Imzot Peña Parra viziton Timorin Lindor
R.SH. - Vatikan
Zëvendësi për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit te Vatikanit, Imzot Edgar Peña Parra, është në Timorin Lindor për përurimin e selisë së re të Nunciaturës Apostolike, në kryeqytetin Dili. Gjatë vizitës, që do të zgjasë deri më 23 shtator, do të ketë takime me institucionet dhe me bashkësinë e krishterë.
Takimi me nobelistin Josè Ramos-Horta
Sot, e hënë, 19 shtator, takimi i parë me Josè Ramos-Horta-n, President i Republikës dhe fitues të çmimit Nobel për Paqen në vitin 1996. Më pas, përurimi i “Qendrës së Timorit Lindor për Vëllazërimin Njerëzor dhe Paqen në botë”, frymëzuar nga Dokumenti mbi Vëllazërinë Njerëzore, nënshkruar nga Papa Françesku dhe imami i madh i Al-Azhar, Ahmad al-Tayyib, në Abu Dhabi, në vitin 2019.
E martë 20 shtator, konferencë kushtuar Vëllazërisë Njerëzore
Dokumenti papnor do të jetë në qendër të vëmendjes edhe në një konferencë, në Universitetin Katolik të Timorit, të martën, më 20 shtator. I pranishëm, edhe imzot Peña Parra, i cili pasdite do të përurojë selinë e re të Nunciaturës Apostolike.
Më 21 shtator, kryeipeshkvi do të vizitojë Qendrën e Ndihmës për Fëmijët e Varfër të Motrave Canosiane të Balides, seminarin ndërdioqezan të São Pedro dhe São Paulo, varrezat e Santa Cruz-it, Arkivin dhe Muzeun e Rezistencës Timoreze.
Homazh për Shën Gjon Palin II
E enjtja e ardhshme do t’i kushtohet takimit me kryeministrin Taur Matan Ruak dhe kremtimit eukaristik në katedralen e Dilit. Mesha do të paraprihet nga vizita në monumentin kushtuar Shën Gjon Palit II në Tasi-Tolu, ku më 12 tetor 1989 Papa pati kremtuar meshën, kur vendi ishte ende pjesë e Indonezisë. Në ditën e fundit të vizitës, më 23 shtator, Imzot Edgar Peña Parra do të takohet me presidentin e parlamentit kombëtar, Aniceto Guterres Lopes.
Në vitin 2002, pavarësia
Ish-koloni portugeze deri në vitin 1973, më pas i pushtuar nga Indonezia, Timori Lindor fitoi pavarësinë në vitin 2002, pas shumë vitesh dhune e ndeshjesh të ashpra.
Në vitin 1996, përveç Josè Ramos-Horta-s, i cili u zgjodh president i vendit nga viti 2007 deri më 2012, e më pas edhe në vitin 2022, u nderua me çmimin Nobel për Paqen dhe Ipeshkvi Carlos Filipe Ximenes Belo, asokohe administrator apostolik i Dilit.