Kërko

2022.10.18 Campagna di animazione missionaria a Timor Est 2022.10.18 Campagna di animazione missionaria a Timor Est

Dita Misionare, Imzot Dal Toso: misioni Kishës ka të njëjtin mandat, por me modalitete të reja

Intervistë me presidentin e Veprave Misionare Papnor Imzot Dal Toso në kuadrin e Ditës Misionare Botërore 2022 që bie më 23 tetor: "Misioni vazhdon të jetë ai i mandatit të Krishtit për të shpallur Ungjillin dhe për të krijuar komunitete të reja të krishtera. Forma në të cilën e gjithë kjo realizohet sot po ndryshon. Së pari, në botën misionare sot ka një prani më të madhe të besimtarëve laikë dhe të familjeve "

R.SH. - Vatikan

Është momenti më domethënës i këtij muaji tetor  të cilin Kisha katolike ia kushton misionit: siç dihet Dita Misionare Botërore 2022 kremtohet të dielën më 23 tetor, e këtë vit përqendrohet mbi temën "Ju do të jeni dëshmitarë të mi" nga Veprat e Apostujve. Në mesazhin për këtë Ditë kushtuar Misioneve, Papa Françesku kujton “se Kisha për natyrën e saj është misionare” e shkruan se, kjo Ditë na ofron "mundësinë për t’i përkujtuar edhe disa ngjarje tjera të rëndësishme për jetën dhe misionin e Kishës si: themelimi, 400 vjet më parë, i ‘Kongregatës de Propaganda Fide’ - sot ‘Dikasteri i Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve’ - dhe , 200 vjet më parë, themelimi i ‘Veprës për Përhapjen e Fesë’”.

Si ndryshon misioni

"Sot misioni ndryshon sepse nuk është më thjesht nga Veriu në Jug, por 360 gradë". Kështu nënvizon për Vatican-News presidenti i ‘Veprave Misionare Papnore’, Imzot Giampietro Dal Toso, duke shtuar se në kohën tonë misioni “duhet të depërtojë në mjediset kulturore që janë të ndryshme nga ato të pesëdhjetë viteve më parë”.

Cili është misioni dhe si ndryshon ai sot?

Misioni është një mandat që Zoti i ka dhënë Kishës së tij, të cilin Kisha e ka kryer gjatë shekujve. Ajo që sot ndryshon ka të bëj me rrethanat, veçanërisht me rrethanat kulturore. Pastaj ndryshon edhe mënyra se si sot misioni kryhet.  Misioni vazhdon të jetë mandati i Krishtit për të shpallur Ungjillin dhe për të krijuar komunitete të reja të krishtera. Forma në të cilën realizohet e gjithë kjo sot po ndryshon. Para së gjithash, ka një prani më të madhe të besimtarëve laikë si dhe të familjeve në botën misionare. Nga ana tjetër është reduktuar prania e meshtarëve dhe e rregulltarëve. Misioni ndryshon sepse nuk është më thjesht nga Veriu në Jug, por 360 gradë. Është një mision që duhet të depërtojë në mjediset kulturore që janë ndryshe nga ata të pesëdhjetë viteve më parë. Dhe është ndryshe jo vetëm në vendet perëndimore. Ka ndryshuar edhe në viset e misioneve: kultura dixhitale po transformon mënyrën e jetesës në të gjitha hapësirat. Është një mision që ndryshon edhe në territoret me traditë më të gjatë të krishterë, ku duhet rithemeluar dhe rimotivuar kjo histori me një kumtim feje të ripërtërirë.

Është një botë në të cilën ne zbulojmë nevojën për të qenë gjithnjë e më të pranishëm. Ndër 120 Drejtoritë tona kombëtare, të shpërndara në mbarë botën, iniciativat për të qenë të pranishëm në mjediset dixhitale po shtohen gjithnjë e më tepër. Mund të jap disa shembuj: nga videot e shkurtra që bëhen me lutje, ose në disa vende - kjo ka të bëjë kryesisht me botën e mediave - ne shohim sesi radiot katolike kryejnë një shërbim të madh në fushën e ungjillëzimit, sepse ato në shumë raste janë mjeti i vetëm që arrijnë tek besimtarët. Është e rëndësishme të identifikohet kjo nevojë: prania në botën dixhitale nuk është në vetvete vendimtare, por mund të jetë një ndihmë për të menduar, një arsye për të ofruar raste e mundësi për të takuar Zotin.

Cili është roli i Veprave Misionare Papnore dhe në çka ndryshon nga  Kongregata de Propaganda Fide?

Propaganda Fide, në historinë e saj 400 vjeçare, ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol të madh në shoqërimin dhe koordinimin e punës së madhe misionare me Kishat vendase, me institutet e mëdha rregulltare misionare. Në këto 400 vjet, Propaganda Fide ka drejtuar disi veprimtarinë misionare të Kishës. Veprat Misionare Papnore e kanë mbështetur veprën madhështore të Propaganda Fide në një formë të dyfishtë. Para së gjithash, në formën e një animacionit misionar, duke motivuar të gjithë popullin e Zotit për rëndësinë e misionit dhe duke mbështetur financiarisht veprimtarinë misionare. Kanë ndihmuar kështu në krijimin e dioqezave dhe të seminareve, në themelimin e kuvendeve dhe të manastireve, në formimin e katekistëve etj. Veprat Misionare Papnore, nga ana tjetër, mund ta bëjnë këtë punë falë mbështetjes së shumë njerëzve në mbarë botën.

Cili është angazhimi i Veprave Misionare Papnore për të ndihmuar popullsinë ukrainase?

Në vetvete, Ukraina nuk është një territor i kompetencës sonë, sepse bie nën kompetencën e Kongregatës së Vatikanit për Kishat Orientale. Megjithatë, ajo që ndodhi është se nga disa Drejtori kombëtare të Veprat Misionare Papnore, jo vetëm në Evropë, u kërkua të jepnin një ndihmë, veçanërisht në fazën e parë, kur ishte vala e parë e refugjatëve ukrainas. Dhe ato e mbështetën ndihmën e Kishave lokale në Poloni, Sllovaki, Hungari dhe Rumani. Prandaj ky bashkëpunim qe një angazhim për të mbështetur veprimin konkret të Kishës lokale në të ndihmë të refugjatëve.

Iniciativa në botë për muajin misionar

Drejtoritë e Veprave Misionare Papnore kanë punuar gjatë gjithë vitit duke shikuar drejt këtij muaji misionar që është tetori. Në Spanjë, për shembull, u propozua “El Domund al descubierto”, një nismë që përfshin aktivitete të ndryshme me karakter misionar. Këtë vit kjo nismë zhvillohet kryesisht në Madrid, nga data 18 deri më 23 tetor. Në Maltë filloi nisma “Socktober” për të sensibilizuar të vegjlit ndaj temës së misionit përmes lojës së futbollit. Projekti, i iniciuar nga drejtoria malteze, u propozua edhe në shkollat ​​e Australisë. Në Zvicër, "Kërkimi për Paulinet" është një nismë që konsiston në prodhimin, nga famullitë kishtare, të videove me dëshmitë e besimtarëve të famullive të ndryshme që janë dalluar për angazhimin e tyre misionar. Në Itali janë realizuar tetë video me animacione misionare për këtë muaj tetor. Është fjala për histori, dëshmi dhe komente mbi temën e Ditës Misionare Botërore 2022 që është "Ju do të jeni dëshmitarë të mi!" e nisma të ngjashme janë organizuar edhe në vende tjera në mbarë botën.

19 tetor 2022, 13:32