Kërko

NEW YORK UNITED NATIONS EDUCATION SUMMIT NEW YORK UNITED NATIONS EDUCATION SUMMIT

OKB, Parolin: arsimimi të jetë pa barriera ndërmjet shkencës dhe transhendencës

Nuk duhet të kemi frikë ta ndryshojmë udhën e formimit, nëse objektivi është krijimi i një “fshati edukativ”, që promovon vlerat e respektit, të dialogut dhe të solidaritetit. Ky është mesazhi qendror i fjalës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Takimin e OKB-së “Transforming Education Summit”. Kardinali u bën jehonë fjalëve të Papës Françesku: “Edukimi është një nga mënyrat më të frytshme për ta bërë më njerëzore botën dhe historinë”

R.SH. – Vatikan

Arsimimi do të na ndihmojë të kapërcejmë problemet e shumta të shoqërive tona, duke na nxitur të krijojmë bashkësi më të bazuara në vlerat e vëllazërimit njerëzor dhe të solidaritetit të ndërsjellë. Kjo, bindja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në fjalimin e tij të djeshëm në Nju Jork në “Transforming Education Summit”, takim i organizuar në fillim të javës së Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kardinali theksoi se Papa Françesku flet qartë për rëndësinë e një procesi shndërrimi, që e sheh të ardhmen me shpresë, duke ftuar të gjithë - të rinjtë, mësuesit, liderët politikë dhe shoqërinë civile - të jenë protagonistë të kësaj aleance të re edukative.

Urgjenca për një pakt global

“Përhapja e pandemisë Covid-19 dhe tani lufta në Ukrainë, për të mos folur për shumë konflikte të tjera në rajone të ndryshme të botës – nënvizoi kardinali Parolin – e bëjnë gjithnjë e më urgjente nevojën për një pakt global edukativ”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit theksoi domosdoshmërinë e krijimit të një “fshati edukativ”, në të cilin të gjithë të kontribuojnë për të formuar një rrjet marrëdhëniesh të hapura e njerëzore. Ai kujtoi proverbin afrikan, që paralajmëron: duhet një fshat i tërë për të edukuar një fëmijë. Që nga viti 2020, Ati i Shenjtë i bëri thirrje gjithë botës për një “Global Compact on Education” (Pakt Global për Edukimin), pasi edukimi është “një nga mënyrat më të frytshme për ta bërë më njerëzore botën dhe historinë tonë”. Udha e nisur, ku përfshihen shumë protagonistë ndërkombëtarë, u ka dhënë jetë shumë nismave si në kuadrin kontinental, ashtu edhe në atë lokal.

Katër shtylla

Kardinali Parolin u ndal në rëndësinë e “rikrijimit të aleancës edukative, duke u paraqitur brezave të rinj vlerat e respektit, të dialogut e të solidaritetit, përmes përdorimit të burimeve më të mira për një arsim cilësor”. Duke pasur parasysh pikërisht mesazhin e Papës për Paktin Global të Edukimit 2022, kardinali i ftoi punonjësit e arsimit të udhëhiqen nga katër shtylla: e para, parimi klasik i njohjes së vetvetes, pasuar nga ai për të njohur të afërmin. Parimi i tretë është njohja e krijimit, “që na frymëzon të kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët”. I fundit është parimi i njohjes së Transhendetales, “që afirmon prirjen e natyrshme të njeriut drejt amshimit” dhe e bën të zbulojë misteret e mëdha të jetës.

Shtatë udhët drejt arsimimit të gjithanshëm

Është fjala për një vështrim të gjithanshëm mbi arsimimin. Kardinali Parolin kujtoi ftesën e Papës për organizatat edukative anembanë botës, të cilat i nxit të rishikojnë planet dhe kurrikulat e tyre, duke ndjekur shtatë rrugë të veçanta. Para së gjithash, të bëhet njeriu, me vlerat dhe dinjtetin e tij, qendra e çdo përpjekjeje edukative, formale dhe joformale; të dëgjohen zërat e fëmijëve dhe të të rinjve, të cilëve u transmetohen vlerat dhe njohuritë, për të ndërtuar së bashku një të ardhme në drejtësi e paqe dhe një jetë dinjitoze për çdo njeri; të inkurajohet pjesëmarrja e plotë e vajzave dhe e grave në procesin edukativ; të shihet familja si vendi i parë dhe themelor i formimit; të sensibilizohen të gjithë për nevojën e përballimit të gjendjeve më problematike; të gjenden mënyra të reja për të kuptuar ekonominë, politikën, zhvillimin e përparimin, të cilat duhet të jenë në shërbim të njeriut dhe të familjes njerëzore, në kuadrin e një ekologjie të gjithanshme; të ruhet e të mbrohet shtëpia jonë e përbashkët nga shfrytëzimi i burimeve të saj, sipas parimeve të subsidiaritetit, solidaritetit dhe ekonomisë qarkulluese. Objektivi përfundimtar, që vuri në dukje kardinali Parolin, është të bëhet edukimi “vërtet i gjithanshëm, duke kapërcyer dikotomitë ndërmjet aspekteve të tij njohëse, emocionale dhe etike”.

20 shtator 2022, 15:58