Kërko

Sinodi, katër video për të treguar kontributin e njerëzve me aftësi të kufizuara

Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit paraqitën serinë e videove #KishaËshtëShtëpiaJonë (#TheChurchIsOurHome), që do të publikohet duke filluar nga data 6 dhjetor, për të treguar idetë, kërkesat dhe propozimet e dala në një seancë e veçantë dëgjimi

R.SH. – Vatikan

         “Duhet të kemi guximin për t'u dhënë zë të diskriminuarve, për shkak të paaftësisë së tyre fizike”. Me rastin e Sinodit mbi sinodalitetin, Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit deshën t'i përgjigjen kësaj ftese, drejtuar katolikëve nga Papa Françesku në enciklikën “Fratelli tutti”, duke përfshirë disa dhjetëra njerëz me aftësi të kufizuara, nga pesë kontinentet, në një seancë të posaçme dëgjimi.

#TheChurchIsOurHome

         Një përmbledhje e seancës dëgjimore dhe takimi me Papën tregohen tani në një seri prej katër videosh me titull #KishaËshtëShtëpiaJonë (#TheChurchIsOurHome). Një paraqitje e shkurtër e këtyre videove mund të shihet që sot mediat shoqërore dhe në kanalet YouTube të Vatican Neës, të Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit. Videoja e parë e serisë, me titull "Bashkëpërgjegjësi", do të publikohet më 6 dhjetor, me rastin e një takimi të përgjegjësve të baritorisë për njerëzit me aftësi të kufizuara të disa konferencave ipeshkvnore. Videoja është realizuar nga Poti Pictures, divizion kinematografik i Kooperativës Shoqërore “Çenakulli” dhe kompania e parë e prodhimit të filmave shoqërorë në botë, që realizon reklama, filma të shkurtër dhe filma artistikë me aktorë me aftësi të kufizuara intelektuale. Më pas do të vijojnë tre të tjerat: “Çohu dhe ec!”, më 15 dhjetor 2022; “Magjisteri i brishtësisë”, më 12 janar 2023; dhe "Një proces i mrekullueshëm", më 26 janar 2023.

Pyetje dhe pergjigje

Falë kësaj nisme, pjesëmarrësit në seancën dëgjimore, duke iu përgjigjur pyetjeve “Çfarë po kërkon Shpirti Shenjt nga Kisha? Çfarë rrugësh hapen për Kishën dhe për besimtarët me aftësi të kufizuara?”, ofruan fytyrat, zërat dhe sidomos kontributin e tyre të veçantë në reflektimin për Sinodin, duke kontribuar kështu, në realizimin e katër filmave.

“Kultura e mënjanimit të njerëzve me aftësi të kufizuara”

Dokumenti i punës për fazën kontinentale të Sinodit vë në dukje shpesh "mungesën e strukturave dhe të metodave të përshtatshme për t’i shoqëruar njerëzit me aftësi të kufizuara" dhe bën thirrje për të gjetur "mënyra të reja që marrin parasysh kontributin e tyre dhe u promovojnë pjesëmarrjen". Fatkeqësisht, “pavarësisht nga mësimet e saj, Kisha ka rrezik të imitojë mënyrën me të cilën shoqëria i lë ata mënjanë", vërehet në notën e Dikasterit. "Format e diskriminimit si mungesa e dëgjimit, shkelja e së drejtës për të zgjedhur ku dhe me kë të jetojnë, mohimi i sakramenteve, akuzat për magji, abuzimet etj. – vijon teksti - përshkruajnë kulturën e mënjanimit të njerëzve me aftësi të kufizuara. Ajo nuk lind rastësisht, por ka në bazë idenë se jeta e këtyre njerëzve vlen më pak se ajo e të tjerëve”. Kisha mund të jetë vërtet sinodale, nëse dëgjon zërin e të gjithëve, pa përjashtuar askënd, përfundon nota.

29 nëntor 2022, 16:08