Kërko

Urbaniana: kardinali Tagle, At Ardura, At Sileo Urbaniana: kardinali Tagle, At Ardura, At Sileo

Kardinali Tagle: historia e treguar me vërtetësi i nxit popujt për ndryshime shoqërore

Në fjalën e hapjes së konferencës ndërkombëtare mbi 400-vjetorin e themelimit të Kongregatës Propaganda Fide, në Universitetin Papnor Urbanian, Kancelari i Madh i saj, kardinali filipinas Luis Antonio Tagle, nënvizoi rëndësinë e historisë dhe të tregimit të saj për një institucion, që ka përvijuar tiparet e Kishës Katolike në tokat e misionit. Studimi i kësaj historie ndihmon për të caktuar hapat drejt së ardhmes

R.SH. – Vatikan

Historia dhe mënyra e tregimit të saj, në qendër të fjalës së Kancelarit të Madh të Universitetit Papnor Urbanian, kardinalit Luis Antonio Tagle, në hapjen e konferencës ndërkombëtare mbi 400-vjetorin e themelimit të Kongregatës Propaganda Fide, aktualisht Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin. Kuvendi me temë “Euntes in mundum universum” (Të shkojmë në gjithë botën) do të vazhdojë në Romë deri më 18 nëntor. Një grup punonjësish shkencorë dhe ekspertësh do të sjellin studimet e tyre për institucionin kishtar, nga i cili janë varur në shekuj misionet katolike për përhapjen e fesë në mbarë globin.

Historia tregohet

Kardinali Tagle u përqendrua në kuptimin, që marrin historitë, në çastin që tregohen, duke u bërë një lloj analize e së kaluarës, por edhe një ndihmë e jashtëzakonshme për të përvijuar udhën e ardhshme të Propaganda Fides, themeluar nga Papa Gregori XV më 1622, për të koordinuar e udhëhequr veprimtarinë misionare të Kishës, deri atëherë, e kontrolluar nga sovranët katolikë të Spanjës e të Portugalisë. Historitë e treguara mirë, theksoi Tagle, bazohen në përvojën e secilit. E Kongregata për përhapjen e fesë ka një përvojë 400-vjeçare për këtë. Kardinali nënvizoi “rëndësinë e arkivave historike, për të cilat, po aktivizohemi – vuri në dukje Kancelari - që t’i bëjmë më të konsultueshme dokumentet e çmuara që përmbajnë, pjesërisht, edhe me rrugë dixhitale. Kjo do t’i ndihmojë eskpertët në gjithë botën për të bërë studime shkencore mbi misionin e Propaganda Fides dhe për të treguar historitë e misionit nga këndvështrimi i dëshmitarit pamor”.

Historia na tregon kush jemi

Historitë, që gjendjen në këto arkiva, vijoi më tej kardinali Tagle, tregojnë kush jemi, nxjerrin në pah kuptimin e jetës sonë dhe udhën në të cilën ecim. Por “historia nuk tregon thjesht për veten tonë. Ajo flet gjithnjë edhe për njerëzit e tjerë, për familjen e shokët, për shoqërinë, kulturën, ekonominë, ose për ato, që i quajmë ‘kohët tona’”. Prandaj, kujtimi i saj është jetësor për njohjen e vetes dhe të epokës. “Gjithashtu – vijoi Kancelari i Madh i Urbanianës – e kaluara mund të shihet në një dritë të re, sipas përvojës së mëvonshme… Përmes tregimit të historisë, shohim sa shumë kemi ndryshuar dhe sa kemi nevojë të ndryshojmë”.

Historia i jep formë bashkësisë

Historia është baza për të kuptuar simbolet shpirtërore, doktrinore dhe etike, vërejti më pas kardinali Tagle, pasi ajo na zbulon vlerat normat dhe përparësitë e njerëzve e të bashkësive, pra, u jep formë bashkësive njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, 400 vitet e historisë së Propaganda Fides na ndihmojnë të kuptojmë “besimin, ritualet, kremtimet, zakonet dhe mënyrën e jetesës së bashkësive të kaluara, të cilat do të kenë vlerë për ne vetëm nëse kthehemi tek historitë e përbashkëta të anëtarëve të tyre”.

Historia na transformon

Historia e transformon atë, që e dëgjon, theksoi kardinali, duke vënë në dukje se ajo ka nevojë për dëgjues, tek të cilët mund të evokojë kujtesën, të zgjojë kuriozitetin, të nxisë për analizën e re të përvojave të ngjashme. E një dëgjues i mirë, mund të bëhet një tregimtar i mirë, nënvizoi Tagle, duke u kërkuar studiuesve t’i tregojnë historitë, duke përdorur të gjitha mënyrat: nga orale, tek letrat, novelat, poemat, por edhe përmes fotografive e videove, që lejojnë të shihen nuanca të tjera si gjestet, shprehja e fytyrës e madje, edhe heshtja – mjet tjetër i fuqishëm për të treguar një histori. E, të nxirren në dritë historitë, që janë manipuluar qëllimisht, ose nuk janë treguar. “Diktatorët – theksoi kardinali Tagle - e ndalojnë tregimin e historive të korrupsionit, shtypjes, vrasjeve dhe shkatërrimit. Ata i korruptojnë gazetarët dhe i kërcënojnë njerëzit, që duan të tregojnë të vërtetën. Imponojnë një histori kombëtare zyrtare, e cila i fshin kujtimet, që do t'i nxirrnin në dritë të keqe. Disa histori janë shumë të rrezikshme për t'u treguar, sepse dëgjuesit mund të ndiejnë thirrjen për transformim. Aty ku popujt kërkojnë historinë e tyre të vërtetë, kërkojnë pushtetin për ndryshime shoqërore”.

“Si do t’i tregohet kësaj bote historia e Jezu Krishtit?”

Së fundi, Kancelari i Madh i Universitetit Papnor Urbanian, duke falënderuar edhe organizatorin tjetër të Takimit, Komitetin Papnor për Shkencat Historike, i ftoi të pranishmit të pyesin, gjatë punimeve të konferencës, si tregohet historia e “Propaganda Fide”-s e si e ndihmon ajo institucionin vatikanas të shkruajë histori të reja në botën bashkëkohore të inteligjencës artificiale e dixhitale, të ekstremizmit, polarizimit, indiferencës fetare, migrimit të detyruar, fatkeqësive natyrore e të tjera. “Si do t’i tregohet kësaj bote historia e Jezusit? E, kush do ta tregojë historinë e Jezusit?”, përfundoi kardinali Tagle, duke lënë të hapura diskutimet e kuvendit “Euntes in mundum universum” (Të shkojmë në gjithë botën).

16 nëntor 2022, 17:05