Fillojnë nismat për Ditën Botërore të të Varfërve, 13 nëntor
R.SH. – Vatikan
Nxitja e Kishës për të "dalë" nga katër muret e për t’u takuar me varfërinë e njerëzve, në të gjitha format e saj në botën e sotme: ky është objektivi themelor i Ditës Botërore të të Varfërve, dëshiruar nga Papa Françesku që nga viti 2017. Tema e zgjedhur për këtë edicion të gjashtë është marrë nga fjalët e Shën Palit apostullit drejtuar të krishterëve të parë të Korintit: "Jezu Krishti u bë i varfër për ju". (Kor 2, 8-9). Motoja, lexohet në notën e sotme për shtyp të Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin, u bë e njohur përmes Mesazhit të Papës Françesku më 13 qershorin e këtij viti, në festën e Shën Andout të Padovës. Dikasteri, si çdo vit, ka organizuar nisma të ndryshme në Vatikan dhe në Romë, që mbahen ndërmjet datave 7 e 13 nëntor.
Mesha e Papës në Bazilikën e Shën Pjetrit
Të dielën e 13 nëntorit, në orën 10.00, Papa Françesku do të kryesojë kremtimin e Eukaristisë në Bazilikën e Shën Pjetrit, me pjesëmarrjen e të varfërve dhe të besimtarëve të tjerë. Në fund të kremtimit, në Sallën Pali VI, siç është bërë tashmë traditë, Ati i Shenjtë do të drekojë me rreth 1300 të varfër. Dreka ofrohet nga “d'Amico Società di Navigazione”.
Trajtimi mjekësor dhe analiza për HIV, hepatit dhe tuberkuloz
Një nga pasojat e varfërisë është vështirësia, ose edhe pamundësia për kura mjekësore. Pasi u mbyll për dy vite, për shkak të pandemisë Covid-19, në sheshin e Shën Pjetrit rikthehet qendra shëndetësore, që u siguron të varfërve analiza e vizita mjekësore dhe shpërndarjen e ilaçeve, gjithçka falas. Gjatë gjithë kësaj jave, mjekët e infermierët e Vatikanit, në bashkëpunim me një sërë shoqatash të tjera vullnetarësh në fushën e mjekësisë, vihen në dispozicion për elektrokardiograma, analiza gjaku, vaksina kundër gripit, teste Covid, analiza për HIV, hepatit dhe tuberkuloz.
Paketa ushqimore për 5000 familje
Për Ditën Botërore të të Varfërve 2022, Papa Françesku dëshiron të shprehë konkretisht afërsinë e tij me familjet në vështirësi, duke mbështetur famullitë në shpërndarjen e pakove ushqimore. Kështu, ai ka vënë në dispozicion 5000 pako për familjet e Romës, dhuruar nga një firmë supermarketesh dhe nga ndërmarrje të tjera të kryqytetit italian, që menduan për logjistikën dhe furgonat. Gjithsej, shpërndahen 10 ton makarona, 5 ton oriz, miell, sheqer, kripë dhe kafe dhe 5000 litra vaj e qumësht.
Paguhen faturat për familjet në vështirësi
Kriza energjetike e, si rrjedhojë, rritja e çmimeve të faturave, po rëndojnë më shumë se më parë mbi familjet, duke i keqësuar kushtet e tyre ekonomike. Krahas mbështetjes me ushqime, afërsia me njerëzit në vështirësi do të konkretizohet edhe nëpërmjet pagesës së faturave të gazit dhe të energjisë elektrike. Në këtë rast, Papa ndihmohet nga një kompani sigurimesh. Nuk është fjala për asistencializëm, nënvizohet së fundi në deklaratën e Dikasterit për Ungjillëzimin, por “duhet të impenjohemi që askujt të mos i mungojnë gjërat e domosdoshme”.