Kërko

Persone che pregano, indiani in preghiera, Orissa, India Persone che pregano, indiani in preghiera, Orissa, India

Të krishterë e hinduistë, të bashkuar në një botë të përçarë

Mesazh i Dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar me rastin e festës hinduiste të Deepavali-t, që këtë vit kremtohet më 24 tetor: dialogu ndërmjet feve është mjet i fuqishëm për të rrënjosur shpirtin e vëllazërimit në këtë botë, peng e dhunës

R.SH. - Vatikan

 Toka digjet, për shkak të tensioneve dhe të konflikteve të krijuara nga ideologjitë e bazuara në “supremacitë fetare, kulturore, etnike, racore dhe gjuhësore". Prandaj, aftësia e feve të ndryshme për të dëshmuar mirëkuptimin dhe ndjenjën e vëllazërimit bëhet jetike, sidomos, kur vënë në dukje aspektin e “bashkëjetesës” dhe të “bashkëpërgjegjësisë”.

Arti i krijimit të marrëdhënieve miqësore

Pikërisht mbi këto vlera e bazon mesazhin e tij Dikasteri vatikanas për Dialogun Ndërfetar, që si çdo vit, u uron bashkësive hinduiste të botës festën e Deepavalit-t, “festën e dritës”, që në vitin 2022 kremtohet më 24 tetor. Mesazhi nënshkruhet nga prefekti, kardinali Ayuso Guixot dhe nga sekretari, imzot Kodithuwakku Kankanamalage. Teksti nis me shqyrtimin e situatës ndërkombëtare: presionet konfliktuale "populiste dhe ekspansioniste", si edhe “përdorimi pa kriter i mediave shoqërore” janë "shkak shqetësimi për të gjithë, sepse - thuhet në mesazh - ato ndikojnë jashtëzakonisht në bashkëjetesën shoqërore vëllazërore dhe paqësore”. Prandaj, nevoja për t'iu kundërvënë me forca pozitive është urgjente. Një ndër këto forca është bashkëjetesa, që në mesazh përshkruhet si “cilësi për të qenë miqësorë e plot gjallëri” në mesin e ndryshimeve, me frymën e respektit, të dashurisë e të besimit.  

Vlera të fisme

Promovimi i bashkëjetesës, vazhdon mesazhi, do të thotë të marrësh përsipër përgjegjësinë për këtë. “Njerëzit që na rrethojnë – pohohet në mesazh – duhet të bëhen të përgjegjshëm për arritjen e bashkëjetesës, duke respektuar dinjitetin transhendetal të çdo njeriu dhe të drejtat e tij legjitime”, me vetëdijen se duhen sfiduar indiferenca dhe individualizmi, mbizotërues në shoqërinë e sotme. Por, si besimtarë, “nuk duhet të dorëzohemi para pesimizmit, por të jemi të bashkuar dhe shembull për të tjerët”. Në mesazh përmendet roli i prindërve dhe i të moshuarve në familje, si edukatorë për fëmijët, me "vlerat fisnike të bashkëjetesës dhe të bashkëpërgjegjësisë".

Si të krishterë dhe hinduistë, përfundon mesazhi, mund t’i "bashkojmë përpjekjet me njerëz të traditave të tjera fetare dhe me njerëzit vullnetmirë, për të promovuar, individualisht dhe kolektivisht, frymën e dëshirës dhe të bashkëpërgjegjësisë për ta shndërruar këtë botë në një vendbanim të sigurt për të gjithë, ku secili të jetojë i gëzuar në paqe”.

17 tetor 2022, 14:52