Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare

Gallagher: familja dhe shtetet duhet të garantojnë mirëqënien e fëmijëve

Në një fjalim me rastin e Konferencës Botërore për Kujdesin dhe Edukimin e Fëmijëve në Uzbekistan, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare ftoi "të mos lihet pas asnjë fëmijë", duke u garantuar të vegjëlve respektimin e interesave të tyre

R.SH. – Vatikan

"Të mos lihet pas asnjë fëmijë" do të thotë të respektosh interesat e secilit prej tyre, duke u krijuar mundësi “për të mësuar, për të menduar e për të ndërvepruar me të tjerët në një ambient mikpritës e plot dashuri”. Këtë theksoi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, në Konferencën Botërore për Kujdesin dhe Edukimin e Fëmijëve, që u mbajt nga 14 deri më 16 nëntor, në Tashkent, kryeqytet i Uzbekistanit.

Kujdesi dhe edukimi

Selia e Shenjtë, nënvizoi imzot Gallagher, "mbështet trajtimin 360 gradësh të çështjes, që synon garantimin e rritjes së gjithanshme të fëmijës, përmes bashkërendimit të kujdesit me edukimin, për të cilin ka të drejtë çdo djalë dhe çdo vajzë”. Në këtë fushë, Kisha jep kontributin e saj me 9230 jetimore dhe 10.441 kopshte, “ku mijëra edukatorë dhe punonjës shoqërorë punojnë me përkushtim, madje, edhe në ambiente të pasigurta”.

T’u kthehet dinjiteti fëmijëve

"Përpjekjet e tyre", vazhdoi Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, "promovojnë arsimimin e vajzave, u japin mundësi fëmijëve që jetojnë në rrugë, fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe atyre në lëvizje" - si refugjatët dhe të shpërngulurit - "të rifitojnë dinjitetin. Ata promovojnë kulturën e respektit për integritetin fizik dhe psikologjik të fëmijëve, duke plotësuar njëkohësisht nevojat e tyre bazë ushqimore, higjienike dhe shëndetësore”.

Detyrat e familjes dhe të shteteve

Mirëqenia e fëmijëve, përfundoi imzot Gallagher, "duhet të jetë e pandashme nga përfshirja dhe ndihma për prindërit, veçanërisht për nënat, të cilat duhet ta kuptojnë përgjegjësinë në mbrojtjen e integritetit dhe të shenjtërisë së jetës të pasardhësve të tyre". Njëkohësisht, “është detyrë e shteteve” – në bashkëpunim me protagonistë të tjerë si Selia e Shenjtë – “të garantojnë kushtet fizike, emocionale, intelektuale dhe shpirtërore, që favorizojnë zhvillimin e gjithanshëm të fëmijës”.

18 nëntor 2022, 15:58