Të krishterë të persekutuar, nis Red Week e ‘Ndihmë Kishës që Vuan’ për të mos harruar
R. SH. - Vatikan
Një dritë të kuqe projektuar mbi Kisha, monumente dhe ndërtesa në të gjithë botën, nga Franca në Kanada, nga Brazili në Indonezi: edicioni i ri i Red Week (Javës së Kuqe) që filloi më 16 nëntor zhvillohet në këtë mënyrë - simbolike, por me një ndikim të fortë emocional dhe do të përfundojë më 23 nëntor. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e derdhur nga të krishterët e persekutuar dhe i shërben Fondacionit Papnor ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ (ACS), e cila organizon këtë ngjarje prej disa vitesh, për t'u kujtuar qeverive, institucioneve dhe qytetarëve të thjeshtë se liria fetare ende po shkelet në tepër shumë kombe.
Vuajtja e komuniteteve të krishtera
“E gjithë kjo është një përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj vuajtjeve të shumta që po përjetojnë sot shumë komunitete të krishtera në mbarë planetin”, tha Alessandro Monteduro, drejtor i Fondacionit Papnor ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ (ACS) në Itali. "Kjo është mënyra për t'i thënë botës se ne nuk mund të rrimë duarkryq duke shikuar kaq shumë njerëz të pafajshëm që vdesin, kaq shumë martirë", shton Monteduro në mikrofonin e Vatican News.
Me rastin e Javës së Kuqe prezantohet edhe një raport mbi persekutimin e të krishterëve në mbarë botën. Çfarë del nga këto të dhëna të reja?
Ajo që tashmë është përshkruar në raportet e mëparshme është konsoliduar. Në Afrikë, shtetet e Sahelit si Çadi, Burkina Faso, Mali, Nigeri, Kameruni dhe Nigeria veriore janë nën kontrollin e plotë të terrorizmit xhihadist. Në këtë kuadër, bashkësitë e krishtera së bashku me bashkësitë e tjera fetare, duke përfshirë edhe ato myslimane që nuk e pranojnë ideologjinë politiko-fetare të xhihadizmit, vuajnë shumë. E njëjta gjë vlen e mund të shtrihet edhe në zona të tjera të planetit: Afganistan, Burma, Pakistan, Indi, për t’i përmendur vetëm disa shembuj.
Dhe e gjithë kjo ndodh dhe çdo gjë bëhet në indiferencën më të plotë?
Po, dhe është një gabim sepse, herët a vonë, Perëndimi do të duhet të merret me gjithçka që po ndodh në ato zona të botës. Ngjarjet e të krishterëve të përdhunuar dhe të vrarë nuk gjejnë as një rrëfim a përshkrim adekuat.
Pse ka mungesë të konsiderueshme të një mos interesimi të tillë?
Ndoshta për shkak se marrja me lirinë fetare është e ndërlikuar, preferohet të futet koka në rërë, preferohet të mos analizohen në thellësi këto fenomene: ndoshta kategoritë tona mendore nuk janë gati ta pranojnë këtë realitet. Megjithatë, nëse studiuesit, nëse intelektualët dhe politikanët vazhdojnë të mos merren me të, atëherë rreziku më serioz dhe i rëndë do të jetë ai i dërgimit të reagimit ndaj këtij fenomeni në zonat e viseve të mëdha të popullsisë, duke i përfshirë ato perëndimore.
Po, sipas jush, të krishterët pse persekutohen?
Ndërmjet shumë arsyeve, ka një që meriton një konsideratë në mënyrë më adekuate: të krishterët shpesh persekutohen sepse perceptohen si të afërt me Perëndimin. Për shembull: kur në Sri Lanka, gjatë të dielës së Pashkëve të vitit 2019, pati tre sulme në tre Kisha të ndryshme, në të njëjtën kohë pati tre sulme të tjera në tre hotele ku vdiqën kryesisht evropianë. Ja, nga njëra anë sulmoheshin perëndimorët, dhe nga ana tjetër të krishterët, perëndimorët dhe të krishterët konsiderohen si një entitet i vetëm.