Kërko

Engjëlli i Tënzot i Papës Françesku Engjëlli i Tënzot i Papës Françesku

Sinodi: në Dokumentin e fazës kontinentale, zëri i të fundmëve dhe i të mënjanuarve

U bë i njohur teksti bazë për punimet e etapës së dytë të Sinodit, filluar nga Papa në vitin 2021. Është përmbledhje e ideve të ardhura nga pesë kontinentet, pas këshillimit me besimtarët. Në qendër, roli grave, qëndrimi ndaj njerëzve Lgbtq, shkandulli i abuzimeve, sfidat e racizmit e të tribalizmit, drama e luftërave dhe e dhunës, mbrojtja e jetëve më të brishta

R.SH. – Vatikan

Të varfër dhe indigjenë, familje, të divorcuar, të rimartuar dhe njerëz të pamartuar, që kanë adoptuar fëmijë, persona LGBTQ dhe gra që ndihen të “përjashtuara”. Viktima të abuzimit, trafikimit apo racizmit. Meshtarë, ish-priftërinj dhe laikë, të krishterë dhe “të larguar” nga Kisha, ata që dëshirojnë reforma në meshtari dhe në rolin e gruas, por edhe ata që “nuk janë plotësisht dakord me zhvillimet liturgjike të Koncilit II të Vatikanit”. Ata, që jetojnë në vende martirizimi, në mesin e dhunës dhe të konflikteve, ata që luftojnë kundër magjive dhe tribalizmave. Me një fjalë, i gjithë njerëzimi, me plagët dhe frikën e tij, me papërsosmëritë dhe nevojat e tij, bën pjesë në rreth 45 faqet e Dokumentit të Sinodit për etapën kontinentale, që u publikua sot (27 tetor). Dokumenti është hartuar pas këshillimit me besimtarët në të gjitha dioqezat e botës e do të jetë baza e etapës së dytë të udhës sinodale, nisur nga Papa Françesku në tetor 2021. Etapa kontinentale do të zhvillohet nga tetori 2022 deri në tetor 2023, ndërsa asambleja përfundimtare e ipeshkvijve do të mblidhet në Vatikan më 2023 dhe 2024.

Askush i përjashtuar

Në Dokument vihen në dukje “një sërë tensionesh”, që kanë dalë gjatë procesit sinodal e që duhen përballuar. I pari është dëgjimi, që askush të mos ndihet i përjashtuar. Gjatë diskutimeve në bashkësi, është vënë re se shumë njerëz ndihen të “denigruar, të mënjanuar e të pakuptuar”, sidomos gratë e të rinjtë, të cilët mendojnë se aftësitë e tyre nuk përdoren si duhet nga Kisha. Prandaj, dëgjimi i tyre është hapi i parë për një përvojë “shndërrimi”.

Mikpritja e homoseksualëve

Ndër ata, që kërkojnë një dialog më të hapur, janë, për shembull, ish-meshtarët që kanë dalë nga urdhri shenjt për t’u martuar, por edhe të divorcuarit e rimartuar, personat Lgbtq, prindërit “single”, etj.. “Njerëzit duan që Kisha të jetë strehë për të plagosurit e të vrarët nga jeta, jo institucion për të përsosurit”, lexohet në një kontribut, që vjen nga SHBA-të. Ndërsa, nga anë të tjera, i kërkohet Kishës të zgjidhë çështjen e qëndrimit ndaj homoseksualëve, sidomos atyre të krishterë, të cilët ndihen të përjashtuar prej bashkësisë. “Në të gjitha dioqezat, si rurale ashtu edhe urbane, – pohohet nga Afrika e Jugut - janë ngritur tema si mësimi i Kishës për abortin, kontracepsionin, shugurimin e grave, meshtarët e martuar, celibatin, divorcin, martesën e re dhe mundësinë për kungim, për homoseksualitetin, njerëzit Lgbtqia+. Janë shfaqur këndvështrime të ndryshme dhe nuk është e mundur të formulohet një qëndrim përfundimtar i bashkësisë për asnjë nga këto çështje”.

Zëri i të varfërve

Shumë sinteza, të ardhura nga vende të ndryshme, shprehin keqardhjen për faktin se jo gjithmonë Kisha ka qenë në gjendje të arrijë në periferi e tek të varfërit. Nuk është fjala vetëm për të varfër ekonomikë, por edhe për të moshuar të vetmuar, indigjenë, migrantë, fëmijë rrugësh, të alkoolizuar e të droguar, viktima të trafikimit, të abuzuar, të burgosur, të diskriminuar për shkak të racës, etnisë, gjinisë. Shumë Kisha përjetojnë mosbesimin nga ana e njerëzve, për shkak të abuzimeve të klerit. Transparencë e përgjegjësi për t’i bërë ballë dëmit moral, që i është shkaktuar Kishës prej abuzuesve, është kërkuar, për shembull, nga Australia.

Pjesëmarrja e njohja e grave

         Edhe përsa u përket grave kërkohet ndryshimi i mënyrës së sjelljes. Nga çdo kontinent, lartohet thirrja që “gratë katolike të vlerësohen si të pagëzuara e si anëtare të Popullit të Zotit me dinjitet të barabartë”. Sinteza e ardhur në Vatikan nga Toka Shenjte është emblematike për këtë: “Në një Kishë, në të cilën gati të gjithë ata, që marrin vendime, janë burra, ka pak hapësira për zërin e grave. E, megjithatë, ato përbëjnë shtyllën kurrizore të bashkësive kishtare, si për faktin që përfaqësojnë shumicën e frekuentuesve të Kishës, ashtu edhe pse janë anëtaret e saj më aktive”. Gjithashtu, vihet në dukje edhe një lloj mënjanimi për personat me aftësi të kufizuara, për të cilët mungon dëgjimi, e drejta për të zgjedhur ku e me kë të jetojnë; u mohohen Sakramentet, akuzohen si magjistarë e abuzohen, duke bërë të kalojë ideja se jeta e tyre vlen më pak se ajo e të tjerëve.

Dëshmitë e persekutimit dhe të martirizimit

Spikat në Dokument dëshmia e martirizimit në disa vende, ku të krishterët, sidomos të rinjtë, duhet të përballojnë “sfidën e një kthimi sistematik e të detyruar në fe të tjera”. Flitet për pakica të krishtera të përsekutuara, fanatizma, masakra e, edhe – siç pohohet në përmbledhjen e Kishës maronite – për nxitje sektare e etnike, që më pas, degjenerojnë në konflikte politike me armë.

Mbrojtja e jetës “së brishtë”

 Së fundi, vihet në dukje impenjimi i Popullit të Zotit për mbrojtjen e jetës së brishtë, në të gjitha fazat e saj. Për shembull, për Kishën greko-katolike në Ukrainë, pjesë e sinodalitetit është “kujdesi për gratë, që vendosin të abortojnë, për shkak të frikës nga varfëria materiale dhe të refuzimit nga ana e familjeve në Ukrainë; nxitja e punës edukative me gratë, që duhet të marrin vendime me përgjegjësi në çastet e vështira të jetës, me qëllimin për të mbrojtur jetën e fëmijëve në bark të nënës e për të parandaluar abortin”.

27 tetor 2022, 12:52