Kërko

Parolin: dënim pa mëdyshje për çdo kërcënim me armë bërthamore

Në fjalën e tij në Asamblenë e 77-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Shtetit të Vatikanit shqyrtoi emergjencat e botës, duke shfaqur shqetësimin e Selisë së Shenjtë për shtimin e konflikteve dhe për pasojat, që rrjedhin prej tyre. Kardinali u ndal në rrezikun e shkallëzimit bërthamor dhe bëri thirrje për reformimin e OKB-së që e ardhmja të jetë më e sigurt, në paqe

R.SH. – Vatikan

Me ftesën që të gjithë të punojnë së bashku për një paqe, që lind nga dialogu, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, iu drejtua më 24 shtator asamblesë së 77-të të përgjithshme OKB-së. Prelati foli për të këqijat e kësaj bote, që vuan ende nga pandemia, por edhe nga “konfliktet e armatosura, në një masë të paparë që nga viti 1945, me rreth dy miliardë njerëz në zonat e prekura nga lufta”.

“Flasim për paqen, por jetojmë me armë”

Më pas, kardinali nënvizoi prirjen e disa shteteve për të imponuar politika të diskutueshme në fushën e të drejtave të njeriut, “si ato për jetën, për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes, të fesë dhe të shprehjes”. Më pas, duke kujtuar se numri i të uriturve në botë është rritur në 828 milionë në vitin 2021, kardinali Parolin vuri në dukje se, nga ana tjetër, shtohen edhe armët. Ka ardhur koha të heqim dorë nga armatimet, kërkoi Sekretari i Shtetit, duke ftuar të investohet në arsim, “mjet kryesor për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor”.

Reforma e OKB-së

“Është e domosdoshme – pohoi kardinali – të gjendet marrëveshja e konsensusi i vërtetë brenda kësaj Organizate, për t’ia rikthyer asaj besueshmërinë ndërkombëtare”. Prelati nënvizoi se nevojitet një reformë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Kur nuk ka vizion të përbashkët apo vullnet politik për bashkëjetesë paqësore dhe vetë ata, që duhet ta ruajnë paqen, i shpërfillin rregullat, që pretendojnë se i mbrojnë, të gjithë bëhen autorë padrejtësish të rënda. I udhëhequr nga interesi i shfrenuar vetjak dhe nga logjika e pushtetit, sistemi është tejet i dëmtuar dhe në rrezik”. E dëshmon këtë lufta në Ukrainë, që ka sjellë rritjen e çmimeve dhe rrezikun e një shkallëzimi bërthamor. Këtë dimër, denoncoi kardinali Parolin, të varfërit duhet të zgjedhin: të hanë apo të ngrohen. Prandaj, duhet vepruar shpejt e me vendosmëri, pasi “lufta në Ukrainë jo vetëm minon regjimin e mospërhapjes së armëve bërthamore, por na ekspozon edhe para rrezikut të shkatërrimit bërthamor”.

Emigracioni, frontet e nxehta

         Kardinali Parolin vuri në dukje se Evropa po përjeton “krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta II Botërore”, shkaktuar pikërisht nga lufta në Ukrainë. Por refugjatët e rinj u shtohen miliona njerëzve, që “në Afrikë, në Lindjen e Mesme e në Azi, detyrohen të largohen nga vendet e origjinës, për shkak të konflikteve, në kërkim të së ardhmes më të mirë për veten e për familjen”. Kardinali kërkoi rinovimin e sistemit të mbrojtjes së refugjatëve e të emigrantëve, sepse ka ende fronte të nxehta në botë, që vijojnë të mbushin radhët e tyre, si në Palestinë, në Liban, në Jemen, në Iran e në vende të tjera. Pasi paraqiti një panoramë të gjerë problematikash në vende të ndryshme të globit, kardinali Parolin vuri në dukje edhe pasojat negative të ndryshimeve klimatike. Duke pasur parasysh takimet e ardhshme ndërkombëtare për klimën, uroi të merren “vendime më të qarta për të mbrojtur ambientin, përmes përshpejtimit të veprimtarive globale në favor të klimës”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi se interneti dhe bota dixhitale janë pasuri për njerëzimin, por vuri në dukje edhe rreziqet e tyre, veçanërisht përsa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, përhapjes së urrejtjes dhe të ekstremizmit. Siguroi sërish se Selia e Shenjtë do ta vazhdojë impenjimin në komitetin “ad hoc” për të hartuar një konventë ndërkombëtare, që lufton përdorimin e teknologjive për qëllime kriminale dhe i bën ballë problemit të kriminalitetit transnacional. “Jo për një botë të ndarë ndërmjet fuqive konfliktuale, por për një botë të bashkuar ndërmjet popujve dhe qytetërimeve, që e respektojnë njëri-tjetrin”, përfundoi kardinali Parolin.

26 shtator 2022, 08:44