Kërko

 Cardinale Pietro Parolin Cardinale Pietro Parolin

Kardinali Parolin: lufta nuk është kurrë ngjarje e pashmangshme

Në prag të vizitës së Papës në Kazakistan, Sekretari i Shtetit të Vatikanit komenton luftën në Ukrainë, duke uruar që Kongresi i feve botërore, në të cilin do të marrë pjesë edhe Ati i Shenjtë, të kthehet në rast për takim e dialog. Nënvizon gjithashtu, marrëdhëniet e frytshme diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe ish-Republikës sovjetike

R.SH. – Vatikan

Gjithçka është gati në prag të udhëtimit të 38-të apostolik të Papës Françesku. Ati i Shenjtë niset nesër(13 shtator) për në Kazakistan, ku mbahet Kongresi VII i Krerëve të Feve Botërore dhe Tradicionale. Skenari ndërkombëtar vijon të jetë i ndërlikuar, me luftën në Ukrainë dhe me shumë konflikte të tjera në botë. Edhe dje, pas Engjëllit të Tënzot, Papa kërkoi sërish lutje për popullin ukrainas, duke falënderuar organizatorët e vizitës së tij në ish-republikën sovjetike, që do të përqendrohet në kryeqytetin Nur-Sultan. Shumica e popullsisë së vendit është myslimane, por ka një bashkësi të vogël katolike, që e pret me padurim e shpresë Pasardhësin e Shën Pjetrit. Programi i udhëtimit përfshin 3 ditë, gjatë të cilave Papa do të shqiptojë 5 fjalime. Në një intervistë, para nisjes së Atit të Shenjtë, Vatican News pyeti Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, cili është qëllimi i kësaj vizite…

Ati i Shenjtë Françesku shkon në Kazakistan nga 13 deri më 15 shtator, për të marrë pjesë në edicionin VII të Kongresit të Krerëve të Feve Botërore dhe Tradicionale, me ftesë të presidentit të Republikës Kassym-Jomart Tokayev. Në këtë ngjarje do të jenë të pranishëm krerë fetarë nga anë të ndryshme të botës. Që në fillimet e tij, Kongresi ka marrë si model Ditën e Lutjes për Paqen në Botë, organizuar në Asizi nga Papa shenjt Gjon Pali II, më 24 janar 2002, për të ripohuar kontributin pozitiv të traditave të ndryshme fetare në dialogun, harmoninë dhe pajtimin ndërmjet popujve. Motoja e udhëtimit papnor e tregon mirë këtë – “Lajmëtarë të paqes dhe të bashkimit” – ashtu si edhe logoja, në të cilën shihet pëllumbi me degën e ullirit. Prandaj, qëllimi i vizitës papnore është i qartë. Dua të vë në dukje edhe projektrezolutën përfundimtare të Kongresit, ku vihet theksi veçanërisht mbi Dokumentin “Për vëllazërimin njerëzor në favor të paqes dhe të bashkëjetesës paqësore”, nënshkruar në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe Dr. Ahmad al-Tayyib, Shehu i Al-Azharit, më 4 shkurt 2019.

Paqja dhe bashkimi janë fjalët e motos së udhëtimit. Gjithashtu, paqja është në qendër të punimeve të Kongresit, por në zemër të Evropës, vijon lufta në Ukrainë e, në shumë vende të tjera të botës ka ende konflikte të pazgjidhura. Vërtet janë të pashmangshme, nuk ka rrugë të tjera?

Lufta nuk është kurrë e pashmangshme. Ajo i ka rrënjët në zemrën e njeriut, i cili e lejon kotësinë, krenarinë dhe koprracinë ta udhëheqin në jetë, siç denonconin Etërit e Kishës. Një zemër e tillë është e ngurtë, e paaftë për t'i kuptuar të tjerët. Lufta mund të shmanget duke bërë një hap prapa, duke hedhur poshtë akuzat, kërcënimet, shkaqet e mosbesimit të ndërsjellë. Fatkeqësisht, në kohët tona,  aftësia për të dëgjuar dhe përpjekja për të kuptuar arsyet e atyre, që mendojnë ndryshe nga ne, janë reduktuar në të gjitha nivelet. Prandaj, uroj që Kongresi i ardhshëm në Kazakistan të kthehet në rast për takim dhe dialog. Duke perifrazuar Papën Piu XII, është mirë të kujtojmë se kur diskutojmë me vullnet të mirë dhe me respekt për të drejtat e njëri-tjetrit, nuk e përjashtojmë arritjen e një suksesi me nder.

Marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kazakistanit ekzistojnë që prej 30 vitesh. Në ç’pikë janë sot ato?

Gjendja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kazakistanit mund të përkufizohet me dy fjalë: të shpeshta dhe të frytshme. Mjafton të kujtojmë se Selia e Shenjtë ka marrë gjithnjë pjesë aktivisht në të gjitha edicionet e Kongresit dhe është përfaqësuar nga delegacione të nivelit të lartë, kryesuar nga kardinaj, ndërsa kësaj here, nga vetë Ati i Shenjtë. Kazakistani është vendi i parë i Azisë Qendrore, që nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me Selinë e Shenjtë më 1998. Është edhe vendi i parë i Azisë Qendrore, që u vizitua nga Papa shenjt Gjon Pali II, në shtator 2001. Selia e Shenjtë dhe Kazakistani vazhdojnë të punojnë së bashku. Kjo dëshmohet nga fakti se, gjatë vizitës së fundit në Vatikan të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Mukhtar Tileuberdi, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qendrës Mjekësore Universitare të Kazakistanit dhe Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù”, si edhe një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Institutit të Studimeve Lindore “R.B. Suleimenov” dhe Bibliotekës e Arkivit të Vatikanit. Ky vit shënon 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Me këtë rast, duke pasur parasysh edhe vizitën e Papës Françesku, shpresohet të nënshkruhet një Marrëveshje Shtesë mbi çështjen e vizave dhe të lejeve të qëndrimit për misionarët e huaj, që shërbejnë në Kazakistan.

Kisha e vogël katolike lokale, në një kuadër vendor me 18 fe të regjistruara zyrtarisht, flet për vizitë historike. Papa sjell shpresë. Ky ka qenë vend martirizimi në kohën e sovjetikëve dhe ende përballet me sfidën e bashkëjetesës... çfarë shpresoni ju?

Vizita papnore në Kazakistan përfshin çaste kushtuar bashkësisë katolike vendase, si kremtimi i meshës në sheshin Expo dhe takimi me ipeshkvijtë, klerin, rregulltarët, seminaristët dhe punonjësit baritorë, që do të mbahet në katedralen e Nënës së Zotit-Ndihmë e Përhershme në Nur-Sultan. Kisha Katolike vlerësohet shumë dhe përfaqëson një realitet të vogël, por të rëndësishëm, në një peizazh jashtëzakonisht të larmishëm fetaro-kulturor. Ajo sigurisht do ta ndiejë inkurajimin nga prania dhe fjalët e Papës për t’u përtërirë në fe, shpresë dhe dashuri, për të vazhduar misionin e saj të dëshmisë, duke marrë shembull nga shumë dëshmitarë të së kaluarës, si i Lumi Át Władysław Bukowiński, i Lumi Át Alessio Zaryckyj dhe i Lumi Mykyta Budka, ipeshkëv. Kështu, do të kontribuojë së bashku me grupet e tjera fetare në ndërtimin e një shoqërie të bashkuar, të harmonishme dhe paqësore.

12 shtator 2022, 11:43