Kërko

Përfundoi udhëtimi i Peña Parra-s në Timorin Lindor

Sot paradite, pak para nisjes për në Romë, zëvendësi për Çështjet e Përgjithshme i Sekretarisë së Shtetit u takua me presidentin e parlamentit kombëtar timorez, Aniceto Guterres, së bashku me disa delegatë partishë. Prelati shprehu kënaqësinë për miratimin e fundit të disa ligjeve, që favorizojnë hyrjen e misionarëve në vendin aziatik

R.SH. - Vatikan

Kryeipeshkvi Edgar Peña Parra, Zëvendës për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, e përfundoi sot vizitën pesëditore në Timorin Lindor, me rastin e përurimit të selisë së re të Nunciaturës Apostolike në kryeqytetin Dili.

Peña Parra katolikëve të Timorit Lindor: vazhdoni të jeni “dritë” e jug-lindjes Aziatike

Sot në mëngjes, në ditën e fundit të udhëtimit, kryeipeshkvi u takua me kryetarin e parlamentit kombëtar, Aniceto Guterres, së bashku me përfaqësues të disa partive. Prelati i falënderoi për pritjen, duke i shprehur  asamblesë vlerësimin për miratimin, kohët e fundit, të disa ligjeve, që favorizojnë hyrjen e misionarëve në vend.

Delegatët parlamentarë, nga ana e tyre, theksuan rëndësinë e Kishës në historinë e vendit që, me Filipinet, është i vetmi shtet aziatik me shumicë katolike.

Imzot Peña Parra, që mbërriti në Timorin Lindor më 19 shtator, u prit nga Presidenti i Republikës, Josè Ramos-Horta, fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1996. Në të njëjtën ditë, të hënën, u bë inaugurimi i Qendrës për vëllazërimin njerëzor dhe paqen në botë, frymëzuar prej Dokumentit, nënshkruar nga Papa Françesku dhe imami i madh i Al-Azhar Ahmad al-Tayyib, në vitin 2019.

Peña Parra: Nunciatura e re në Timorin Lindor, shenjë e kujdesit të Papës

Të martën, më 20 shtator, prelati mori pjesë në konferencën kushtuar Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore, në Universitetin Katolik të Timorit, ndërsa pasdite përuroi selinë e re të Nunciaturës. Më 21 shtator vizitoi Qendrën e Ndihmës për Fëmijët e Varfër të Motrave Canossiane të Balide, seminarin ndërdioqezan të São Pedro dhe São Paulo dhe u takua me Kryeministrin Taur Matan Ruak.

E enjtja iu kushtua kremtimit eukaristik në Katedralen e Dilit, paraprirë nga vizita në varrezat e Santa Cruz, në Muzeun e Rezistencës Timoreze dhe në monumentin kushtuar Shën Gjon Palit II, në Tasi-Tolu, ku më 12 tetor 1989, Papa Wojtyla pati kremtuar një meshë, kur vendi ishte ende pjesë e Indonezisë. Sot, takimi me përfaqësuesit e Parlamentit kombëtar dhe nisja për në Romë.

23 shtator 2022, 16:39