Vatikan: libër i ri i Át Giraud, teoricien i tranzicionit ekologjik
R.SH. – Vatikan
“Revolucioni i butë i tranzicionit ekologjik” i Át Gael Giraud (Shtëpia Botuese e Vatikanit, në librari nesër, 4 tetor) është libër-manifest për t’i bërë ballë krizës ekologjike dhe ambientale, i rëndësishëm për të përvijuar një përgjigje për krizën energjitike. Autori – ekonomist, matematicien e teolog – është një nga zërat më interesantë në panoramën ekonomike aktuale, ekspert i çështjeve ambientale.
Drejtor i Programit për drejtësinë ambientale në Georgetown University të Uashingtonit, në librin e tij të ri, Át Giraud, jezuit, kritikon ashpër mënyrën si mësohet ekonomia në universitet, duke bërë edhe disa propozime konkrete për t’i bërë ballë emergjencës klimatike.
Sipas tij, shkenca ekonomike neoklasike nuk merr parasysh konceptin e kompleksitetit, të faktorit-energji, të çështjes-monedhë: nuk analizon faktin se energjia bëhet qendrore në çdo lloj arsyetimi ekonomik, sepse burimet e energjisë nuk janë pa fund; monedha, shkruan ai, nuk është neutrale në tregjet financiare: “Brenda këtij modeli nuk është e mundur të imagjinohet se sot, tregjet e veprimtarive financiare derivate përfaqësojnë 12 herë Prodhimin e Brendshëm Brut (PBB) të gjithë planetit e se vetëm 7% e transaksioneve në këto tregje kanë të bëjnë me një protagonist ekonomik të sferës reale”.
Prodhimi i Brendshëm Brut nuk është gjithçka
Át Giraud nuk e vë aspak në piedistal Prodhimin e Brendshëm Brut (PBB), që edhe aktualisht, vijon të konsiderohet si tregues nga i cili duhet të rrjedhin të gjitha arsyetimet ekonomike. “PBB-ja ka në qendër prodhimin e konsumin e mallrave e të parave, por pasuria e jetës shoqërore nuk matet aspak me këto vlera – vëren ai. – PBB-ja nuk i merr parasysh pabarazitë shoqërore, ndjek logjikën e mesatares. PBB-ja nuk i sheh pasojat e dëmshme të shkaktuara nga produktivizmi e nga diktati i rendimentit aksionar, që duhet të jetë më i lartë se 15% në vit, si edhe nga e ashtuquajtura “deregulation”, që e konsideron fleksibilitetin si të vetmen politikë në luftën kundër papunësisë, me pasoja të rënda në jetën shoqërore e në ambientin. Ky tregues është indiferent ndaj privatizimit të pasurive të përbashkëta jetësore si uji, ajri, toka, ose ndaj vënies në diskutim të ngrohjes globale, ekosistemeve, ndaj dhunimit të të drejtave themelore e rritjes së shqetësimit edhe për punën e paguar”, ku jo gjithmonë respektohet dinjiteti i njeriut.
Financa pa rregulla dominon tregjet
Át Giraud kritikon financën pa rregulla, që dominon tregjet. E jep një shembull emblematik: sot, bankat zhvendosin mega-kompjuterat e tyre nën tokë, duke shpresuar të fitojnë pak sekonda në krahasim me konkurrentët, kur është fjala për të marrë informacione kompjuterike. “Insider trading”, që s’është tjetër veçse një praktikë e paligjshme për të shkëmbyer tituj në bursë me përfitim personal, duke siguruar paraprakisht informacione konfidenciale, po kthehet dalëngadalë në industri të ligjshme, denoncon jezuiti ekonomist.
Át Giraud nuk ndalet në kritikën e fenomeneve, por jep edhe propozime të zbatueshme, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm, që mund të kenë bankat dhe financa në tranzicionin ekologjik dhe energjitik. Sot për sot, vëren ai, bilancet e bankave janë plot me derivate të ashtuquajtura “të zeshkëta a brune”, pra, të lidhura me energjitë fosile. Prandaj, bankat s’kanë si ta nxisin ekonominë drejt tranzicionit ekologjik, pasi po të bënin kështu, bilancet e tyre, praktikisht, do të shkonin drejt zeros. “Për një euro dhënë hua në tregjet financiare në favor të energjive të rinovueshme – shkruan qartë jezuiti – bankat franceze (për shembull) u kanë dhënë 8 euro atyre për energjitë fosile. Kush mund ta besojë se kjo përzgjedhje e çuditshme e klientëve në sektorin energjitik nga ana e bankave tona është fryt i konkurrencës së ndershme?”
Industrializimi i ri e i gjelbër i Evropës
Tranzicioni ekologjik, për të cilin teologu ekonomist është i bindur, mund të çojë drejt industrializimit të ri e të gjelbër të Evropës, pikërisht në kontinentin ku industrializimi është ndalur tashmë, madje, po ecën mbrapsht. Disa vendime konkrete si zgjedhja e hidrogjenit apo e diellit si burim energjie, mund të përcaktojnë rilindjen industriale të kontinentit, sipas një filozofie krejtësisht “green”.