Mbesa e Papës Luçiani: takimi ynë i fundit para Konklavit
R.SH. - Vatikan
Papa Gjon Pali I do të shpallet i Lum në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan nga Papa Françesku, të dielën e ardhshme më 4 shtator 2022. Pas shpalljes së dekretit të 13 tetorit 2021 me tё cilin Papa Françesku e autorizoi Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve të shpallë dekretin mbi shërimin e mrekullueshëm tё një vajze njëmbëdhjetëvjeçare, që vuante nga “encefalopatia e rëndë akute inflamatore, gjendje malinje refraktare epileptike, shok septik” e ishte në ditët e fundit të jetës, që i atribuohet ndërmjetësimit të Gjon Palit I pranё Zotit
Një kujtim familjar i Papës Gjon Palit I, në prag të kremtimit të lumnimit, në program më 4 shtatorin e ardhshëm: dëshmia e vajzës së vëllait të Papës venecian, Amalia Luciani, e cila kujton disa anekdota personale.
“Ai ishte një xhaxha i jashtëzakonshëm, që sillej në mënyrë të veçantë me nipërit e tij; një nga ata, që do të dëshironin ta kishin të gjithë”. Kështu shprehet Amalia Luciani e cila, duke kujtuar disa ngjarje personale, flet për lidhjet familjare të Gjon Palit I. “Kur kthehej në shtëpi - në Canale d'Agordo - nuk qortonte askënd, shumë-shumë mund të kishte fytyrë serioze, të shqetësuar, por më pas i kthehej menjëherë buzëqeshja”, shton vajza e Edoardo Lucianit, vëllai i Papës venecian.
Ishte vera e vitit 1978 kur takoi për herë të fundit xhxhanë e saj, para nisjes për në Konklav. Ai e shoqëroi me makinë nga Canale d'Agordo në Belluno, ku punonte dhe jetonte me qira. Gjatë udhëtimit, Patriarku i atëhershëm i Venecias i kërkoi leje për t’ia bekuar shtëpinë Por, për arsye kohe, ajo iu përgjigj se do të ishte më mirë ta bënte një herë tjetër. “Ndoshta nuk do të ketë një herë tjetër” - u përgjigj Papa i ardhshëm, pothuajse në mënyrë profetike. “Më pyeti - vazhdon ajo - nëse kisha varur një kryq në shtëpi dhe, në përgjigjen time pozitive, shtoi se atëherë po i dukej sikur të kishte ardhur tashmë për ta bekuar atë”.
Jeta në familje
Amalia preket kur mendon për fotografinë e Gjon Palit I të varur edhe sot në shtëpinë e vet. Kujton veçanërisht ato raste kur flinte në divan në disa çaste krize në martesën e saj: “Gjithmonë e shikoj atë foto duke përsëritur: ‘vazhdo ta bekosh shtëpinë time’!”.
Programi “Gjon Pali I i lum!
Dëshmia e mbesës së Papës Luçiani do të transmetohet gjatë programit ‘Gjon Pali I i Lum', në Telepace duke nisur nga ora 20:30, të enjten e datës 1 shtator, në prag të konferencës për shtyp për paraqitjen e Lumnimit të Papës Gjon Pali I, që do të do të mbahet mëngjesin e së premtes 2 shtator në sallën e shtypit të Vatikanit. Mbrëmja e parë, e drejtuar nga gazetari Giacomo Biancardi, do të zhvillohet në prani të disa të ftuarve, me kontribute të ndryshme video të regjistruara, përfshirë intervistën me Amalinë.
Lojërat si fëmijë
Një rrëfim, ai i Amalia Lucianit, që ndalohet edhe në historitë e babait të saj, Edoardo, pesë vjet më i ri se Papa. “Të dy - thotë - ishin një mendjeje, gati si dy shokë që duan të luajnë e të qeshin bashkë”. Të lind dëshira ta pyesësh nëse Albino Luciani e parandjente të ardhmen e tij që në fëmijëri. Po zonja Luciani vijon të përshkruejë, duke vënë buzën në gaz, çastet kur dy vëllezërit luanin me fëmijët e tjerë të Canales dhe në veçanti episodin e gjuetisë së thesarit, që përfundonte me peshkimin i cili vlerësohej me çmim. “Nxirrej një biletëz dhe fitoje një lodër të bërë me pishë ose një laps, por edhe ndonjë çokollatë, sepse kishte disa vajza me baballarë në Amerikë, që u dërgonin çokollata”.
Një ditë, kur erdhi koha për të tërhequr çmimin, Albino i ri i bëri shenjë vëllait të tij - i cili ende nuk dinte të lexonte - të merrte një biletë të veçantë, duke bërë edhe vetë të njëjtën gjë. Kështu ata të dy fituan dy copa çokollate. Babai im - vazhdon ai - e pyeti se si e kishte bërë këtë. E ai ia tregoi trukun: “Kishte gjetur një mënyrë për të shkruar çmimin jashtë kartës”. Sipas Amalia Lucianit, në fund të fundit, kjo anekdotë dëshmon se “të gjithë mund të bëhen shenjtorë: mjafton të duash dhe të përkushtohesh”. Një horizont që ka të bëjë me jetën e çdo personi të pagëzuar dhe që mund të marrë një nxitje të veçantë duke rizbuluar dhe duke studiuar jetëshkrimin dhe përshpirtërinë e Papës venecian.