Kërko

Assisi, Economy of Francesco presentazione Assisi, Economy of Francesco presentazione

Papa në Asizi do të dëgjojë historitë e tetë të rinjve

Vizita e Papës në Asizi, në program për të shtunën e ardhshme, do të hapet në mjediset e teatrit Lyrick me dëshmitë, për të shpjeguar disa projekte konkrete, lindur në kuadrin e “Ekonomisë së Françeskut”. Të pranishëm, edhe një i ri i burgosur e një refugjat afgan

R.SH. - Vatrikan

Gjithçka është gati në Asizi për ‘Ekonominë e Françeskut’ (EoF). Sot u hapën punimet në teatrin Lyrick, fare pranë Porziuncolës ku, të shtunën në mëngjes, pritet Papa. “Kemi përgatitur një veprimtari artistike prekëse”,  kujton Maria Gaglione, anëtare e komitetit organizativ. “Për ta mirëpritur Papën do të dalë ipeshkvi i Asizit, imzot Domenico Sorrentino, i shoqëruar nga pesë të rinj - një për çdo kontinent - përfaqësues të bashkësisë  EoF (Ekonomy of Francesco).

Temat dhe ralteti i jetës të të rinjve

Takimi me Françeskun do të bëhet brenda teatrit dhe do të nisë nga disa dëshmi. “Përmes tetë tregimeve ne do ta njohim Papën me jetën që lindi gjatë këtyre tre viteve të punës”, saktëson Gaglione. Do të flasim për përvoja konkrete, realizuar në kuadër të procesit të rinovimit të ekonomisë,  nisur në vitin 2019. Por kjo nuk është e gjitha. Ndërmjet nesh janë edhe disa të rinj, që përfaqësojnë periferitë dhe brishtësinë e botës sonë, ndonëse në një perspektivë shpresëdhënëse. Një i burgosur i ri do të flasë për vlerën e punës në jetën e tij në burg - pohon Gaglione - i cili kujton edhe një djalë nga Kenia e një tjetër, që do të përqendrohet mbi kontributin e kulturave indigjene në binomin ekonomi-ekologji. “Përveç kësaj - vazhdon ai - do të jetë edhe një refugjate e re afgane që u njoh me EoF në muajt e fundit dhe që do të angazhohet të punojë për të drejtat e grave në vendin e saj".

Hapësirat, vullnetarët dhe idetë, për t’i dhënë shpirt ekonomisë!

U takon gazetarëve të flasin për vizitën e Papës. Ndaj janë rreth 150 gazetarë të akredituar, ardhur nga e gjithë bota - kujton në një intervistë për Telepace Maria Gaglione - e cila të enjten, më 22 shtator, do t’i  kushtojë një program të drejtpërdrejtë ngjarjeve, duke nisur nga ora 20.30. Do të flasim edhe për aktivitetet e zhvilluara brenda Pala Eventi, struktura përballë Lyrick-ut, ku është krijuar një hapësirë ​​për të rinjtë e EoF-it, të cilët do të mblidhen më pas në 12 grupet tematike. “E kemi quajtur ‘EoF hogar’ - shpjegon - Shtëpi për të rinjtë: hapësirë ​​joformale takimesh, e ndarë në shumë pavione, ku do të zhvillohen seminare,ballafaqime,  diskutime e ku  do të ketë edhe një Web Radio”.

Një hapësirë ​​që pasqyron gëzimin, ndjenjë sunduese që në fazën fillestare. Në prapaskenë punojnë rreth gjashtëdhjetë vetë të Komitetit Organizativ,  grup i përbërë nga Dioqeza dhe Instituti Serafik, nën kujdesin e Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor. Gaglione kujton edhe vullnetarët e shumtë, që po japin një ndihmesë tejet bujare në realizimin e tre ditëve. Të gjithë e presin me emocion dhe mirënjohje këtë çast, i cili më në fund zhvillohet ‘në prani’. Dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se Asizi nuk është  pikëmbërritjeje, por pikënisjeje. "Të rinjtë - përfundon - janë të thirrur për t’i dhënë shpirt ekonomisë, siç na kërkon Papa. E shikojnë drejt së ardhmes, që EoF të jetë rrugë krijuese”.

22 shtator 2022, 11:50