Kërko

Kardinali Pietro Parolin në konferencën e Parisit Kardinali Pietro Parolin në konferencën e Parisit

Parolin: roli udhëheqës i grave lind nga arsimimi cilësor e gjithëpërfshirës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli në Paris, në konferencën dyditore të organizuar nga Caritas Internationalis mbi temën e lidershipit femëror: shtetet të kenë guximin për të investuar në formimin e njëjtë mashkull-femër, nëse duan të mbrojnë të drejtat e grave, që ende shkelen tepër shpesh

R.SH. Vatikan

Gjëja e parë, që u kërkoi kardinali Pietro Parolin qeverive ndërkombëtare, është të kenë "guximin" për t’i trazuar ujërat, shpesh të amullta kur bëhet fjalë për gjendjen e grave. Udhëheqja e tyre në sferat e jetës civile mund të vijë vetëm nga një arsim "cilësor" dhe "gjithëpërfshirës", pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit nga podiumi i Konferencës mbi temën e lidershipit, organizuar nga Caritas Internationalis, sot dhe nesër në selinë e UNESCO-s në Paris.

Të kuptohen gratë dhe të drejtat e tyre

Në reflektimin e kardinalit, raporti i fundit i UNESCO-s, agjencisë së OKB-së për arsimin, ku shihet qartë qëllimi për të "imponuar me forcë një qëndrim uniform dhe intolerant ndaj çdo paradigme tjetër antropologjike”, të ndryshme nga ideologjia gender, në të gjitha shkollat. Selia e Shenjtë vë në dukje se me pretekstin e “përgjigjes ndaj aspiratave të caktuara, që janë edhe të kuptueshme”, përfundohet në zhvlerësimin e vetë kuptimit të grave dhe të të drejtave të tyre. Kardinali Parolin u kërkoi shteteve guximin për të investuar, “për të përmbysur raportin asimetrik e të turpshëm ndërmjet shpenzimeve publike për arsimin dhe fondeve të destinuara për armatimet, por edhe guximin për të marrë parasysh situatat e ndërlikuara në të cilat jetojnë miliona vajza dhe gra në botë. Ai theksoi rëndësinë e arsimimit si rrugë kryesore për të zhdukur pabarazitë strukturale, që kontribuojnë në dallimet ndërmjet të drejtave të grave dhe burrave në shumë vende.

Për të gjitha gratë, arsim cilësor

Përfshirja më e madhe e grave në shoqëri, vijoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duhet siguruar përmes respektimit të dinjitetit të tyre. Vajzat duhet të shkojnë në shkollë pa pengesa, ndërsa ka shumë vende, ku ato detyrohen ta lënë shkollën, duke u bërë bashkëshorte e nëna në një moshë, në të cilën nuk janë gati për këtë. Gjithashtu, vajzat e gratë duhet të kenë një “edukim cilësor”, vërejti kardinali Parolin, jo për ndonjë prestigj shoqëror, por për t’u pajisur me “mendim kritik, në gjendje të vlerësojë modelet e zhvillimit, prodhimit e konsumit, duke propozuar kritere drejtësie shoqërore që ndihmojnë më të brishtët dhe më të pambrojturit nga pabarazia e shpërdorimi”.

Vlera, jo vetëm role udhëheqëse

Në përfundim të fjalimit të tij, kardinali Parolin vuri në dukje vlerat e feminilitetit si dhuratë për njerëzimin, pa rënë në një lloj feminizmi, që nuk ia njeh gruas aftësinë për të qenë unike e për ta kuptuar realitetin krejt ndryshe nga të tjerët. Gratë, nënvizoi, dinë t’u rezistojnë problemeve, duke e bërë jetën të mundur edhe në vështirësi tejet të mëdha e duke u kapur “me forcë pas së ardhmes”. Shoqëria u ka shumë broxhe grave, sidomos në fushën e edukimit e, kështu edhe Kisha, e cila sot i përfshin ato gjithnjë e më shumë në organet vendimarrëse të Kuries Romake e të Kishës universale, duke u dhënë gjithnjë e më tepër role me përgjegjësi, që më parë u rezervoheshin vetëm burrave. Por nuk është fjala vetëm për role udhëheqëse, sqaroi së fundi kardinali, i duhet dhënë hapësirë origjinalitetit femëror, për ta pasuruar vërtet Kishën.

27 tetor 2022, 16:25