Feja dhe shkenca: dialog ndërmjet Benediktit XVI dhe matematikanit Odifreddi
R.SH. - Vatikan
“Më gëzon pa masë shqetësimi juaj për Zotin dhe Jezusin”, shkruan Papa i Nderit në një fragment të librit: “Për rrugë, në kërkim të së vërtetës. Letra dhe biseda me Benediktin XVI” të Piergiorgio Odifreddit, matematikan ateist, që përmbledh letërkëmbimin dhe bisedat gjatë pesë takimeve ndërmjet të dyve, zhvilluar duke nisur nga dorëheqja e Benediktit prej papnisë, më 2013, deri në 2020.
Vëmendje dialogut
Libri, i botuar nga Rizzoli, i paraqitur dje pasdite në Universitetin Lumsa, është shtegtim në udhët e fesë, shkencës, etikës dhe antropologjisë e provë që vërteton se është plotësisht e mundur të dialogohet nga pozicione të ndryshme, edhe të kundërta. E dëshmojnë këtë disa nga temat që preken në reflektimet e Papës së Nderit që nga viti 2013. “Është jashtëzakonisht domethënëse”, nënvizon për Vatican News Atë Federico Lombardi, kryetar i Fondacionit Ratzinger, bashkëorganizator i paraqitjes “që Benedikti XVI, në kohën kur nuk ishte më Papë, e prandaj kishte më shumë kohë për reflektim, e mori shumë seriozisht kërkesën e Odifreddit për të hyrë në dialog me të. Shenjë e vëmendjes së tij për dialogun ndërmjet fesë, arsyes dhe shkencës dhe gatishmërisë, karakteristike për gjithë jetën e tij.
Lindja e miqësisë
Në vitin 2011 Odifreddi i shkroi një letër të hapur Benediktit XVI duke komentuar “Hyrjen në krishterim”, vëllim historik, shkruar nga Joseph Ratzinger si teolog, në vitin 1968. Përpjekja e parë për të marrë përgjigje dështoi deri në vitin 2013, kur, pas heqjes dorë - dhe përmes Sekretarit të Papës së Nderit Georg Gänswein, i pranishëm në paraqitjen e librit - Benedikti XVI i dërgoi një letër, duke i hapur udhën miqësisë ndërmjet të dyve.
“Miqësi e bukur", e “përmasë e rrallë” ndërmjet qëndrimeve të ndryshme, “kur ka dialog, jo grindje”, kur “idetë takohen dhe kundërshtari nuk demonizohet", shpjegoi imzot Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për Jetën.
“Besoj se prej këndej mund të nxjerrim një mësim - vërejti Piergiorgio Odifreddi - nëse edhe një Papë e një ateist mund të bisedojnë miqësisht, kjo mund të thotë se ndoshta edhe të tjerët mund të sillen po kështu në jetë”.
Afërsia në zi
Çka të çudit gjatë letërkëmbimit ndërmjet palëve, është evolucioni i temave. Në fillim, krahasimi ndërmjet shkencës dhe fesë - thekson Odifreddi – pastaj, me kalimin e kohës – “na u duk e kotë vazhdimi i ‘ndeshjeve’ për këto çështje, ndaj kaluam në tema të tjera, si logjika, jeta dhe vdekja. Pikërisht në temën e vdekjes u takuan mendimet ndërmjet të dyve. Papa i Nderit i kishte kërkuar Odifreddit mendimin ateist për vdekjen. Mori nga matematikani një letër, të cilën ai vetë e quajti “teorike”. Më pas, në vitin 2020, viti i pandemisë, vdiqën si Georg Ratzinger, vëllai i dashur i Benediktit, ashtu edhe nëna e Odifreddit. “Ishte çasti që i afroi më shumë” – shpjegon shkencëtari - çasti kur dy njerëz të ndryshëm, jetojnë të njëjtën dhimbje: atë të humbjes së njerëzve të dashur.