikë kontrolli për të përmirësuar gjithçka të mirë, që është bërë deri tani”

R.SH. – Vatikan

 Rezultati i "një studimi të kujdesshëm dhe të pavarur", i cili nuk ka të bëjë me rastet e abuzimit seksual, ose me ndonjë administrim të keq të financave, por synon të jetë "thirrje për të ecur në përvujtëri me Zotin", duke shoshitur çdo hap. Me këto fjalë, kardinali Luis Antonio Tagle, deri tani kreu i Caritas Internationalis, paraqiti Dekretin e Papës për organizmin kishtar, në asamblenë e përgjithshme, mbajtur dje e sot në Romë. Kardinali paraqiti gjithashtu edhe komisarin e ri Pier Francesco Pinelli, i cili deri tani ka qenë këshilltar për shumë sektorë të Karitasit, si edhe Maria Amparo Alonso Escobar, e cila do ta ndihmojë në këtë rol.

Leximi i Dekretit

“Ky lajm – u tha kardinali Tagle pjesëmarrësve në asamble – mund të shqetësojë e të krijojë konfuzion në disa prej jush. Por duhet të jeni të sigurt se ky vendim i Atit të Shenjtë erdhi pas një studimi të kujdesshëm dhe të pavarur në ambientin e punës së Sekretarisë dhe të administrimit”. “Dua t’ju siguroj se nuk bëhet fjalë, nuk bëhet fjalë, nuk bëhet fjalë – përsëriti tri herë prelati – për shpërdorime, ose për abuzime seksuale. Edhe një herë, s’është fjala për keqpërdorimin e financave. Nuk është kjo. Dekreti e tregon qartë qëllimin e vet”. Kardinali Tagle nënvizoi se “kjo është thirrje për të ecur në përvujtëri me Zotin, në një proces shoshitjeje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt”. Kardinali Tagle përmendi sfidat në rritje të Karitasit në gjithë botën, ndërsa kujdeset për të varfërit dhe të braktisurit. Prandaj, nënvizoi ai, “Dekreti parashikon që Sekretaria të përgatitet për t’ju ndihmuar ju anëtarëve të veproni në mënyrë koherente me praktikat më të mira dhe me vlerat e Ungjillit”.

Administrim, në lartësinë e misionit

 Nga ana e tij, prefekti i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Michael Czerny, nënvizoi se vendimi i Atit të Shenjtë synon përmirësimin e administrimit të Karitasit ndërkombëtar, pasi u vu re një vëmendje e pamjaftueshme për kujdesin ndaj njerëzve. “Karitasi Ndërkombëtar – theksoi është pika lidhëse ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe të gjitha Karitaseve, që e çojnë bamirësinë e Papës aty ku është e nevojshme. Prandaj, administrimi i tij duhet të jetë në lartësinë e misionit: përhapjes së bamirësisë dhe të drejtësisë në botë, në dritën e Ungjillit dhe të mësimeve të Kishës Katolike”. Sipas komisarit të ri, Pinelli, që e falënderoi Papën për besimin, dekreti papnor kërkon përmirësimin e punës së Caritas Internationalis, me kontributin e të gjithëve, duke vijuar gjithçka të mirë është bërë deri tani.

23 nëntor 2022, 12:31