Kërko

Pema e Krishtlindjes në Vatikan Pema e Krishtlindjes në Vatikan

Nga Abruzzo, mbërriti në Shën Pjetër, Bredhi i Krishtlindjes

Bredhi prej 26 metrash u dhurua nga fshati Rosello e, edhe dekorimet janë bërë në Abruzzo. Përurimi i pemës dhe i betlehemit, realizuar në Friuli, do të bëhet pasditen e së shtunës, 3 dhjetor. Paraditen e asaj dite, delegacionet nga Abruzzo dhe Friuli, së bashku me atë nga Guatemala, që ofron betlehemin për Sallën Pali VI në Vatikan, do të priten nga Papa

R.SH. – Vatikan

 U lartua sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Pema e Krishtlindjes: një bredh rreth 26 metra i lartë, i cili mbërriti nga Abruzzo, më saktësisht, nga fshati i vogël malor Rosello, në provincën e Chieti-t. Bredhi, siç njoftohet nga autoritetet rajonale të Abruzzo-s, vjen nga një pemishte e nuk është marrë në natyrë. U pre një pemë, që kishte rrezik t’u krijonte probleme disa ndërtesave aty pranë, pra, e destinuar për t’u hequr nga ai vend.

Betlehemi, nga Friuli

Dekorimet e Bredhit të Krishtlindjes janë realizuar nga nxënësit e disa shkollave në Abruzzo, nga gjyshërit e shtëpisë së të moshuarve në Sant'Antonio di Borrello dhe nga të shtruarit në qendrën e rehabilitimit psikiatrik Quadrifoglio. Kjo e fundit, pas festave të fundvitit, do ta përdorë drurin e bredhit për të prodhuar objekte për bamirësi. Pema do të lartohet pranë betlehemit, tërësisht prej druri, që vjen nga Sutrio, në provincën e Udine-s, një nga fshatrat më karakteristikë të zonës së Carnia-s, në Friuli Venezia-Giulia. Edhe në Sallën Pali VI do të vendoset një betlehem, i cili, këtë vit, ofrohet nga qeveria e Guatemalës.

Përurimi dhe audienca me Papën

Përurimi tradicional i betlehemit dhe ndriçimi i Pemës së Krishtlindjes do të bëhet në sheshin e Shën Pjetrit të shtunën, më 3 dhjetor, në orën 17.00. Ceremonia do të kryesohet nga presidenti i Guvernatoratit të Shtet-Qytetit të Vatikanit, kardinali Fernando Vérgez Alzaga, në prani të Sekretares së Përgjithshme, motër Raffaella Petrini. Paradite, delegacionet nga Sutrio, Rosello dhe Guatemala do të priten në audiencë nga Papa Françesku për paraqitjen zyrtare të dhuratave.

17 nëntor 2022, 16:45