Kërko

OKB, Parolin: kultura e dialogut dhe bashkëpunimit, një mënyrë për të mbrojtur pakicat

Ndërhyrja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin në takimin e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me rastin e përkujtimit të 30 vjetorit të Deklaratës mbi të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare ose etnike, fetare dhe gjuhësore

R.SH. - Vatikan

Të refuzohet  përdorimi diskriminues i termit "minoritet" kur i referohet një pjese më të vogël të një popullsie pasi ai gjeneron "ndjenja të izolimit dhe inferioritetit". Kjo është ftesa fillestare e Sekretar të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, në fjalimin e djeshëm mbajtur në takimin e nivelit të lartë të OKB-së në Nju Jork me rastin e 30 vjetorit të miratimit të Deklaratës për të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare ose etnike, fetare dhe gjuhësore. Kardinali Parolin nënvizoi se si duhet të pasur mirë në mend, kur terma të tillë si "shumicë" ose "pakicë" përdoren në gjuhën aktuale, se këto nuk duhet të gërryejnë parimin mbi të cilin bazohen të drejtat e njeriut dhe liritë themelore: "të gjithë janë të barabartë në dinjitet dhe për këtë arsye kanë të drejta të barabarta”.

Të krishterët janë grupi më i persekutuar në botë

Sipas kardinalit Parolin, afirmimi i identitetit dhe të jetuarit në paqe me të tjerët janë aspiratat që bashkëndajnë të gjitha pakicat etnike, fetare dhe gjuhësore në mbarë botën, prandaj mbrojtja e tyre nuk mund të mos respektojë parimet si mbrojtja e ekzistencës, mospërjashtimi,  mos-diskriminimi dhe mosasimilimi. Selia e Shenjtë, tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit, vëren me shqetësim të madh se të krishterët janë grupi më i persekutuar në botë dhe jo vetëm në vendet ku ata janë grup minoriteti: "Vlerësohet se rreth 360 milionë të krishterë në 76 vende të ndryshme të botës vuajnë nga diskriminimi, dhuna dhe persekutimi për shkak të besimit të tyre - thotë ai - është një shkelje e qartë e të drejtës themelore të lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë”. Një diskriminim që fatkeqësisht e pësojnë edhe pakicat e tjera fetare.

Identiteti forcohet në dialog me ata që nuk janë si ne

Për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut të personave që u përkasin grupeve minoritare mbi baza kombëtare, etnike, fetare ose gjuhësore, miratimi i një "kulture të dialogut" është thelbësor, kuptuar si një rrugë përpara, miratimi i kodit të sjelljes reciproke, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë si metodë. “Identiteti dhe dialogu nuk janë pole të papajtueshme – përfundon Pietro Parolin – identiteti ynë forcohet dhe pasurohet falë dialogut me ata që nuk janë si ne”

22 shtator 2022, 18:05