Papa: lutja si frymëmarrje e marrëdhënies sonë me Zotin
R.SH. - Vatikan
#Lutja nuk është një aktivitet që duhet kryer vetëm në momente pushimi, por edhe gjatë jetës sonë tё përditshme si frymëmarrje e marrëdhënies sonë të gjallë me Zotin. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot 20 shtator 2022, nё faqen @Pontifex.
Me lutje hyjmë në marrëdhënie me Zotin
"Nëpërmjet lutjes ne mund të hyjmë në një marrëdhënie të qëndrueshme me Zotin, burim i gëzimit të vërtetë". Këtë kujtoi Papa Françesku, në një tweet botuar më 30 janar 2018. “Lutja që purifikon, përforcon dhe shndrit rrugën, është si karburanti i udhëtimit tonë drejt bashkimit të plotë të të krishterëve”, pati pohuar Ati i Shenjtё Françesku në një tweet tjetёr të 23 janari 2018, duke na kujtuar rëndësinë e kontaktit me Zotin, atë të dëgjimit të Shpirtit të Tij Hyjnor, për jetën tonë personale por edhe për rrugën drejt bashkimit të të krishterëve.
Lutja dhuratë e fryt i pranisë së gjallë të Zotit
Lutja, para së gjithash, është dhuratë, fryt i pranisë së gjallë, gjallëruese të Hyjit. E kur ndjejmë që Zoti është larg nesh e nuk kemi fjalë për të komunikuar e biseduar, kjo mangësi fjalësh dhe dëshira për të hyr në komunikim me Zotin është lutje: përmes Shpirtit Shenjt dëshira bëhet kontakt i vërtetë me Të.
Letrat e Shën Palit, Apostullit tё Popujve, na kujtojnë se lutja është fryt i pranisë së gjallë, reale, frymëzuese të Atit qiellor dhe të Jezu Krishtit në shpirtin tonë, për virtyt të Shpirtit Shenjt: është, pra, veprim i Shpirtit të Atit e të Birit. Posaçërisht Letra Shёn Palit drejtuar Romakëve, na mёson se në lutje mund t’ia hapim zemrën Zotit, duke e lënë gjithë kohën tonë në duart e Tij.