Kërko

Masakra në Tajlandë, dhimbja e Papës: sulm i tmerrshëm kundër njerëzve të pafajshëm

Në një telegram nënshkruar nga kardinali Parolin, Françesku lutet për viktimat e masakrës së djeshme në çerdhen e fëmijëve të një qyteti të vogël, ku një ish-polic vrau 22 fëmijë e 13 të rritur, përpara se të vriste edhe veten!

R.SH. - Vatikan

Çmenduri tërbimi, edhe më e tmerrshme dhe e pakuptimtë, sepse sulm kundër më të pafuqishmit dhe më të pafajshmit. Një përrua gjaku tronditi rëndë dje Uthai Sawan, qytezë në verilindje të Tajlandës ku, pak pas drekës, një ish-polic 34-vjeçar hyri në një çerdhe dhe nisi të qëllonte mbi fëmijët, disa prej tyre vetëm dy vjeçarë. Kur u largua nga ndërtesa, la pas kufomat e 22 fëmijëve dhe dy mësueseve, njëra shtatzënë në muajin e tetë.

Solidariteti i Françeskut

Një skenë e papërshkrueshme që Papa, në një telegram dërguar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, e quajti “akt të tmerrshëm dhune kundër fëmijëve të pafajshëm”. Françesku shprehu ngushëllimet duke siguruar lutjet për viktimat dhe për të gjithë njerëzit e prekur nga kjo  tragjedi e duke shpresuar se “në këtë çast trishtimi të pamasë, do të  gjejnë mbështetje dhe forcë nga solidariteti i fqinjëve dhe bashkëqytetarëve të tyre”.

Fakti

Tërbimi i vrasësit kish nisur pak para se të mbërrinte në çerdhe, kur Panya Kamrab, ky emri i ish-policit, vrau dy persona në një qendër administrative provinciale. Më pas, pas masakrës së të pafajshmëve, vrau edhe shtatë vetë të tjerë, duke përfshirë një fëmijë. E kur arriti në shtëpinë e tij, para se të vetëvritej, i mori jetën edhe gruas, djalit të tij katërvjeçar dhe dy të rriturve të tjerë. Hetimet e policisë nuk kanë sqaruar ende se çka e shkaktoi këtë tërbim kaq të dhunshëm. Njoftohet vetëm se burri, përpara se të hynte në çerdhe, duhej të shkonte në gjykatë për nisjen e afërt të procesit, me akuzën për përdorimin dhe trafikimin e metamfetaminave, akuzë e rëndë, për shkak të së cilës qe pushuar nga puna.

07 tetor 2022, 12:09